Komisioni Europian dorëzon raportin e parë pozitiv. Por për statusin e kandidat, pnegesë është “ngërçi politik”

Brukseli hap dritën jeshile për liberalizimin. Dhjetori afati më pesimist

Ylli Pata

Shqipëria është fare pranë heqjes së vizave me vendet “Schengen”, por tani nuk diskutohet më fakti por koha kur shqiptarët më në fund do të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së dhe Zvicër. Me variantin më optimist, shqiptarët mund të dalin pa viza në fund të tetorit, përndryshe do të presin deri në krishtlindjet e këtij viti për të përfituar. Ndërkaq, pasi është bërë e mundur kjo pjesë në lidhje me integrimin e vendit tonë në klubin e Europës së Bashkuar, mbetet ende një rrugë jo e shkurtër për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha i ka dorëzuar përgjigjet e pyetësorit gjatë një vizitë në Bruksel në mesin e muajit të shkuar, por tani mbetet opinioni i Komisionit Europian i cili do të duhet të dorëzohet në Këshillit Europian, ku bëjne pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare. Por zgjidhja e kësaj pjese varet nga zhbllokimi i ngërçit politik në vend. Mazhoranca dhe opozita qëndrojnë në pozicionet e tyre dhe kanë dhënë prova force duke matur muskujt në shesh duke zhvilluar dy mitingje të mëdha në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Por beteja do të zhvillohet në Bruksel në ditët e parë të muajt maj, në dy pjesë: Parlamentin Europian dhe Keshillin Europian. Më 3 dhe 4 maj zhvillohet takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit dhe më 11 maj mblidhet Komiteti i Stabilizim Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Nga këto takime varet drejtimi që do të marrë vendimi i Brukselit për të ardhmen e Shqipërisë.

Vizat

Komisioni Evropian dorëzoi raportin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë e Bosnjën. Në 44 faqe të këtij raporti, të përfunduar në datën 19 prill, Komisioni Evropian bën një vlerësim të detajuar të të 4 blloqeve të kushteve teknike që i janë kërkuar Shqipërisë të përmbushë për liberalizimin e vizave. Raporti bën vlerësimin në mënyrë të detajuar të kritereve, duke ia përcjellë për miratim Këshillit të BE-së. Mbi bazën e këtij raporti do të merret vendimi nëse qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Kështu në bllokun e parë të kritereve që ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve, ekspertët e Komisionit vlerësojnë se Shqipëria ka plotësuar kushtet. “Mes majit 2009 dhe marsit 2010 janë lëshuar 497 mijë pasaporta biometrike. Detajet e sigurisë së pasaportave të reja biometrike (foto dhe shenjat e gishtave) janë në përputhje me standardet e ICAO dhe BE”, thuhet në raport. Përsa i përket bllokut 2 të kritereve për emigrimin ilegal, përfshirë ripranimin, raporti thotë se “duket se Shqipëria në përgjithësi i ka përmbushur standardet e vendosura në bllokun 2 të udhëzuesit. Nevojiten verifikime të mëtejshme në lidhje me zhvillimin e strategjisë dhe politikës për të mbështetur ri-integrimin e të kthyerve”. Për këto kritere thuhet më tej se “Strategjia e menaxhimit të Integruar të Kufijve dhe Plani i Veprimit janë rishikuar në tetor 2009 dhe zbatimi i tyre po vazhdon. Bashkëpunimi mes agjencive është forcuar dhe qendra operacionale detare ndër institucionale ka hyrë në veprim në janar 2010. Janë bërë përmirësime të mëtejshme të infrastrukturës së pikave të kalimit kufitar dhe pajisje shtesë do të vendosen gjatë vitit 2010”. Më tej bëhet edhe një vlerësim mbi legjislacionin e miratuar në lidhje me këtë bllok kriteresh, si “miratimi në vitin 2008 dhe plani i veprimit i tetorit 2009 për zbatimin e ligjit është përmbushur gjerësisht”. Raporti thotë se “një Regjistër Kombëtar për të huajt u bë operacional në shkurt 2010. Nevojiten përpjekje të reja për të vendosur një strategji mirëkuptuese ri-integrimi për shqiptarët e kthyer. Ndalimi i brendshëm i emigrantëve të parregullt është forcuar nëpërmjet një urdhërese mbi bashkëpunimin ndër-agjencish. Po finalizohet ndërtimi i një qendre ndalimi”.

Blloku i tretë i kritereve ka të bëjë me rendin publik dhe sigurinë, vlerësohet në tërësi se “Shqipëria i plotëson shumicën e standardeve të përcaktuara sipas bllokut 3 të programit. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimin efektiv të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore”. Në mënyrë të detajuar për bllokun 3 thuhet se ka një zbatim më të mirë të ligjit në fushën e sigurisë. “Autoritetet shqiptare kanë rritur më tej përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Struktura ligjore për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është zhvilluar pas miratimit së fundmi të ligjeve të rëndësishme mbi konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar, asistencës reciproke ligjore dhe mbrojtjes së dëshmitarëve”, thotë më tej raporti.  Blloku i 4-t i kritereve ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore në Shqipëri. Raporti vlerëson se “Shqipëria në përgjithësi i ka përmbushur standardet e vendosura në Bllokun 4 të udhërrëfyesit”. Më tej thuhet se një zhvillim kyç pozitiv ka qenë miratimi, në shkurt 2010, i Ligjit mbi Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sipas raportit, tani duhet të ushtrohet zbatimi i tij, përfshirë caktimin e Komisionerit të ri. Më tej thuhet se janë ndërmarrë disa iniciativa pozitive për të promovuar qëllimin e përfshirjes së romëve, sidomos në fushën e edukimit, kulturës dhe punësimit.

Vlerësimi i kritereve për liberalizimin e vizave nga KE

Blloku i parë

Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë drejt përmbushjes së standardeve të bllokut të parë. Mes majit 2009 dhe marsit 2010 janë lëshuar 497 mijë pasaporta biometrike. Detajet e sigurisë së pasaportave të reja biometrike (foto dhe shenjat e gishtave) janë në përputhje me standardet e ICAO dhe BE.

Lëshimi i pasaportave të reja biometrike është përqendruar në Tiranë dhe menaxhimi dhe vëzhgimi është bërë nga një kompani private, për llogari të Ministrisë së Brendshme Shqiptare. Është kryer një proces i prodhimit të sigurt dhe efikas me procedura shpërndarjeje dhe personalizimi.

Stafi i zgjedhur për procesin e personalizimit të pasaportave është zgjedhur me kujdes dhe ka bërë një trajnim të përshtatshëm. Rreziku i korrupsionit dhe mashtrimit është minimizuar nga masat e sigurisë teknike si: ndarja strikte e detyrave, logot hyrëse dhe kamerat e vëzhgimit.

Në lidhje me mbajtjen e dokumentacionit, Regjistri Kombëtar Civil është burimi i vetëm i informacionit të statusit civil (që në shkurt 2009) dhe çdo qytetar ka një numër personal të përhershëm identifikimi (ID)

Duket se Shqipëria i ka përmbushur standardet e vendosura në bllokun e parë të udhëzuesit.

Blloku i dytë

Emigrimi ilegal, përfshirë ripranimin

Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në menaxhimin e kufijve, azilit dhe emigrimit.

Për sa i përket menaxhimit të kufijve, legjislacioni për zbatimin e plotë dhe efektiv të Ligjit mbi Kontrollin dhe Survejimin e Kufijve Shtetërorë është miratuar në 2008. Strategjia e menaxhimit të Integruar të Kufijve dhe Plani i Veprimit janë rishikuar në tetor 2009 dhe zbatimi i tyre po vazhdon. Bashkëpunimi mes agjencive është forcuar dhe qendra operacionale detare ndër institucionale ka hyrë në veprim në janar 2010. Janë bërë përmirësime të mëtejshme të infrastrukturës së pikave të kalimit kufitar dhe pajisje shtesë do të vendosem gjatë vitit 2010. Burimet njerëzore janë forcuar dhe një curiculum i ri trajnimi është zhvilluar në bashkëpunim me FRONTEX.

Sistemi i azilit në Shqipëri është funksional dhe struktura ligjore është forcuar më tej për të siguruar përputhjen me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së. Autoritetet shqiptare gradualisht po marrin përgjegjësitë nga UNHCR.

Në zonën e menaxhimit të emigrimit, legjislacioni për zbatimin e plotë dhe efektiv të ligjit për të huajt është miratuar në vitin 2008 dhe plani i veprimit i tetorit 2009 për zbatimin e ligjit është përmbushur gjerësisht. Një Regjistër Kombëtar për të huajt u bë operacional në shkurt 2010. Nevojiten përpjekje të reja për të vendosur një strategji mirëkuptuese ri-integrimi për shqiptarët e kthyer. Ndalimi i brendshëm i emigrantëve të parregullt është forcuar nëpërmjet një urdhërese mbi bashkëpunimin ndër-agjencish. Po finalizohet ndërtimi i një qendre ndalimi.

Duket se Shqipëria në përgjithësi i ka përmbushur standardet e vendosura në bllokun 2 të udhëzuesit. Nevojiten verifikime të mëtejshme në lidhje me zhvillimin e strategjisë dhe politikës  për të mbështetur ri-integrimin e të kthyerve.

Blloku 3

Rendi publik dhe siguria

Progres i konsiderueshëm është bërë nga Shqipëria mbi përmbushjen e standardeve të bllokut 3. Autoritetet shqiptare kanë rritur më tej përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Struktura ligjore për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është zhvilluar pas miratimit së fundmi të ligjeve të rëndësishme mbi konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar, asistencës reciproke ligjore dhe mbrojtjes së dëshmitarëve. Struktura e përgjithshme ligjore në këtë fushë tani është aty ku duhet. Përputhja e strukturës së brendshme ligjore me standardet evropiane dhe ndërkombëtare është në progres.

Blloku 4

Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore

Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë në përmbushjen e standardeve të bllokut 4. Një zhvillim kyç pozitiv ka qenë miratimi, në shkurt 2010, i Ligjit mbi Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ligji parashikon dukshëm vlerësimin e institucionit të Komisionerit të Mbrojtjes nga Diskriminimi, me kompetenca shumë të gjera, të cilat mund të sigurojnë asistencë për viktimat dhe të imponojnë gjoba për thyerjen e ligjit. Ligji ka hyrë në fuqi në mars 2010. Tani duhet të ushtrohet zbatimi i tij, përfshirë caktimin e Komisionerit të ri. Progres i mëtejshëm është bërë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për përmirësimin kushteve të jetesës së romëve. Janë ndërmarrë disa iniciativa pozitive për të promovuar qëllimin e përfshirjes së romëve sidomos në fushën e edukimit, kulturës dhe punësimit. Përpjekje janë bërë edhe për të lehtësuar regjistrimin civil të komunitetit rom. Këto përpjekje pozitive duhet të vazhdojnë dhe duhet të sigurohen burime të mjaftueshme për zbatimin e mëtejshëm të Strategjisë. Duket se Shqipëria në përgjithësi i ka përmbushur standardet e vendosura në Bllokun 4 të udhërrëfyesit.

Integrimi në BE

Mazhoranca dhe opozita bëhen gati për betejën politike më të rëndësishme jo në rrugë por në ndërtesën “Alitero Spinelli” në Bruksel, ku më 3 dhe 4 maj do të zhvillohet takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Pas mbylljes së dy mitingjeve të planifikuara nga palët më 30 dhe 01 maj, të hënën në orën 15 në kryeqytetin Europian nis takimi i parë domethënës ndërmjet Brukselit dhe Tiranës për të përcaktuar hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë për të ecur me statusin e vendit kandidat. Mazhoranca dhe opozita kanë përgatitur lëvizjet që do të marrin në takimin e pasdites së 3 majit dhe në paraditen e 4 majit, kur do të bëhen edhe pyetjet nga eurodeputetët. Në zyrën e kreut të Kuvendit, Jozefina Topalli janë zhvilluar mbledhje intensive të delegacionit të djathtë që do të jetë prrezentë në takimin dyditor për Shqipërinë. Siç mësohet përfaqësuesit e mazhorancës kanë përgatitur një material të gjatë mbi historikun dhe procesverbalet parlamentare mbi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkaq, deputetët demokratë kanë marrë porosi dhe se me kë do të lobojnë dhe si duhet ta bëjnë atë në ndërtesën “ASP” ku ndodhet selia e komisioneve dhe delegacioneve të Parlamentit Europian. Nga ana tjetër edhe opozita ka ndërmarrë përgatitjet e “betejës” së Brukselit ku palët do të duhet të bëjnë përpjekjet finale për të bindur eurodeputetët se kush ka të drejtë, pasi një ditë më pas më 5 maj, nis seanca plenare e Parlamentit Europian ku do të miratohet rezoluta për Shqipërinë, e cila do të vërë piketat dhe kërkojë zgjidhje konkrete mbi krizën, natyrisht duke iu dhënë detyra përkatëse si mazhorancës ashtu dhe opozitës. Mazhoranca përfaqësohet në Komitetin Parlamentar të Asocim Stabilizimit nga deputetët: Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi, ndërsa zëvendësues Arenca Trashani, Gert Bogdani, Shrefedin Shehu dhe Edmond Spaho, ndërsa socialistët do të përfaqësohen nga: Valentina, Leskaj, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Ilir Beqja. zëvendësues janë Mimi Kodheli, Eduart Shalsi dhe Besnik Bare. Kryetari i këtij komiteti do ti takojë mazhorancës dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë deputeti Fatos Beja, ndërkohë që nënkryetari do të jetë i opozitës që mund të jetë deputetja Valentina Leskaj. Pjesëmarrës në këtë takim janë 52 europarlamentarët anëtarë të Delegacionit për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Nga këto europarlamentarë, 24 i përkasin grupit të Partive Popullore Europiane, 14 i përkasin Grupit të Aleancës progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, 4 i përkasin grupit të Aleancqës së Liberalëve dhe Demokratëeve, 3 i përkasin grupit të Konservatorëve dhe reformistëve, 4 i përkasin grupit të të gjelbërve, dhe një eurodeputet i përket grupit të të majtëeve të bashkuar dhe e gjerbërta e majtë nordike. Ky deputet është pikërisht greku Nicholaos Countis, i cili relaton për Shqipërinë dhe është reporteri special që ka përgatitur rezolutën që duhet të miratohet nga Parlamenti Europian. Ndërkaq, Bashkimi Europian ka lëshuar një mesazh të fuqishëm që është dukur më shumë si ultimatum ndaj politikës shqiptare dhe në veçanti ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Me gojën e ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, i cili përfaqëson Presidencën e BE-së, Europa i ka bërë të ditur Tiranës zyrtare se duhet të përballojë kostot jo vetëm politike nëse nuk zgjidhet sa më shpejt “ngërçi politik” në vend, termi siç quhet tashmë kriza shqiptare. “Këtë radhë duam fakte konkrete dhe jo më fjalë”, ka qenë fjalia e prerë e përfaqësuesit të kreut politik të Bashkimit Europian, që deri më 1 korrik koordinohet nga kryeqyteti spanjoll. Ambasadori, Manuel Montobio, i cili më shumë se një herë ka kërkuar zgjidhjen e krizës dje ka qenë më shumë se i qartë, madje edhe më i detajuar. Në një aktivitet të zhvilluar dje në Tiranë ku ka bërë një bilanc të punës tremujore të Presidencës Spanjolle dhe prioritetet për tre muajt e ardhshëm, ambasadori Montobio i ka kushtuar një pjesë të veçantë krizës shqiptare. “Zgjidhja e ngërçit politik në vend kushtëzon rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, ka thënë diplomati i Madridit. Më pas ai ka detajuar qëndrimin: “Ne jemi të mendimit se funksionimi i demokracisë është pikë kyçe për vendin. Parlamenti i vendit nuk ka funksionuar në mënyrë të plotë. Kur them kështu nuk duhet të flasim vetëm për miratimin e ligjeve, pasi përveç miratimit të ligjeve, Parlamenti duhet të jetë edhe vendi që i bën kontrollin e përditshëm qeverisë dhe të përcjellë shqetësimin e qytetarëve”. Montobio ka kujtuar kalendarin e rëndësishëm të eventeve të Brukselit për Shqipërinë. Kështu, më 3 dhe 4 maj, në kryeqytetin europian do të mblidhet Komiteti parlamentar i Stabilizim-Asocimit, ku do të miratohet një dokument që do të votohet në seancën plenare për Shqipërinë, dokument që do t’i dërgojë Këshillit Europian dhe Komisionit një qëndrim zyrtar. Ndërkaq, më 10 maj po në Bruksel mblidhet Komiteti i dytë i Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, ku do të dalë qartë qëndrimi mbi opinionin e komisionit për statusin e vendit kandidat. Qarqe të ndryshme në kryeqendrën e BE-së kanë bërë të ditur se kjo procedurë që do të zgjasë deri në pjesën e dytë të 2011-s. Ambasadori Montobio deklaroi dje se qeveria duhet të zbatojë kërkesat që i ka vënë përpara progres-raporti i vitit të shkuar i BE-së. “Ngërçi politik ka lënë pas dore pikërisht marrjen dhe zbatimin e asaj që progres-raporti i vinte në dukje për Shqipërinë”, deklaroi përfaqësuesi i Presidencës së Bashkimit Europia