Në prag të sezonit të ri turistik 2021, nisën sot aplikimit online nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania për të gjithë bizneset e interesuara që kërkojnë të marrin në përdorim stacione plazhi. Shërbimi elektronik nëpërmjet e-Albania u shtua vjet për herë të parë, i cili synon jo vetëm mbrojtjen e shëndetit të turistëve për shkak të Covid-19, por edhe dhënies fund të zaptimit të plazhit.

Procesi për nisjen e aplikimeve është njoftuar nga pushteti vendor i qyteteve turistike. Leja për shfrytëzimin e plazheve është e vlefshme vetëm për sezonin turistik 2021.

“Njoftohen të gjithë subjektet e interesuara për vendosje shezllonash se janë hapur aplikimet në e-Albania. Për ç’do sqarim apo paqartësi jeni të lutur të paraqiteni pranë zyrave të Taksave Bashkia Pogradec. Punonjësit tanë do t’ iu sqarojnë për çdo problematikë, në mënyrë që të kryeni aplikim online të saktë”, thuhet në njoftimin të FB të Bashkisë Pogradec.

Të gjitha strukturat akomoduese të interesuara për shfrytëzimin e stacioneve të plazhit për zonat turistike të Shqipërisë (që përfshin vendosjen e shezllonave) që do të aplikojnë në e-Albania duhet të jenë të pajisura me dokumente, si: plani i operimit për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit dhe foto të strukturës akomoduese/shërbimit.

Si kryhet aplikimi në e-Albania?

Identifikohuni si Biznes në platformën e-Albania;

-Klikoni shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi” dhe të shtypin butonin “Përdor”;

-Plotësoni formularin elektronik, sipas formatit standard;

-Përzgjidhni numrin identifikues përkatës të stacionit të plazhit, sipas hartës digjitale të hapësirave të lejuara;

-Plotësoni informacionin e kërkuar, sipas tabelave dhe bashkëngjisni dokumentacionin, që i’u kërkohet gjatë aplikimit

-Aplikimet tuaja do të verifikohen nga Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve (GTSHA), brenda 2 ditësh. Nëse aplikimi do të konsiderohet i saktë dhe dokumentacioni rezulton të jetë i plotë, i njëjti grup teknik do të njoftojë subjektin dhe njësinë vendore përkatëse për kualifikimin paraprak të tij.

-Për të vijuar me kualifikimin final, subjektet duhet të ndjekin fazën e dytë negociuese, e cila parashikon një seri hapash, që duhen ndjekur sipas këtij linku–> https://bit.ly/2XyFXhj

-Faza e tretë konsiston në pajisjen e subjektit me certifikatën e përdorimit të hapësirës së plazhit dhe lidhjen e kontratës me njësinë përkatëse të qeverisjes vendore.

Dokumente që ngarkohen nga aplikanti:

-Plani i operimit për ushtrimin e veprimtarisë që duhet të përmbajë: sipërfaqen e kërkuar për përdorim (m2) brenda parcelës së kërkuar, sipas numrit identifikues; numrin e çadrave dhe shezlloneve të llogaritura në përputhje me sipërfaqen e kërkuar; masat që do të merren për respektimin e kushteve të higjienës.

-Foto të strukturës akomoduese/shërbimit

-Foto të qartë të hapësirës të plazhit që aplikon.