Në këtë periudhë festash aktivitetet kulturore nuk kanë munguar aspak. Skenografi Kondo ka ekspozuar 40 krijimet e tij më të mira, Muharrem Hoxha është rikthyer me komedinë “Dashuria e dytë e moshës së tretë”, ndërsa “Onufri i 18-të” ka sjellë punët e 22 artistëve me gjuhën moderne dhe artin e kohës. Të tjera variete, teatre, opera, apo festivale kanë mbushur jetën në kryeqytet duke dhënë mundësinë të jetuar mes artit dhe fantazisë për të krijuar

Pano Kondo ekspozon  40 vjet krijimtari

Zakonisht peizazhet të shkaktojnë një ndjesi trishtimi, por tablotë e Pano Kondos janë aq të gjalla e plot dritë, saqë nuk mund të mos kaplojë optimizmi dhe etja përjetën.

E verdhë dielli, e kuqe gjaku, nuanca të forta që kapërthehen me njëra-tjetrën… U prezantua në ambientet e muzeut “Mezuraj” koleksioni dhe albumi me 200 veprat më të mira të karrierës 40-vjeçare të piktorit Pano Kondo.

Arti piktorik i Pano Kondos tregon stilin dhe stili njeriun. Vetë Pano është i frymëzuar nga skenografia, gjë që duket në gjeometrinë dhe simbolizimin e detajeve. Është një art, i cili është mes realizmit dhe ekspresionizmit, mes vizatimit e ngjyrës.

Element tepër serioz në këtë ekspozitë është edhe realizmi i albumit të piktorit, që është një nga vëllimet më të mira të botuara në vend, që përmbledh punët më të mira të Kondos.

Miq të piktorit janë shprehur pozitivisht duke vlerësuar krijimet e tij si të rralla jo vetëm në element, por subjekt dhe realizim.

Ermonela Jaho  pushton  skenat botërore 

Ajo është vlerësuar si Violeta më e mirë e momentit në skenat botërore, e sidomos në Stockholm. Ermonela Jaho, e cila ndodhej atje për të interpretuar në operën “Traviata”.

Ndoshta jo fort e njohur nga të gjithë, Ermonela Jaho e ka vendosur veten në pozicionin e një prej sopranove më interesante në skenat botërore. Ka lindur në Shqipëri dhe ka nisur mësimet e kantos qysh në moshën 6-vjeçare.

Më vonë ndoqi studimet në Itali dhe tashmë këndon në teatrot më të rëndësishme përreth botës. Këtë muaj ishte radha e Stockholmit për Violetën. Një rol që Jaho e ka interpretuar shumë herë. Dhe çfarë Violete u dha ajo stokholmasve!

Zërat thonë se kjo është ndoshta Violeta më e mirë në Stckholm prej vitesh. Dhe ne s’na mbetet veçse të ndajmë të njëjtin mendim. Ndërkohë kanë mbetur edhe dy performanca në Stckholm të cilat vlejnë të shihen absolutisht.

Rikthehet varieteja në kryeqytet

Kryeqytetit i rikthehet sërish tradita e varietesë. Me rastin e festave të fundvitit, qendra kulturore “Tirana” ka sjellë për publikun kryeqytetas shfaqjen “Variete”.

Një spektakël prej dy orësh në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit, në të cilin janë përfshirë elemente artistike nga të gjitha formacionet e QKT-së, si Teatri i Metropolit, Cirku i Tiranës, Ansambli Tirana,

Banda e Qytetit, por edhe aktorë humori, që dikur kanë qenë pjesë e Estradës së Tiranës, si Skënder Sallaku, Sejfulla Myftari, Vilson Gjoçaj, Marjana Kondi, Veli Rada, Xhevahir Zeneli etj. Ky brez artistësh “veteranë” do të gërshetohet me artistë të rinj, të sapodiplomuar,

që aspirojnë t’i futen rrugës së humorit. Një program variete nuk mund të kuptohet pa muzikë.

Nga fondi i pasur i teatrit të varietesë janë shkëputur disa nga krijimet më të mira, që vijnë përmes interpretimit të këngëtarëve Luan Zhegu, Kozma Dushi, Anita Take, Arif Vladi, Aleksandër Gjoka, Çlirim Denaj etj.

Këtij programi i është bashkëngjitur performanca të artistëve të Cirkut të Tiranës, grimca humori dhe anekdota, skeçe e monologë humoristikë të penave të njohura të humorit kombëtar e atij botëror.

Nuk ka munguar pjesë koreografike. Një shfaqje, e cila është mbajtur për publikun në datën 30 dhjetor, mban regjinë e Milto Kutalit dhe skenografinë e Beqo Nanajt.

“New Year’s Eve”, një bilanc i përsosur me aktorët më të mirë

Dashuria, shpresa, falja, shanset e dyta dhe fillimet e reja shpalosen nëpërmjet historive të ndryshme të ndërthurura mes tyre, të vendosura në qytetin e New Jorkut, në natën më festive të vitit.Të gjitha këto mund të përmblidhen me një titull të vetëm, siç është “New Year’s Eve”, komedia romantike që ka nisur të shfaqet në kinema “Millennium”.

Yje mjaft të njohur të kinemasë, si Sarah Jessica Parker, Ashton Kutcher, Michelle Pfeiffer, Zac Efron, Josh Duhamel, Katherine Heigl, Hilary Swank, Robert de Niro, Halle Berry, Jessica Biel, Seth Meyers rrëfejnë për 118 minuta histori të mbushura me dashuri dhe pasion.

Nuk mungon në këtë film edhe pjesëmarrja e këngëtarit të njohur, Jon Bon Jovi. Kjo romancë vjen nën drejtimin e regjisorit Gary Marshall, të njohur për filmat e tij “Pretty Woman” dhe “Valentine’s Day”

dhe për trajtimin e dashurisë në aspekte të ndryshme zbavitëse dhe pasionante. Regjisori e përkufizon natën e ndërrimit të viteve si “rastin e përsosur për të bërë një bilanc,

për të menduar për gabimet e vitit që është duke mbaruar dhe për të kuptuar se çfarë duhet përmirësuar në vitin e ardhshëm. Është mundësia për të qenë mirënjohës për atë që kemi.

“Onufri i 18-të”, flasin pikturat e jetës moderne

Krijimet e 22 artistëve shqiptarë që prej vitit 1915

Edicioni i XVIII i ekspozitës ndërkombëtare “Onufri”, është mbajtur në Galerinë Kombëtare të Arteve me kurator artistin Alban Hajdinaj.Një ekspozitë që vjen ndryshe nga të gjitha edicionet e mëparshme dhe që nuk mbështetet vetëm në artin dhe artistët e momentit, por zë fill gati një shekull më parë, si rezultat i një kërkimi personal të kuratorit.

Duke huazuar një ese të Charles Baudelaire, të botuar në vitin 1863 në Paris, Hajdinaj e quan këtë “Onufër”, “Piktura e jetës moderne”. Një  përpjekje për të ndërtuar një mënyrë të pari mbi artin shqiptar, duke u nisur nga nocioni i modernitetit.

Ky nocion, që na vjen prej Baudelaire-it, e ndan artin në dy elemente: e bukura përbëhet nga një element i përjetshëm, i pandryshueshëm, sasia e të cilit është tepër e vështirë të përcaktohet,

si dhe nga një element relativ, rrethanor që do të jetë, si të dojë njeriu, herë tërë ansambli, herë epoka, herë moda, herë morali, e herë pasioni.

Dhe nisur nga ky koncept, ekspozitës nuk i mungon asgjë nga këto elemente, që nga “heronjtë” e ditëve të sotshme që shikojnë vëngër, mbështetur në krahët e një ure të baltosur, të rinjtë e pub-eve apo veshjet shumëngjyrëshe nëpër skicat e Sonilda Bardhoshit…

për të hyrë thellë në kohë. “Piktura e jetës moderne” vihet në gjurmim të modernitetit në Shqipëri duke sjellë në vëmendje fotografi të viteve 1915-1930, piktura të viteve 1960-1980, për të ardhur tek arti i ditëve tona (pikturë, skulpturë, vizatim, fotografi),

i cili në këtë kërkim konsiston në një vazhdimësi të imazhit piktorik e figurativ për të dhënë një panoramë të evolucionit të imazhit modern në artin tonë”, është shprehur kuratori. Janë portrete tërheqëse, profile tunduese, supe delikate të mbuluara nga fustane të lehta,

për të kaluar në atë periudhë që ne e quajmë realizëm socialist e nga ky Hajdinaj ka qëmtuar disa portrete apo tablo që bëjnë diferencën me pikturën e kohës. Nga ky brez janë përzgjedhur disa punë në pikturë e skulpturë nga Guri Madhi, Jusuf Keraj, Janaq Paço apo Sotir Capo,

për të zbritur tek një brez i mesëm me përfaqësues Shpëtim Kërçova, Arben Bajo, Roland Tasho e deri tek më të rinjtë.

Artistët pjesëmarrës

Klodiana Alia, Arben Bajo, Sonilda Bardhoshi, Sotir Capo, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari,

Sidi Kanani, Jakup Keraj, Shpëtim Kërçova,Dhimitër Kokoshi, Genti Korini, Greta Dhaskali Lami,

Guri Madhi, Blerina Muça, Dashamir Myftari, Janaq Paço, Orion Papleka, Kristaq Sotiri,

Roland Tasho, Orion Shima, Dhimitër Vangjeli dhe Ergys Zhabjaku.