Çdo të premte diçka është e sigurt, audicioni muzikor i “The Voice” ngul përpara ekranit mijëra shikues. Zëra të talentuar performojnë para një jurie e cila ka zgjedhur të mos i shohë, për t’u mos imponuar nga pamja vizive.

Audicioni i marrë nga NBC, “The Voice of Albania”, ka realizuar çdo detaj në mënyrë perfekte. Është vetëm fillimi, javët në vijim do të sjellin gjithçka ndryshe, duke premtuar vetëm emocion dhe surpriza.

“The Voice” sjell Shqipërinë e Madhe me një larmi zërash që do jetë vështirë të përzgjidhen deri në fund të tij, ku të tjerë konkurrentë pjesëmarrës do të shohim.

Deri në fazën e verbër ata janë regjisorë të vetes, i zgjedhin vetë këngët me të cilat do të përformojnë duke na sjellë kështu një larmi zhanresh dhe rrymash muzikore.

Përpjekja e këngëtarëve profesionistë për të pasur më të mrin në skuadrën e tyre përbën po ashtu një tjetër element që i jep sukses dhe ankth audicionit.

Janë të gjitha këto shtylla që janë vendosur mirë e që po funksionojnë mrekulllisht në “The voice”, ku kombinimi i tyre me zërat shqiptarë jep një format që të bën ta ndjesh deri në fund, duke pritur me padurim për javën pasardhëse

Flet autori Rezart Aga

Ëndrrat e tyre sapo kanë filluar të preken. Ata vazhdojnë të qëndrojnë nën ethe për javë të tëra në këtë konkurrim, ku i duhet të tregojnë zërin e tyre, si një nga potencialët më vivid që kanë e për të cilin u duhet të luftojnë.

Një luftë e bukur që transmetohet çdo të premte në “The Voice”. Spektakli që deri më sot ka emocionuar miliona teleshikuesish, në disa vende të botës, e veçanërisht në Amerikë, ka shtrirë efektet e tij rrëqethëse e gjithëpërfshirëse dhe në Top Channel, stacioni që mundi ta huazojë “The Voice”.

Është hera e parë që ky spektakël vjen në transmetim si një iniciativë jo vetëm impenjuese dhe e guximshme por për më tepër e qëllimshme, që synon të gjejë zërin, atë më të mirin i cili do të fitojë jo vetëm triumfin e shprehur në kupë të spektaklit por shumë më tepër.

Do të fitojë ofertat luksoze që ofron ky program, në bashkëpunim me NBC i cili ka premtuar çmime të tjera, si promovime muzikore, kontrata me shtëpi diskografike, e shumë të tjera.

Gjithçka që mjafton për të filluar një karrierë të sigurt në muzikë, për të hedhur hapa të parë në rrugën e suksesit e pse jo për t’u promovuiar jo vetëm brenda kufijve por dhe botërisht.

Këngëtarëve, për herë të parë, u është dhënia mundësia të realizojnë një dëshirë të madhe, jo vetëm të këndojnë në nivel kompeticioni por përtej kësaj të realizojnë shumë objektiva që shumë prej tyre i kanë ëndërruar. Megjithatë është vetëm fillimi dhe është pak herët të flasësh për fundin e spektaklit.

Deri atëherë ka një rrugë të gjatë për t’u bërë. Deri në dhjetë shkurt do të jetë finalja e “The Voice” e deri atëherë na presin plot 17 javë. Do të jenë 17 javë jo vetëm konkurrimi, por mbi të gjitha do të ketë shumë emocion, vëmendje maksimale, ethe, lëvizje dhe stacionim kanali.

“The Voice” sigurisht që e ka arritur, suksesi i tij po ndihet që në tre javët e para, ku deri tani kemi dëgjuar vetëm pak zëra, kemi ndjerë dridhje të ëmbla, por “furtunën” e vërtetë ende nuk e kemi parë. Është gjithçka që premton ky audicion televiziv.

Elementët e suksesit

Çdo format ka tokën e tij të suksesit. E njëjta gjë funksionon dhe me “The Voice”. Duke biseduar me regjisorin e spektaklit Rezart Aga, zbulojmë shumë komponentë që e bëjnë të veçantë këtë spektakël e që natyrshëm e çon drejt suksesit.

“Jemi përpjekur si një staf i tërë të kërkojmë elementin emocionues. Të kërkojmë të bukurën që ka jo vetëm emocion në thelb, por të jetë dhe reale dhe pas “Albanian’s got talent”, një audicion që rezultoi i ndjekur dhe i suksesshëm, menduam të sillnim “The Voice”.

Mbetet absolutisht emocionues, kërkon zërin mbi të gjitha, më të mirin, më të potentin, ai që do të prodhojë jo vetëm duartrokitje, por mbi të gjitha pozicionim absolut para ekranit.

Jemi një nga stacionët e parë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në konkurrim me vende të tjera, që huazojmë “The Voice”. Tridhjetë vende të tjera renditen pas nesh dhe ky fakt i thjeshtë tregon se sa i kërkuar është ky program”,-shprehet Aga në lidhje me formatin e “The Voice”.

Por sigurisht nuk është vetëm emocioni, kërkimi i zërave që në fund do të reduktohen vetëm në një, një tjetër element që e bën të suksesshëm formatin është dhe strukturimi tij. Përshtatja që i është bërë është jo vetëm e arrirë por çdo komponent shprehës është realizuar më së miri.

Juria, konkurrimi në një fazë të verbër që është absolutisht gjëja më interesante dhe emocionuese e spektaklit, goditja e duhur e tij.

Një larmi e pafund pjesëmarrësish  

Nëse do të flisnim për pjesëmarrësit, ata jo vetëm që kanë thyer kufijtë e zërave, timbrave apo ngjyrave, kanë thyer edhe kufijtë e moshës, vendeve nga vijnë apo shkollavë që ndjekin.

“The Voice” për ta është një nga kompeticionet më të rëndësishme që kanë provuar deri më sot, ndaj pjesëmarrja me seriozitet në të është maksimale. Të shoqëruar nga prindërit, miqtë apo të dashurit e tyre ata presin me ankth të futen brenda e të këndojnë.

Gjithçka që duan është që njëri prej anëtarëve të jurisë të shtyp butonin, kjo fjalë që për ta është bërë gjithë strumbullari i kësaj historie pasioni. Shumë prej tyre dëshirojnë më shumë se gjithçka që butonët të shtypen nga të katërt, ka dhe nga ata që ky është qëllimi i tyre.

Dhe në fakt shumë e kanë arritur. Kemi dëgjuar zëra që na kanë lënë vërtet përshtypje.

Pjesëmarrësit janë vetëm nga Shqipëria e nga qytetet tona që i njohim shumë mirë, por dhe nga qytete të tjera të Kosovës apo Maqedonisë. Tashmë formate të tilla duket se përpos qëllimeve të tyre parësore kanë edhe të tjera, si të kujtuarin se Shqipëria nuk është më ajo e vogla që jetojmë.

Kemi dëgjuar deri tanimë këngë të bukura pop, rrock, balada, bluze të interpretuara nga këngëtarë të mëdhenj botërorë.

Talentët e “The Voice” nuk janë në kërkim të guximit të tyre për gjetjen e talenit. Forca e tyre e vërtetë qëndron në talentin që kanë, zërin e tyre. Më këtë forcë do t’u duhet të ecin deri në fund të këtij udhëtimi të bukur për të konkretizuar më të mirin.

Juri profesionale dhe karizmatike   

Pas karrigeve të kuqe elektrike fshihen katër emra të mirënjohur të muzikës shqiptare. Tashmë ata nuk janë më enigmë për ne. Sidrit Bejleri, Alma Bektashi, Miriam Cani si dhe Elton Deda kanë formuar një katërshe perfekte të një jurie që është e duhura për këtë format.

Ishte një zgjedhje kjo e bërë nga stafi i programit jo në mënyrë të rastësishme, absolutisht. Secili prej tyre shpreh dhe përfaqëson një aspekt të veçantë muzikor ndaj dhe ndarja e konkurrentëve në katër ekipe me trajner secilin prej tyre i bën ata të gjejnë më mirë veten.

Sidrit Bejleri është këngëtari i cili ka kënduar prej vitesh muzikën qytetare shqiptare, duke e njohur atë në çdo detaj e duke sjellë emocionet e një performance të vërtetë sa herë që bëhet fjalë për interpretime dinjitoze të saj. Alma Bektashi, një tjetër këngëtare që spikat me veçantinë e zërit, por jo vetëm.

Përsonaliteti i saj si këngëtare e muzikës pop prej vitesh është dalluar në skenë, ndaj është një nder të jetë një nga anëtaret më konkurruese të jurisë.

Nga ana tjetër kemi Miriam Canin e cila është përfaqësuesja më e mirë e një brezi të ri këngëtarësh, e cila dikur pjesëmarrëse e grupit gjerman “Preluders” në hapat e saj për të bërë muzikë, i ka provuar vetë emocione të tilla.

Miriami ashtu si këngëtarët e “The Voice” e ka provuar vetë këtë sfidë, ndaj i kupton shumë mirë ata. Elton Deda, i ndjeshëm ndaj zërit rrock, atij të fuqishëm e të pagabueshëm, është këngëtari që shumë nga konkurruesit kanë dashur të jenë në ekipin e tij.

Por Eltoni, rallë e shtyp butonin, ndoshta për t’i dhënë garës vlerat, sfidën dhe energjinë e duhur.

Ajo që vihet re mes tyre është “një luftë” shumë e këndshme, pak profesionale dhe personale për të marrë sa më shumë këngëtarë në ekipin e tyre. Ndonjëherë u duhet të kalojnë përmes një fjalimi bindës përpara konkurrentëve duke i vënë ata dhe në pozitë të vështirë për të zgjedhur,

momente këto që shoqërohen me shumë batuta, biseda interesante duke i dhënë më shumë ngjyrë dhe karizëm spektaklit.

Për të mos harruar dhe Ledion Liçon, prezantuesin e spektaklit i cili përfundimisht ka vërtetuar se është i duhuri për të drejtuar spektakle të kësaj natyre. Duke qenë vazhdimisht pranë emisioneve me muzikë, drejtues disa herë i “Top Fest” dhe programeve të tjera të ngjashme, Liço vjen shumë mirë.

I njeh mirë talented, pasi dikur ka guxuar të marrë pjesë në konkurse të tilla vetë. E megjithatë, në këtë spektakël atë e shohim si një komentues dhe analizues energjik të fenomeneve që ndodhin shumë shpejt gjatë audicionit.

“Frikë” nga rivaliteti? Aspak    

Ndërkohë, paralelisht me një stacion tjetër televiziv po zhvillohet një spektakël shumë i ngjashëm me “The Voice”. “X Factor” është sinonimi që do të mbledhë zërat e vetë. Si ndihen drejtuesit dhe vetë regjisori i “The Voice” për këtë fakt?

“Frikë nga rivaliteti nuk kemi aspak. Jemi munduar të bëjmë punën tonë, çdo ditë po punojmë maksimalisht për këtë spektakël, frutet e tij dhe pse në fillim i kemi ndjerë. “The Voice” ka sjellë emocione si format dhe objektivat minimalë tashmë i kemi realizuar.

Çdo kush ka të drejtë të konkurrojë atje ku ndihet më mirë, ka vende për të gjithë,”- deklaron Rezart Aga.

Një tjetër faktor për të cilën ndihen krenarë organizuesit e “The Voice” është përshpejtimi i duhur që ata bënë. Nuk kishin kohë të prisnin ndaj filluan të parët.

Një format i tillë tashmë pas tridhjetë vitesh ka shumë sukses dhe pretendimet e tyre janë më se normale. Rrezikimi në kohë reale do i bëjë ata që të vazhdojnë në rrugën e suksesit që kanë nisur, të lançojnë zërat e tyre që në skenë do të jenë jo pak por 120 konkurrentë, të sjellin vazhdimin e emocioneve për një publik të panumërt që i ndjek.

Pa harruar surpriza të tjera që do të sjellë ky spektakël, ku krahasuar me atë që është parë deri më tash, spektakli i javëve në vazhdim do të jetë një ndryshim radikal. Konkurrentët do të jenë të pajisur me laptopët e tyre duke u bërë i mundur një komunikim i drejtpërdrejtë me fansat,

zërat do të konkurrojnë mes tyre të trajnuar nga trajnerët personal dhe fituesit do të zgjidhen vetëm nga publiku. Deri atëherë do të presim, në një maratonë zërash e ethesh ditët më të mira të “The voice of Albania”.