Kur pritet të votohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, salla e Kuvendit të Kosovës u mbulua sërish nga gazi lotsjellës. Kanë qenë deputetët e Vetëvendosjes që për dy raste radhazi kanë hedhur bombulat me gaz lotsjellës në kuvend, duke bllokuar seancat.

Ajo që bie në sy, është se bombulat me gaz lotsjellës janë hedhur në anën e kuvendit ku ulen deputetët e LDK-së. I dëmtuar lehtë nga gazi lotsjellës ka mbetur deputeti Ramiz Kelmendi, që ka qenë i sëmurë megjithatë është paraqitur në seancë. Pavarësisht kësaj, Rami Kelmendi tha se “nuk dorëzohet kollaj”, pasi ikja e tij do të cënonte shumicën e arritur me vështirësi prej 80 votash.

Deputeti goran, pjesë e Listës Serbe, llogaritet se do të jetë vota që do të sigurojë ratifikimin e Demarkacionit. Në fakt sapo ai ka hyrë në sallë, Vetëvendosja hodhi gaz lotsjellës.

Në sallën e kuvendit nuk munguan as përpjekjet për të marrë me dhunë kartat e deputetëve. Ka qenë deputeti Liburn Aliu i Vetëvendosjes që mori kartat e kolegëve të tij, në një skenë të ngjashme si ajo që u pa në Kuvendin e Shqipërisë, në seancën kur u votua Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku. Në kuvendin e Shqipërisë këtë veprim e bëri Monika Kryemadhi e LSI-së.

Ambasadori amerikan Delawie dhe shefja e BE-së, Natalia Apostolova kanë reaguar ashpër kundër Vetëvendosjes, duke thënë se janë të shokuar nga kjo që po ndodh në parlament.

Delaëie i bëri thirrje deputetëve të mos largohen nga Kuvendi dhe ta votojnë Demarkacionin.

“Unë nuk dorëzohem, shpresoj që edhe deputetët të mos dorëzohen. Sot është dita për të votuar”tha Delawie para mediave.

Deputetja e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas hedhjes së gazit tha se VV është e vendosur ta pengojë votimin e Demarkacionit.

“Ne e bëmë këtë veprim që ta shpëtojmë vendin nga e keqja që po i vjen. E kuptoj se kjo dikujt mund t’i duket jonormale. Por edhe para tre viteve ne kemi vepruar njësoj. Kemi arritur që ta ndalojmë më të keqen. Demarkacioni nuk kalon. Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë Marrëveshjen për Demarkacionin. Se si do të veprojmë tutje mbetet që të shihet”, ka thënë Haxhiu.

Për ratifikimin e marrëveshjes nevojiten 80 vota nga 120 deputetët e Kuvendit.  Deri më tani koalicioni qeverisës së bashku me partinë opozitare LDK kanë mbledhur shumicën e votave. Kushtet e Listës Serbe për të votuar pro janë refuzuar për momentin nga Qeveria Haradinaj dhe vetëm një deputet i saj i është bashkuar votimit.