Kriza e Covid-19 e ka goditur rëndë ekonominë në 20 ditët e fundit të tremujorit të parë të vitit, por zhvillimet deri në mars tregojnë se në disa sektorë shpenzimet për paga janë rritur në raport me disa të tjerë që kanë pësuar rënie.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit zgjerimi më i madh i fondit të pagave me 13.2 % ndodhi për sektorin e energjisë dhe rënia më e madhe ndodhi për baret dhe restorantet me -20%.

Sektori i energjisë sidomos prodhimi nga HEC-et nuk u ndikua nga kriza. Tremujori i parë i vitit zakonisht është i mbarë në prodhimin e energjisë dhe të ardhurat e operatorëve të kësaj fushe kanë treguar qëndrueshmëri edhe përgjatë krizës. Prodhimi dhe konsumi i energjisë nuk u ndikua fort nga kriza duke bërë që pagat dhe punësimi në këtë sektor të mbetet i pacenuar.

Gjithashtu bizneset e informacionit dhe komunikimit rriten fondin e pagave me gati 7% në tremujorin e parë. Bizneset e kësaj fushe janë prekur më pak nga pandemia, pasi ato ishin të parat që u përshtaten për të ofruar shërbime në distancë. Rritje me modeste të fondit të pagave patën edhe sektorët e tregtisë me 2,9%, hotelet me 2% dhe transporti 1.6%.

Në anën tjetër sektorët që e rrudhën fondin e pagave ishin ndërtimi me -3.2 %, industria me -3.8% dhe baret dhe restorantet me 20.6%. Rrudhja e fondit të pagave në sektorë lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me efektet e pandemisë në 20 ditët e fundit të muajit mars, ku masat kufizuese ushtruan presion më shumë në këtë sektorë sidomos në industri dhe shërbime.

Rihapja e ngadaltë e ekonomisë dhe gjatë majit dhe qershorit ka çliruar na masat kufizuese në sektorët e shërbimeve. Baret dhe restorantet për ti bërë ballë mbijetesës kanë rritur çmimet nga 15-20 për qind sipas vëzhgimeve në terren.

Përgjatë vitit 2020 fondi i pagave në të gjithë sektorin privat do të jetë në presionin e ndikimit negativ të pandemisë, ku kulmi i efekteve pritet të pasqyrohet në tremujorin e tretë.

Për shkak të këtyre vështirësive përgjatë muajve të kufizimeve, mars, prill, maj, gati 60 mijë persona kanë humbur punë, shumica e të cilëve nuk janë kthyer në punë.

Në vitin 2019 rritja ekonomike e vendit ishte 2,2 % për shkak të ndikimit negativ që dha tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa këtë vit si pasojë e efekteve negative të Covid ekonomia do të shënojë rënie me 5% në raport me një vit më parë. Rënia e ekonomisë sipas analizave të BB pritet të peshojë më së shumti në pjesën më të varfër të popullsisë së vendit.

Monitor.al