Ndërkohë që vendet e mëdha luftojnë për dominimin ekonomik, kombet më të vogla mund të jenë në të vërtetë vende më efektive për njerëzit për të punuar dhe për të bërë biznes – sipas një raporti të ri.

SHBA dhe Kina kanë shënuar një rënie të fortë në 2020 World Competitive Ranking (klasifikimi botëror për konkurrueshmërinë) nga Institute for Management Development (IMD) pasi tensionet e vazhdueshme tregtare vijojnë të peshojnë në pozicionin e tyre ndërkombëtar, duke ua lënë vendin ekonomive më të vogla.

Singapori ruan vendin e parë për të dytin vit me radhë, ndërsa Danimarka është ngjitur me 6 pozicione, në vendin e 2-të. Top 5 vijon me Zvicrën (3), Holandën (4) dhe Hong-Kongun (5), në rënie me tre pozicione nga viti 2019. SHBA (10) dhe Kina (20), kanë zbritur përkatësisht me shtatë dhe gjashtë pozicione.

Raporti i përvitshëm i rendit vendet në bazë të katër kritereve kyç: ecuria e ekonomisë; eficenca e qeverisë; eficenca e biznesit; dhe infrastruktura. Ndërthurja e të dhënave lokale dhe ndërkombëtare, si dhe një sondazh te 5866 drejtues, i rendit më pas 63 vende mbi bazën e këtyre kritereve, për të përcaktuar vendin më të mirë për të bërë biznes dhe vendet që kanë më shumë gjasa të kultivojnë prosperitetin.

Edhe pse kërkimi është kryer para se të shpërthente pandemia e koronavirusit, IMD tha se suksesi relativ i pesë vendeve të para në përmbajtjen e virusit nxori në pah përshtatjen e këtyre qeverive dhe transparencën e tyre në politikëbërje.

“Qëndrueshmëria e stabilitetit politik dhe kohezioni social kanë qenë të rëndësishme në zvogëlimin e paqartësive të shkaktuara nga kriza” – tha Arturo Bris, nga Qendra për Konkurrueshmërinë e IMD Business School (IMD World Competitiveness Center) . “Është e rëndësishme që vendet e renditura lart në klasifikim ta përqendrojnë vëmendjen në fuqizimin e infrastrukturës së përgjithshme shëndetësore për t’ju përgjigjur nevojave shëndetësore që lindin prej pandemisë”

Lëvizjet më të mëdha në 2020

Sipas raportit, Singapori, në avangardë, e ka ruajtur vendin e parë falë ecurisë së qëndrueshme ekonomike, lidhjeve të forta tregtare dhe shkallës së lartë të punësimit. Edhe sistemi i avancuar arsimor dhe infrastrukturat teknologjike kanë luajtur rolin e tyre pozitiv.

Përveç ekonomisë së fortë, Danimarka vlerësohet mirë edhe për tregun e punës, si dhe sistemin shëndetësor dhe arsimor, ndërsa Zvicra spikati në mënyrë mbresëlënëse për infrastrukturën shkencore, – vuri në dukje studimi,

“Mangësitë” në stabilitetin ekonomik, kohezionin social dhe në barazinë ekonomike dhe gjinore ndikuan në renditjen e SHBA-së këtë vit, theksoi Bris. Ndërsa në renditjen e Kinës ndikoi “rënia” në tregtinë ndërkombëtare, punësim dhe masat në tregun e punës – shtoi ai.

Vende me ecuri të mirë këtë vit ishin Tajvani, Kina (11), Finlanda (13) dhe Austria (16), të gjithë në ngjitje krahasuar me vitin e kaluar.

Mbretëria e Bashkuar është ngjitur me katër pozicione (19). Sipas IMD, ky mund të jetë një tregues se Brexit ka krijuar perceptimin e një mjedisi më miqësor për të bërë biznes. Kanadaja renditet në vendin e 8 (vendi i 13 vitin e kaluar).

Gjermania (17), Australia (18), Spanja (36) dhe India (43) mbeten të qëndrueshme me bazë vjetore. Bris thekson se klasifikimi mund të jetë një udhëzues i dobishëm për profesionistët apo drejtuesit e kompanive që dëshirojnë të punojnë larg vendit të tyre.

Ekonomitë e vendeve të Azi-Paqësorit ishin më të dobëta se zakonisht, me zbritje krahasuar me vitin e kaluar; duke përfshirë një rënie me 4 pozicione të Japonisë (34) dhe Indonezisë me 8 pozicione (40). India ka mbetur në vendin e 43-të.

Ekonomitë e së gjithë Lindjes së Mesme kanë luftuar kundër peshës së krizës së çmimit të naftës, me Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë rënë 4 pozicione në vendin e 9.

“Vendet më të mira për ata që po mendojnë të transferohen apo të krijojnë një biznes janë ato me rrezik më të ulët që paqëndrueshmërisë politike dhe cilësi të lartë jete” – tha Bris.

Klasifikimet e IMD, të nisura që prej vitit 1989, vlerësojnë 63 ekonomi duke u mbështetur mbi qindra tregues; një kombinim i të dhënave “hard” si punësimi, kostoja e jetës dhe shpenzimet e qeverisë me të dhënat “soft” që vijnë nga sondazhe të kryera te drejtuesit e sipërmarrjeve ndërkombëtare mbi qëndrueshmërinë politike dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Pesë vendet e para – Singapori, Danimarka, Zvicra, Holanda dhe Hong-Kongu – tregojnë forcën e ekonomive të vogla përballë rreziqeve globale – thuhet në raportin e IMD.

Burimi: CNBC & Bloomberg