Spektakli muzikor televiziv i X Factor ka nisur. Në 25 shkurt nata e parë live

Zëra mbreslënës, të rinj që aspirojnë të bëjnë ëndrrën e tyre realitet, të tjerë të zhgënjyer për mundësinë e munguar për të treguar deri më sot talentin e tyre, nxënës,

studentë, njerëz me profesione të ndryshme, janë bërë pjesë e edicionit të parë të evenimentit muzikor “X Factor Albania”

Pas pesë netëve të para të mbajtura në qytetet kryesore në vend, do të vijohet më tej me fazën “Bootcamp”, në Vilat e Anëtarëve të Jurisë, ku do të dalin edhe 16 finalistët e këtij formati.

Me zgjedhjen e tyre nis dhe gara e fortë e finaleve të ‘live-show’-t.

Një spektakël me shumë ritëm, energji, me emocione, të qeshura dhe lot ka mbërthyer njerëzit përpara ekranit duke arritur kështu një audiencë maksimale.
Sigurisht jehona disa mujore e këtij programi në Shqipëri, fama e tij botërore, suksesi që kanë pasur fituesit ndër vite në simotrat e “X Factor” në çdo vend që ky format realizohet bëjnë që jo vetëm të ketë kuriozitet,
por që edhe njerëzit, – përveç konkurrentëve, ta shohin me shpresë të madhe këtë garë.

Përveç zërave interesantë, nuk kanë munguar personazhet simpatikë me batutat e tyre të humorit, që i kanë dhanë gjallëri dhe kanë ç’tensionuar konkurrentët nga ethet e garës.

Paskuintat, aty

ku familjarët dhe miqtë prisnin me ankth performancat e konkurrentëve kanë qenë të tjera momente emocionuese të përcjella më së miri nga prezantuesja e programit Alketa Vejsiu, e cila në këtë fazë audicionesh ka qenë pikërisht pranë tyre.

Programi hit në botë, produksion i TV Klan vjen nën regjinë e Vera Grabockës, e cila së bashku me Vejsiun është edhe producente artistike e programit. Juria e programit përbëhet nga skenaristi dhe prezantuesi i njohur Pandi Laço,

këngëtarja përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovizion Juliana Pasha, këngëtari i suksesshëm i kësaj dekade Alban Skënderaj dhe këngëtarja hitbërëse Vesa Luma. Pesë netët e para të programit do të jenë audicionet e mbajtura në qytetet kryesore në vend,

për të vijuar më tej me fazën “Bootcamp”, në Vilat e Anëtarëve të Jurisë, ku do të dalin edhe 16 finalistët e këtij formati. Me zgjedhjen e tyre nis dhe gara e fortë e finaleve të ‘live-show’-t.

Vera dhe Alketa

Këtë herë Alketa Vejsiu është bërë bashkë me regjisoren Vera Grabocka në rolin e producentes artistike. Ato arritën të sjellin këtë format të njohur në botë në Shqipëri, duke lënë pas dy televizione të tjerë që garonin për të bërë për vete këtë patentë.

Kthimi në televizionin Klan me këtë program, Grabocka e komenton kështu: “Kudo ku ka të rinj është bukur, ka një energji tjetër. Kam qenë gjithmonë e bindur që programet që në bazë kanë muzikën dhe konkursin janë të destinuara të jenë «sukses».

X factorit do t’i shtoja eksperiencën botërore, ne po i referohemi novacionit me të fundit botëror në industrinë e medias dhe po e sjellim në Shqipëri me një kast të shkëlqyer konkurrentësh, me një skuadër njerëzish të apasionuar,

dhe në një Televizion që ka përkrahur në të gjitha drejtimet atë që është më e përparuara sot në botë”.

Ndërsa, vetë Alketa shfaqjen këtë herë si producente artistike, nëse e kishte menduar si një moment ngjitjeje në karrierë apo sfidë mes kolegëve  e komenton kështu: “Kjo pyetje më kujton ato qindra shkallë që kam ngjitur në muajt e fundit të shtatzënisë Cappella Sistina-n në Vatikan (Romë).

Kur ti ngjitesh për ta prekur diçka të bukur, diçka të madhe nuk e bën këtë sepse ke dëshirë t’i lësh të tjerët pas dhe t’i parakalosh. Nuk e bën këtë për të tjerët, por e bën sepse ti do t’i japësh vetes tënde një kënaqësi më shumë. Sistemi im i referimit ka të bëjë gjithmonë me veten time, nuk ka të bëjë me të tjerët.

Sigurisht unë eci në përputhje me kohën, mundohem që të jem koherente, sepse tregu të lë pas, por sigurisht këtë gjë e bëra për të ngjitur një shkallë tjetër në karrierën time. Është një iniciativë që e bëmë të dyja me Verën këtë rrugëtim dhe ja dolëm”,- pohon gjithë entuziazëm Vejsiu.

Juria

Një pikë e fortë e këtij programi është juria. Skenaristi dhe producenti Pandi Laço, këngëtarët më në zë sot në vend Juliana Pasha, Alban Skënderaj dhe Vesa Luma janë të përzgjedhurit e produksionit në këtë aventurë disa mujore.

Por si e komentojnë prezencën në këtë panel, vetë ata…

Pandi Laço:

“X-Factor, kudo ku është zhvilluar, i ka sjellë televizionit një audiencë të jashtëzakonshme. Nëse konkurrentët janë ata që do t’i nënshtrohen vlerësimit të jurisë, anëtarët e jurisë në një lloj mënyre i nënshtrohen vlerësimit të publikut.

Është një përgjegjësi e madhe, por edhe një rol që duhet luajtur! Të gjykosh të tjerët është diçka jo e thjeshtë…

Edhe kur prezantohesh me dikë për herë të parë ndodh që përshtypja e parë është e gabuar. Kështu ndodh edhe kur je anëtar i një jurie. Ndoshta mund të gabosh tek je i detyruar që në harkun e 3-4 minutave të japësh një vlerësim.

Po në fund të fundit nuk është një juri që duhet të japë verdiktin final për jetën e dikujt…(Hahaha). Kur më propozoi Vera Grabocka dhe Alketa për të qenë pjesë e jurisë së X-Factor, menjëherë më erdhi në kujtesë filmi i Sergio Leones «Il buono, il brutto, il cattivo»…

Cili nga këta do të jem…? Do mundohem të mos jem i keqi …”

Juliana Pasha:

“Në momentin e parë që m’u propozua për t’iu bashkuar stafit të mrekullueshëm të “X Factor” u ndjeva e nderuar vërtetë që të isha pjesë e tij dhe nuk m’u desh shumë kohë për ta menduar.

E kam ndjekur gjithmonë me shumë vëmendje në vitet e kaluara dhe mendoj se është një nga Talent Show-t më origjinal që unë kam parë. Jam e lumtur që do të jem pjesë e kësaj pune gjigante krah një stafi të mrekullueshëm

dhe jam e bindur se do të kem shumë për të dhënë. Besoj se do të jem e drejtë, e përqendruar mirë për të kuptuar dhe dalluar talentin, e rreptë me atë që ka shumë për të dhënë, por jep shumë pak por mbi të gjitha e sigurt në gjykimin tim.

Do të mundohem të gjej atë që ka Factorin X”,- shprehet Pasha.

Vesa Luma:

“Jam ndier shumë e privilegjuar dhe nderuar të jem anëtare e jurisë në formatin më të njohur televiziv në botë “X FACTOR”. Në fillim mendoja se ndoshta ishte shumë herët për mua të jem ajo që do të gjykoj talentin e dikujt, por kur mendova me thellë,

megjithëse e re në moshë, kam shumë përvojë në skenë duke u vlerësuar fillimisht edhe unë nga një juri profesionale e më pas nga publiku, i cili tash e shumë vite po më mban në skenë. Dhe, tani jam edhe më e lumtur

që Vera dhe Alketa kanë pasur besim tek unë dhe më ka dhënë një punë që shumë këngëtarë të moshës sime ëndërrojnë ta kenë. Pozicioni im mbase është më i vështirë sepse i bashkëndiej emocionet e konkurrentëve,

duke qenë se edhe unë isha në pozitën e tyre para gati 10 viteve, dhe emocionet janë të përziera. Por jam shumë e përgatitur të jap maksimumin për secilin konkurrent dhe do të mundohem të nxjerr në pah X-Factorin e secilit nga ata që do të kenë guximin të paraqiten në audicion”.

Alban Skënderaj:

“X Factor është një fenomen që dashur pa dashur ka rrëmbyer tregun muzikor botëror dhe e ka ndryshuar atë në mënyrë të shpejtë e rrënjësore. Ka shkurtuar rrugët e ka shkuar drejt e për drejt në zemrën e publikut.

Të gjithë e kanë një shans, dhe ato talente që fati nuk u ka buzëqeshur në jetë! A mundesh më shumë se kaq ta përshkruash?! Në radhë të parë unë gëzohem që një format i rëndësishëm si “X Factor” vjen edhe në Shqipëri.

Gëzohem po ashtu që më është ofruar dhe mua të jem pjesë e tij. Unë nuk e shoh veten në shumë formate televizive, por tek ky projekt ndihem rehat dhe i përshtatshëm, sepse është në fushën time,

aq më tepër kur ke të bësh me talente të reja të cilëve pa dallime do t’u jepet e njëjta mundësi për të shprehur veten në muzikë”.

Finalja

Program i X Factor kalon në disa faza. Ajo çfarë po transmetohet aktualisht në televizion është faza e audicioneve. Do të jenë pesë të tilla, në të cilat çdokush ka mundësinë të përballet me jurinë.

Më tej këta konkurrentë, të cilët kanë fituar, që janë plot 150 kalojnë në fazën “Bootcamp”. Gjatë javës së tyre të betejës, vetëm 31 kalojnë në fazën tjetër, që është ajo në vilat e Jurisë.

Prej këtej dalin 16 finalistë, të ndarë në katër kategori: 4 djem, 4 vajza, 4 grupe dhe 4 mbi moshën 23 vjeç. Nata e parë live do të jetë në 25 shkurt dhe do të jenë 16 netë finale,

në një garë të ashpër për të arritur deri javën e fundit të programit që do të vazhdojë deri në mes të muajit qershor. Fituesi i X Factor Albania si në gjithë botën do të përzgjidhet nga votat e publikut.

Ndërsa presim finalet le të shijojmë aventurat që na ofrojnë fazat paraprake!

 Nga Ilda Lumani