Të rinjtë e moshës nga 0 deri në 17 vjeç rrezikojnë më shumë për të qenë të varfër, sipas shifrave të fundit të INSTAT, të publikuara në Anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të jetesës për vitin 2019.

Gjithsej, 29.7% e kësaj grupmoshe është në rrezik për të qenë i varfër, me një rritje të lehtë me 0.1 pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm dhe shumë më e lartë se mesatarja prej 23% e vendit. Më të rrezikuarat janë vajzat e kësaj grupmoshe, me 31.7%, ndërsa për meshkujt shifra është 29.7%.

Për grup moshën nga 18-64 vjeç, rreziku për të qenë i varfër është në kufirin e 22.8%. Sërish femrat e kanë më të lartë këtë tregues, në 23.3%, kundrejt 22.3% te meshkujt.

Rrezikun më të ulët për të qenë të varfër e kanë grupmoshat mbi 65%, me 13.9%. për gratë, treguesi është sërish më i lartë, në 14.8%, ndërsa për burrat është 12.9%.

Sipas INSTAT, rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2019 ka shënuar rënie me 1,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018. Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 2,1 pikë përqindje ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rënie prej 0,2 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, Treguesit e varfërisë në anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, bazohen në konceptin relativ të varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtarëve në familje (madhësinë e familjes) dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2019 është vlerësuar me 170.785 lekë, në krahasim me 160.742 Lekë që ishte në vitin 2018 dhe 145.017 lekë që ishte në vitin 2017.

Sipas INSTAT, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër përfaqëson të ardhurat më të ulëta vjetore të disponueshme që një person të mos konsiderohet i varfër. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër është përcaktuar në 60 % të medianës së të ardhurave disponibël të ekuivalentuara për të gjitha familjet.

/MONITOR.AL