Tirana është shndërruar vitet e fundit në kantier ndërtimi, për komplekse banimi, qendra tregtare dhe hotele sidomos.

Dhjetëra hotele luksoze në kryeqytet janë në përfundim dhe në fazë në ndërtimi, teksa plot projekte të tjera po bëhen gati të nisin.

Portali i Ndërtuesve publikoi këto ditë projektin për ndërtimin e  një hoteli të ri në rreth rrotullimin e Zogut të Zi. Godina prej gati 15 katesh është pagëzuar me emrin Urban Hotel.

Sipas të dhënave nga Portali i Ndërtuesve Urban Hotel do të ndërtohet në afërsi të Zogut të Zi midis rrugës “Asim Vokshi” dhe rrugës “Mine Peza” pranë rreth rrotullimit te “Zogut te Zi”, shumë pranë qendrës se Tiranës me vetëm një kilometër.

Godina sipas fotove bashkëngjitur është konceptuar 9 kate shërbime për fjetje dhe katër kate shërbime në favor të hotelerisë.

Një godinë tjetër që do të ketë në funksion parësor të saj shërbimet e hotelerisë ka nisur të ndërtohet në Rrugën e Elbasanit, në afërsi të Kodrave të Liqenit. Kompleksi i cili shtrihet në tre ndërtesa me 6, 8 dhe 9 kate është projektuar nga Dea Studio, Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k.

Ndërsa tek Stacioni i Trenit, në anë të Bulevardit të ri, është gati të nisë zbatimi i një projekti që synon ndërtimin e një kulle rreth 30 kate që do të shërbejë si hotel, i cilësuar me emrin  “Hotel Tower”. Bashkia e Tiranës ka hapur garën për projektin. Një nga projektet për llogari të Bashkisë së Tiranës do të jetë një sipërfaqe prej 36 mijë metër katrorë në një sipërfaqe prej 15 hektarësh. Ky projekt po konkurron me tre projekte të tjera për kullën hotel në këtë zonë.

Pak javë më parë ACCOR Hotels, një markë ndërkombëtare hotelerie njoftoi se do të hyjë në tregun shqiptar me një strukturë akomoduese nën emrin Novotel, që pritet të hapet në vitin 2021. Partneri shqiptar është Bolv Oil Group. Struktura e re akomoduese pritet që të ketë 130 dhoma, ndërkohë që gjithë Novotel Tirana do të ketë mbi 7,000 m² zona të dedikuara për shërbime të integruara.

Tregu i hoteleve të luksit po zgjerohet shumë më shpejt se kërkesa për këtë shërbim, thonë ekspertët e fushës. Aktualisht Hotel Tirana po zgjerohet me një hotel të ri rreth 30 kate me pesë yje në qendër të Tiranës, ish – Sheratoni  do të zgjerohet me vila të vogla. Në anë të Sheshit Skënderbej është në ndërtim një kullë që do të shërbejë si hotel me pesë yje dhe do të operohet nga grupi spanjoll Melia.

Monitor.al