EDITORIAL MONITOR / Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor kaloi një vit të vështirë në 2020-n. Ai ishte më i godituri nga pandemia e Covid-19, për shkak të karantinës totale të mars-majit, verës së vakët dhe kufizimeve në orare, që zbehën festat e fundvitit.

Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se pikërisht bizneset e akomodimit dhe shërbimit ushqimor e pësuan më shumë, duke pasur dhe mbylljen më të lartë të bizneseve, me një tkurrje prej rreth 4%. Për fat të mirë, hotelet rezistuan, me vetëm një që rezulton i mbyllur, por baret dhe lokalet, të cilat janë një prej burimeve kryesore të punësimit në vend, me 17% të totalit, e patën të vështirë të mbijetojnë.

Tendenca është krejt e kundërta nga zhvillimi i shpejtë që njohu sektori deri në vitin 2019. Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik rriti me shpejtësi hyrjet e të huajve në vitet e fundit, duke i kaluar 6 milionë persona, me perspektivën për të arritur në mbi 10 milionë. Fillimisht ishte fati, teksa kriza në Turqi dhe Lindjen e Mesme nxiti shumë agjenci të mëdha turistike të kërkonin destinacione të reja. Pa dyshim që rol kryesor luajti dhe “zbulimi” te të huajt i bukurive të shumta natyrore të vendit, mes malit, lumenjve, liqeneve, deteve e trashëgimisë arkeologjike.

Bizneset ishin të parat që e kapën momentin dhe investuan në rritjen e kapaciteteve turistike. Të dhënat e INSTAT tregojnë se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit për hotele dhe të ngjashme u rrit me shpejtësi në 2018-2019, duke u shumëfishuar në raport me vitet e mëparshme. Hotelet u ngritën me shpejtësi në bregdet, në përgjigje të kërkesës së lartë nga turistët e huaj. Fatkeqësisht, pandemia e ndali disi këtë vrull dhe vuri në vështirësi shumë sipërmarrje edhe në pagimin e kësteve të kredive. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sektori i hotelerisë kishte dhe përkeqësimin më të lartë në treguesin e kredisë me probleme.

Për fat të mirë, turizmi pritet ta marrë veten shpejt. Ndonëse nuk mund të flitet ende për t’u kthyer në nivelet e parakrizës, ai po rritet me shpejtësi. Situata e paqartë po mban ende larg turistët nga vendet e Europës Perëndimore, Qendrore e Veriore, por mungesa e tyre po kompensohet nga turistët nga rajoni, sidomos ata nga Kosova. INSTAT raportoi se për 4-mujorin, hyrjet e shtetasve të huaj mbeten ende 31% më të ulëta se në nivelet e parakrizës (janar-prill 2019), të ndikuara kryesisht nga hezitimi i turistëve të Europës për të lëvizur, ndërsa hyrjet e shtetasve të Kosovës janë 21% më të larta se 4-mujori i parë 2019.

Për momentin, turizmi po mbijeton me fundjavat, por shpresat janë të mëdha që, me afrimin e muajve të nxehtë të verës, do të shtohen hyrjet e të huajve, jo vetëm nga shtetet fqinjë, por pritet rikthim edhe nga vendet e tjera të Europës.

Por, me nxehjen e motit, duket se po nxehen edhe “gjakrat” e krimit. Pothuajse çdo ditë ka lajme në media për vrasje, apo për konflikte të tjera. Krahas krimeve për motive të dobëta, ato që po mbizotërojnë janë lajme për larjen e hesapeve mes bandave të ndryshme, duke i kthyer rajone të ndryshme të Shqipërisë në një “Sicili” të viteve ’80.

Me informacionin,që përhapet shumë shpejt, sidomos kur është lajm i keq, ky nuk është aspak mesazhi që i duhet vendit në këto momente. Rendi dhe siguria duhet të jenë parësore për të garantuar një sezon sa më të qetë. Pikërisht për të krijuar një mjedis miqësor për turistët dhe për të mos e penguar sektorin, edhe zgjedhjet këtë vit u mbajtën që në prill. Po për ironi, mbarimi i tyre po shoqërohet me një situatë aspak të qetë në aspektin e sigurisë së jetës.

Organizata Botërore e Turizmit vlerëson se Shqipëria ka varësi të lartë nga turizmi, i cili kontribuon me mbi 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe punëson direkt ose indirekt më shumë se 200 mijë persona. Turizmi është shpresa më e madhe për të lënë pas krizën e shkaktuar nga pandemia dhe për të rimëkëmbur sa më shpejt ekonominë. Ajo që kërkohet është vetëm pak qetësi…