Varianti i koronavirusit që u shfaq fillimisht në Britani dhe tani po përhapet gjerësisht në botë është 64 për qind më vdekjeprurës sesa llojet para-ekzistuese, sipas një studimi të botuar sëfundmi.

Më herët, në janar, ishin autoritetet britanike ato që paralajmëruan se varianti ishte dukshëm më i transmetueshëm, dhe thanë se besohej se ishte deri në 40 për qind më vdekjeprurës, bazuar në një numër studimesh në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjetjet i një prej atyre studimeve, të udhëhequr nga Universiteti i Exeter, u botuan në “British Medical Journal”(BMJ) të mërkurën.

Studiuesit krahasuan të dhënat për gati 55 mijë persona që rezultuan pozitivë në komunitet midis tetorit dhe janarit dhe i ndoqën ata për 28 ditë. Pjesëmarrësit u përputhën me një sërë faktorësh si mosha, seksi dhe etnia.

Ata zbuluan se të infektuarit me variantin e ri, të njohur si B.1.1.7, kishin 64 për qind më shumë gjasa të vdisnin, duke përfaqësuar një rritje të vdekjeve nga 2.5 në 4.1 për çdo 1 mijë raste të zbuluara.

Testimi në komunitet tenton të kapë më shumë raste me rrezik të ulët, por studiuesit thanë se nëse gjetjet do të mund të përgjithësoheshin për popullatat e tjera, varianti ka “potencialin për të shkaktuar vdekshmëri të konsiderueshme shtesë krahasuar me variantet që qarkullonin më parë”.

Studiuesit thanë se “ky version i virusit paraqet një sfidë thelbësore për sistemet e kujdesit shëndetësor dhe politikëbërësit.”

Ndërsa shumica e prodhuesve të vaksinave kanë thënë se provat tregojnë se imunizimet e zhvilluara tashmë janë efektive kundër variantit që doli nga Britania, variante të tjera si ai që përhapet në Afrikën e Jugut kanë ngritur shqetësimet se mund t’i shpëtojnë përgjigjes imune./AFP