Tregu i fluturimeve nuk ka arritur të rimëkëmbet as në dy muajt e parë të këtij viti.

Eurostat raportoi ecurinë e fluturimeve tregtare për vendet e Europës, përfshirë dhe Shqipërinë, bazuar në informacionin e Eurocontrol. Sipas të dhënave, në janar, numri i fluturimeve nga Shqipëria ra me 55.6%, ndërsa në shkurt me 54.9%, në raport me muajt përkatës të një viti më parë, kur ende nuk kishin filluar kufizimet e pandemisë.

Që nga muaji mars, kur e gjithë Europa vendosi kufizimet e lëvizjeve si një masë për të frenuar pandeminë, fluturimet tregtare ranë me 51.4%, ndërsa në dy muajt në vjim (prill-maj) u tkurrën me mbi 90% dhe mbi 80% në qershor.  Pas një përmirësimi në muajt e verës, ku tkurrja u reduktua në 30-40%, fundi i 2020-s sërish solli një përkeqësim te tendencës, teksa në Europë nisi një valë e re e pandemisë.

Eurostat raporton se pas kufizimeve në Europë dhe ndryshimeve në preferencat e udhëtimit, rënia më thelbësore e numrit të fluturimeve komerciale u regjistruan në prill 2020 (-91 % krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2019),  Maj (-90 %) dhe Qershor (-84 %). Edhe viti 2021 filloi më tkurrje të lartë, teksa në shkurt fluturimet tregtare ranë me -73 % (krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2020).

Në shkurt 2021, numri i fluturimeve tregtare ra më pak në Turqi (-50%) dhe Shqipëri (-55%), ndërsa tkurrja më e lartë u konstatua në Austri (-84%) dhe Suedi (-85%).

Që prej qershorit, fluturimet nga Shqipëria kanë shënuar një rënie më të ulët në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian.  Edhe në raport me rajonin, Shqipëria ka pasur një ecuri më të mirë, sidomos në muajt e verës, kur kulmon dhe sezoni turistik, teksa vendi ynë nuk aplikoi kufizime për hyrjet e turistëve të huaj, ndryshe nga Mali i Zi, që kishte rregulla më të ashpra.

Industria ajrore kudo në botë ka shënuar humbje të mëdha si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19. Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) tha se në vitin 2020 fluturuan vetëm 1.8 miliardë pasagjerë, krahasuar me rreth 4.5 miliardë në 2019, me një rënie prej 60% me bazë vjetore.

Kjo ka bërë që industria të humbë rreth 370 miliardë dollarë, “ndërsa aeroportet dhe ofruesit e shërbimeve ajror thumbën edhe 115 miliardë dhe 13 miliardë të tjerë, përkatësisht”, tha ICAO në një deklaratë për shtyp.

Kjo situatë gjithashtu ka ndikuar rëndë turizmin global, duke pasur parasysh se më shumë se 50 për qind e udhëtarëve ndërkombëtarë arrinin destinacionet e tyre me aeroplan.

ICAO tha se ndarja rajonale e humbjeve tregoi një humbje prej 120 miliardë dollarë nga viti në vit në rajonin Azi-Paqësor, 100 miliardë dollarë në Evropë, 88 miliardë dollarë në Amerikën e Veriut, e ndjekur nga 26 miliardë dollarë, 22 miliardë dollarë dhe 14 miliardë dollarë në Amerikën Latine dhe Karaibe, Lindja e Mesme dhe Afrikë, përkatësisht.

Burimi: Eurostat

Burimi: Eurostat

Monitor.al