Me një personalitet të konsoliduar televiziv ajo tashmë pas katër vitesh prezence është bërë fytyra më e dashur e të dielave pasdite. E thjeshtë dhe e ëmbël, me humor dhe zgjuarsi jo vetëm para telekamerave por edhe në një bisedë të thjeshtë Xhemi flet jo vetëm si moderatore televizive por edhe si një nënë. Një rol që e bën më mirë se ç’e kishte menduar

Ajo është bukuroshja Xhemi Shehu, tashmë jo vajza që dikur e thërrisnim ndryshe Velina e “Fiks Fare” por një nënë. Prezantuesja e “E diell” prej disa vitesh ka formuar personalitetin e saj si një moderatore e sprovuar. Ndihet e lumtur dhe e kënaqur me ato që ka arritur. Përtej së “Diellës” nuk do donte t’i shtonte më ambicieve të saj si moderatore, të paktën për momentin.

Ajo që i ka ndryshuar tërësisht jetën është pikërisht ardhja në jetë e djalit të saj Martinit. Përpos lodhjes dhe vështirësive që i sjell të qenurit nënë, entuziasmi dhe lojërat me vogëlushin e saj sapo kanë filluar. Në këtë intervistë ajo na rrëfen me shumë çiltërsi për këtë marrëdhënie të re në jetën e saj.

Intervista

Xhemi nënë! Ti je “mësuar” me idenë?

Fillova të mësohesha me idenë e të bërit nënë që në javët e para të shtatëzanisë edhe pse ka momente kur shoh Martinin pranë vetes më duket disi e çuditshme dhe e pabesueshme që ai është realisht krijesa ime. Gjithsesi tani jam përballë faktit: e përkëdhelur nga fati si dhe më e lumtur se kurrë më parë !

Si e kishe imagjinuar veten nënë kur ishe në fillimet e tua televizive?

Veten time e kam imagjinuar në këtë rol vetëm vitet e fundit që përkon fill me periudhën mbasi u njoha me Visin. Ishte pikërisht ai raporti i shëndoshë që krijova me të i cili me kalimin e kohës më shtyu vetvetiu që ta projektoja veten në këtë  fazë të re e të rëndësishme të jetës sime! Sa më shume kalonte koha, aq më tepër e kuptoja se asgjë s’do ndryshonte më në jetën time. Rutina e ditës sikur kishte filluar të më mbyste, paradite punë, mbasdite palestër ose ndonjë kafe me miqtë dhe në darkë me Visin. Fillova të mendoj që po kjo situatë do ishte edhe mbas martesës, me ndryshimin e vetëm që s’do flija më tek mami dhe babi, (qesh). Përpos kësaj ndikoi edhe mosha, pasi unë dua t’i shijoj fëmijët e mi teksa rriten, dua të jem e fuqishme për ta dhe pa ndonjë diferencë të ndjeshme brezash. Marrja e këtij vendimi ka qenë absolutisht zgjedhja më e mirë në jetë.

Cila është vështirësia më e madhe që nuk e kishe menduar më parë?

Vështirësitë janë të panumërta, do thoja, ajo që më trembi pak më tepër ishte se erdhën të gjitha njëherësh. Muajt e parë kam patur probleme serioze me gjumin, nuk arrija të flija as dy orë bashkë sepse Martini zgjohej çdo 20 min, kur minimalisht më ishte dashur një orë që ta vija në gjumë. Pa folur pastaj kur ai qante e nuk arrija ta pushoja pavarësisht “teknikave” që kisha mësuar ato ditët e fundit, jo ktheje përmbys nga barku, jo jepi për të pirë, jo këndoji, etj etj… e ai prapë nuk pushonte. Tani nuk dua të frikësoj nënat që janë në pritje të fëmijës së tyre të parë pasi eksperiencat nuk janë kurrë të njëjta. Fëmijët janë të gjithë unikë në llojin e tyre!

Një femër spektakli që është pothuaj gjithë kohës në tv dhe në sytë e publikut sa kohë ka për të qenë dhe një nënë?

Mendoj se ky ndryshim thelbësor që ndodh në jetë, nuk të sheh fort në sy nëse je femër ekrani, ekonomiste apo e një profesioni çfarëdo. Secila punë ka ato specifikat e veta që të do në orar me mendje të kthjellët, fytyrë të shplodhur apo dhe me të dyja si në rastin tim. Kuptohet që nuk jam nënë me kohë të plotë pasi edhe punën nuk mund ta lë pas dore, megjithatë mundohem t’i alternoj më së  miri të dyja. Martini, falë Zotit ka dy gjyshe të mrekullueshme që i falin dashuri pa kushte dhe fatmirësisht janë edhe ndihma më e madhe për mua. Punën e tyre nuk do mund ta bënte kurrë një dado, e cila do kujdesej për të voglin vetëm për hir të shpërblimit monetar.

Si arrin t’i alternosh të dyja?

Sa herë që jam me të mundohem të kompensoj të gjithë kohën e humbur e tani që ai ka filluar të kuptojë çdo ndodhi është edhe më e bukur. Patjetër që bëj çdo gjë nga e cila ai të marrë kënaqësi. Lumturia, gëzimi që ai shfaq me sytë, mimikën e tij mua veç më shtojnë jetën!

Tani Martini po shkon një vjeç. Ka filluar të luajë besoj. Po ti ke filluar të mësosh lojra për të?

Lojrat janë disi primitive ende, (qesh). Shpeshherë me Martinin në krah vrapojmë lehtë nëpër shtëpi dhe është dikush nga mbrapa, si për shembull mami ose Visi që mundohet të na kapë me krahët e zgjatura drejt nesh por që jooo, nuk na kap dot. Këtu shkrihemi me të madhe “ne”. Më vjen mirë që ai të paktën preferon lojra ekonomike e pa shpenzime, (qesh).

Bën edhe ti si disa nëna të reja që lexojnë literaturë për foshnjat?

Të them të drejtën kam marrë goxha informacione gjatë periudhës së shtatëzanisë. Jam informuar gjithnjë nga dy adresa në internet babyzone dhe babycenter që kanë qenë fort të dobishme për mua edhe pse në fund fare, fjala e mjekut Halim Kosovës, të cilit do t’i jem mirënjohëse gjithë jetën, ishte ligj për mua. Tani edhe sikur të dua, nuk kam fort kohë të ulem e të lexoj, thjesht bazohem tek fjalët e mjekut përkatës që ndjek zhvillimin e Martinit.

Çfarë raporti ke me vjehrrën?

Të njëjtat raporte që kam me nënën time, perfekte!

Sa ndryshon vjehrra jote nga ajo “tipikja”?

Atë tipiken, me të dëgjuar e kam, e ajo çka mund të them është se falë Zotit nuk kam probleme të këtij lloji.

Do të dojë që djali të të thërriste “mami” apo Xhemi?

Fjalën ‘mami’ vetëm fëmija ka të drejtën e pamohueshme që ta përdorë e ku ka më bukur se ta dëgjojë Martinin të më thërrasë në këtë mënyrë. Mbase nuk jam edhe aq “moderne” në këtë pikë sa të gëzohem që të më drejtohet në emër.

Fëmija i parë është më tepër një lodhje që të bën të mendosh që nuk do të lind më apo është dhe një kënaqësi që mendon për fëmijën e dytë?

Unë jam rritur vetëm, pa motra dhe vëllezër e nuk do doja kurrë që edhe Martini të kishte të njëjtin fat. Prandaj sado lodhje e vështirësi që mund të has, do doja të isha sërish e bekuar nga fati që të mund t’i falja një motër, por ka ende kohë për këtë prurje të re, (qesh).

Foto të bashkëshortit dhe djalit nuk të pëlqen t’i publikosh. Pse kjo zgjedhje?

Ata nuk kanë zgjedhur të jenë persona publik, janë thjesht familja ime që nuk ka pse të jetë objekt bisedash apo thashethemesh, vetëm sepse unë kam këtë profesion!

Le t’i kthehemi pak televizionit. Do të jetoje dot pa telekamera pas shumë vitesh eksperiencë?

Patjetër që po, madje mendoj që ka ardhur momenti të bëjë një pauzë pa afat! Njeriu në të shumtën e rasteve përshtatet me çdo gjë në jetë e nuk do ishte aspak habi që edhe unë të merrem me diçka krejt ndryshe nga kjo që po bëj nesër apo pasnesër.

Ndihesh më e vlerësuar tashmë që je në krah të një mashkulli dhe jo më të katër vajzave?

Unë ndihem e vlerësuar gjithmonë për atë që bëj dhe partnerët televizivë i kam parë gjithmonë si një skuadër për të arritur qëllimin final. Katër, dy apo një, s’kanë qenë kurrë një problem për t’u diskutuar për mua!

Çfarë mund të bëhet shkak të debatosh më Dudushin pas kuintave?

Ndodh që edhe unë ja drejtoj vetes këtë pyetje shumë shpesh. Me Albanin shkoj shumë mirë në fakt dhe s’besoj se do ketë ndonjëherë arsye për të debatuar. Për më tepër që unë nuk para debatoj me askënd pasi më pëlqen t’i zgjidh gjërat në mënyrë të paqtë!

E rritur profesionalisht çfarë rubrike do të kishe dëshirë të bëje shtesë?

E kam thënë edhe herë të tjera që rubrikat tek “E Diell” mua më duken si programe më vete pak rëndësi ka minutazhi i tyre dhe këtë sezon më dalin e teprojnë ato që më janë besuar!

Ke kaluar shumë faza në tv duke u ngritur gjithnjë si nga ana profesionale ashtu edhe nga roli i cilit të është besuar. Si të bën të ndihesh?

Patjetër që më bën të ndihem e vlerësuar për punën time si dhe e shpërblyer edhe moralisht nga ky institucion!

Çfarë programi do të kishe dëshirë të prezantoje?

Pak a shumë i kam prekur të gjitha gjinitë e programeve ndër vite, si Top Fest, Shtojzovallet, Kjo ishte Loja, Portokalli dhe së fundmi “E Diell” që ka larmishmëri rubrikash apo mini programesh siç e quaj unë.Nga sezoni në sezon dhe realisht nuk mund të them që kam dëshirë të provoj veten në ndonjë x format.

Tashmë je edhe një moderatore. Në këtë rol çfarë të bën të ndihesh në vështirësi?

Edhe ky lloj profesioni ka vështirësitë e veta, siç do lloj profesioni tjetër fundja. Kërkon shumë përgjegjshmëri në ato që thua, bën apo edhe se si ja përcjell publikut. Vështirësitë më të mëdha i has gjithmonë në ato ditët e mia të “këqija”, kur nuk jam në humorin e duhur për arsye të ndryshme. E kuptohet që televizioni nuk të fal në këto raste pasi publiku, i cili gjykon gjatë gjithë kohës nuk duhet të kuptojë asgjë nga ato çka i transmeton.

Sikur të ishe autore e “E diell” çfarë do të ndryshoje apo do të shtoje?

Duhet të ma bëje këtë pyetje për sezonin që lashë pasi në fakti tani “E Diell” është më në formë se asnjëherë, me të gjitha elementet e duhura për ta bërë një ditë të diele sa më të këndshme dhe familjare në sytë e të gjithë publikut që na ndjek.

Paraqitjen e lë në dorë të grimiereve apo je dhe vetë që u jep ide?

Gjithmonë ja besoj paraqitjen time profesionistit, personit të cilit mban përgjegjësi në ato që vesh apo mënyrën se si më grimon. Madje po përfitoj të falënderoj Orindën grimieren time si edhe Elvën që kujdeset për veshjet e mija!

Preferon që jashtë kamerave të veshësh klasiken apo sportiven?

U bënë gati gjashtë vjet që takat e mia po i mbulon pluhuri e i bie të “pastrohen” vetëm në raste të rralla që mund të jenë raste specifike. Ndjehem shumë komode e veshur me rroba të lirshme e aspak të sikletshme.

Cili është sekreti i të qenit në formë fizike?

Ështe thjesht formati HD sekreti i elegancës time pasi siç më sheh, nuk jam edhe aq për t’u patur zili (qesh).

Nga: Arjan Konomi