Perspektiva për tregun global të punës në gjysmën e dytë të vitit 2020 është “shumë e pasigurt” dhe parashikimi i rikuperimit nuk do të jetë i mjaftueshëm që punësimi të kthehet në nivelet parapandemike këtë vit, tha Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).

Në raportin e saj të fundit, agjensia e Kombeve të Bashkuara tha se rënia e orëve globale të punës ishte “dukshëm më e keqe sesa pritej” në gjysmën e parë të vitit. Amerika ishte vendi më i goditur, duke humbur 18.3 për qind të orëve të punës.

Në të gjithë botën, rreth 14 për qind e orëve të punës humbën në tremujorin e dytë, i barasvlershëm me 400 milionë vende punë me kohë të plotë, për shkak të pandemisë, tha ILO.

ILO vlerëson se humbjet e orarit të punës pritet të mbeten në nivelin e 4.9 për qind në tremujorin e katërt, i barasvlershëm me 140 milionë punë me kohë të plotë. Sipas një skenari pesimist, me një valë të dytë të pandemisë, kjo shifër mund të rritet në 11,9 për qind ose 340 milionë punë, tha ajo.

“Nuk do të ketë një rikuperim të thjeshtë ose të shpejtë”, tha Guy Ryder, drejtori i përgjithshëm i ILO. Rreth 93 për qind e punëtorëve ende jetojnë në vendet me një lloj mbylljeje të vendeve të punës.

Pandemia ka pasur një “efekt disproporcional dhe dëmtues” për gratë punëtore, të cilat shpesh janë të punësuar në sektorët më të goditur, siç janë ushqimi apo akomodimi, tha Ryder.

“Ishtë e pashmangshme … që bota do të fillojë të dalë nga kjo pandemi me nivele më të larta papunësie, nivele më të larta të varfërisë, nivele më të larta të pabarazisë, nivele më të larta të zhgënjimit midis qytetarëve, por edhe nivele më të larta të borxhit”./France24