Rikandidimi është fjala kyçe për partitë që mbajnë kreun e qyteteve të vendit

Nis gara e egër politike për 374 bashkitë e komunat e vendit

Zgjedhjet lokale të 8 majit nuk ofrojnë asnjë të re thelbësore për shqiptarët si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja që ato ofrojnë. Kjo sepse përballja mbetet politike dhe lufta do të jetë më shumë neutralizimi i kundërshtarit sesa paraqitja e platformave për qytetet dhe fshatrat e vendit. Dy koalicionet rivale kanë mbyllur listat e kandidatëve në 374 bashkitë e komunat e Republikës, duke hapur një debat të gjerë në opinionin publik më shumë me emrat dhe problemet që sollën përzgjedhja e tyre, sesa vizioni politik në fushatë. Por thelbi i zgjedhjeve lokale të 8 majit është rikandidimi i thuajse të gjitha krerëve dhe bashkive apo komunave që janë zgjedhur para katër apo më shumë vjetësh. Si Partia Demokratike ashtu edhe Partia Socialiste garojnë me të njëjtët njerëz aty ku kanë pushtetin dhe të rinjtë përbëjnë vetëm aty ku rivalët kandidojnë krerët aktualë. Megjithatë mund të thuhet se edhe kandidatët që garojnë nuk përbëjnë ndonjë të re politike, pasi janë pjesë integrale e politikës qendrore. Madje janë 6 deputetë të Parlamentit shqiptar që kanë lënë mandatet e tyre për të kandiduar si kryebashkiaku, ndërkohë që më pak se 2 vjet më parë kërkuan votat e zgjedhësve për ti përfaqësuar në legjislativin e vendit.

Mazhoranca

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, aktualisht nga qytetet kryesore të vendit drejtojnë bashkitë e Shkodrës, Sarandës, Lushnjës, Lezhës, Laçit, Kukësit, Peshkopisë, Bulqizës dhe disa bashki të nivelit të dytë. Në të gjitha këto bashki mazhoranca rikandidon kryetarët aktualë. Kështu në Shkodër, rikandidon Lorenc Luka, në Lezhë, Viktor Tusha, në Lushnjë Albert Sanxhaku, në Peshkopi, Ilir Krosi, në Bulqizë Roland Keta, në Kukës Hasan Halilaj, në Laç rikandidon Bardhi Ricaj e kështu ndodh edhe në qytete të tjera ku mazhoranca mban drejtimin e pushtetit vendor. Ndërkaq, beteja thelbësore e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në 8 maj është fitorja në Tiranë dhe në qytetet më të mëdha të vendit të cilat aktualisht i mban opozita. Në këto qytete strategjia e mazhorancës ka synuar kandidimin e zyrtarëve të lartë të saj në profilin politik, duke krijuar kështu një mundësi të fortë të një fushate politike dhe jo vendore. Kështu në kryeqytet, Ministri i Brendshëm(i cili dha dorëheqjen), Lulzim Basha, është kandidati i koalicionit të mazhorancës, në Durrës kandidon ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, në Vlorë, deputeti dhe kryetari i Partisë Demokratike, Ardian Kollozi. Ndërsa në Elbasan Partia Demokratike synon të çajë të majtën, duke ofruar ish-deputetin socialist, Durim Hushi, si kandidat për poltronin e parë të qytetit.

Opozita

Socialistët aktualisht kontrollojnë shumicën e qyteteve të mëdha të Republikës dhe në të gjitha këto njësi vendore, opozita rikandidon të gjithë kryebashkiakët aktualë. Kështu në Tiranë garon për mandatin e katërt lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryebashkiaku në fuqi, Edi Rama, në Durrës rikandidon Vangjush Dako, në Elbasan garon për herë të tretë Qazim Sejdini, gjithashtu në Vlorë Shpëtim Gjika kërkon mandatin e tij të tretë. E njëjta panoramë është në Fier dhe Gjirokastër me Baftjar Zeqon dhe Flamur Bimen. Në qytetin e Korçës, socialistët kandidojnë kryebashkiakun Niko Peleshi, i cili është pak më i “freskët” se të tjerët pasi është në kërkim të mandatit të tij të dytë. Risia opozitare duket vetëm në qytetet ku ajo nuk e ka pushtetin por gjithsesi nuk është risi në nivelin absolut të fjalës. Kështu në Lezhë, PS kandidon deputetin aktual Gjok Jaku, i cili ka qenë kryetar i bashkisë së Lezhës në një mandat. Në Sarandë kandidon për kreun e bashkisë ish-Ministri i Brendshëm dhe ish-deputeti Stefan Çipa.

Organizimi i Zgjedhjeve

Opozita e ka nisur fushatën elektorale edhe pse jo zyrtarisht me akuzat e përditshme për manipulimin me listat e zgjedhësve dhe akuzat ndaj KQZ-së. Ndërsa mazhoranca i ka mohuar akuzat, duke e quajtur opozitën përgjegjëse për bojkotimin e KQZ-së. Në fund të muajit që lamë pas, me negocimin e Bashkimit Europian është mbledhur tryeza e partive parlamentare si përpjekje për arritjen e një pakti parazgjedhor, por që nuk ka pasur rezultat konkret.
Kryetari i Grupit parlamentar Astrit Patozi propozoi nje draft marrëveshje me 16 pika e cila mbështetet në të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe ftoi partitë parlamentare, të pranishme në tryezë, PS, LSI, PBDNJ, PDIU dhe PR ta firmosin. Zoti Astrit Patozi shtoi se mbetet e hapur për sugjerime dhe plotësime. Nga ana e tij kreu i grupit PS-së Gramoz Ruçi tha se ishte dakord me marrëveshjen por duheshin përfshirë dhe 8 kushtet e tyre, ndër të cilat dhe transparenca postelektorale, transparence të listave të zgjedhësve dhe anulimi i vendimeve të KQZ që janë miratuar me shumicë të thjeshtë dhe që kërkojnë shumicë të cilësuar. Tryeza është shoqëruar me replika mes Patozit dhe Rucit sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Sipas Patozit: PS kërkon të bëhen ndryshime në Kod, të cilat tani janë tepër vonë dhe do sillnin vetëm dëmtime të procesit zgjedhor, ndërsa Ruci nënvizoi se PS kërkon ndryshimin në Kod vetëm sa i përket procesit të transparencës postelektorale, ndërsa 7 kushtet e tjera, kërkohet vetëm zbatimi i saktë i Kodit Zgjedhor. Kryetari i Grupit parlamentar Astrit Patozi propozoi një draft marrëveshje ku shprehen në mënyrë të përmbledhur angazhimet e partive për zgjedhje të lira e të ndershme.

Patozi ftoi partitë parlamentare, të pranishme në tryezë, PS, LSI, PBDNJ, PDIU dhe PR të firmosin draft marrëveshjen me 16 pika e cila mbështetet në të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR ndërsa mbetet e hapur për sugjerime dhe plotësime. Ndër 16 pikat e marrëveshjes përmendet që partitë duhet të garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, do zbatojnë rekomandimet e OSBE/ ODIHR si dhe angazhohen të përmbushim me përpikmëri për të kontribuar një fushatë të qetë dhe etikë qytetare. Gjithashtu draft marrëveshja parashikon që “partitë do shmangin ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve dhe punonjësve adminsitratës. Sa i përket procesit zgjedhor, partitë duhet të angazhohen të paraqesin në kohë anëtarët e numërimit të tyre dhe të mos kenë qenë të penalizuar në proceset e mëparshme. Anëtarët e komisioneve duhet të qëndrojnë në detyrë deri në përfundim të procesit si dhe në asnjë rast partitë “nuk do udhëzojnë që të largohen komisionerët nga detyra me vulën përkatëse apo material tjetër zgjedhor që do dëmtonte procesin”( thuhet në pikën 11)

Më pas në pikën 12 thuhet se partitë nuk do ndërrojnë anëtarët e komisionit dhe të grupeve të numërimit. Si dhe do marrin masat për sigurimin e materialeve zgjedhore para hapjes së qendrave të votimit si dhe dorëzimin e tyre të plotë në nivelet më të larta (pika 13). Pikat 14, 15, dhe 16 kanë të bëjmë me angazhimin për pengimin e tentativave të votimit familjar, marrjen e masave për të bashkëpunuar me KQZ për çdo kuti dhe numërimin e votave si dhe angazhimin për transparencë të plotë , dhe të lejojnë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas të jenë të lirë të vëzhgojnë ( pika e 16). Kreu i grupit të PS-së tha se tryeza ishte e vonuar megjithatë PS i ishte përgjigjur pozitivisht tryezës dhe se shprehte vullnetin e qartë politik institucional të PS-së si subjekt zgjedhor dhe pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” për të marrë pjesë në një garë elektorale që duhet të ketë në themel të saj barazinë e palëve në proces; ku konsiderohet e shenjtë vota e çdo shtetasi, të garantohet vota e lirë e fshehtë dhe e barabartë duke filluar nga lista zgjedhore për të vazhduar në procesin e votimit, të numërimit dhe për të vazhduar në atë të vlerësimit e gjykimit të tyre.” “Ne e konsiderojmë të vonuar këtë tryezë, pasi do duhej shumë kohë më parë, për ti paraprirë këtij procesi zgjedhor e megjithatë ”më mirë vonë se kurrë”- tha Ruçi duke shtuar se “Urojmë dhe besojmë që kjo ftesë të jetë e sinqertë dhe ti shërbejë realisht vendosjes së kushteve për garancitë ligjore kushtetuese për një proces zgjedhor të drejtë” . Ruci tha se “Kërkojmë nga maxhoranca hapa realë dhe vullnet të mirë dhe propozim konkret që ne të nënshkruajmë marrëveshje,

Do ishte në seriozitet që ky draft të na ishte dhënë me kohë që të kishim mundësi të shprehemi për 16 pikat që janë” .
Ruçi kërkoi gjithashtu dhe KQZ të revokojmë vendimet e jashtëligjshme që ka marrë, ky institucion si dhe kthimin e vendimeve që kërkojnë shumicën e cilësuar, “të cilat nuk kane te bëjnë me ndryshimin e kodit zgjedhor por me zbatimin e tij”- nënvizoi ai.
OSBE
Ambasadori i OSBE-së, Eugen VVollfarth deklaroi se tryeza e mbledhur nga partitë politike për zgjedhjet e 8 majit është pika më e rëndësishme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, pasi kjo shpreh vullnetin e mirë mes partive. I pranishem në tryezën e partive ai u shpreh se vullneti i mirë për t`u mbledhur në këtë tryezë nuk është faza përfundimtare, por pika kyçe mbetet konkurenca e drejtë mes partive politike në zgjedhjet vendore të 8 Majit. “Vihet re një vullnet i mirë që rritet nga partitë politike. Të qënit të pranishëm këtu nëse do pranonit shprehjen e vullnetit të mirë, do ishte plotësisht nën rekomandimet e OSBE-ODIHR, gjithashtu, por vetëm vullneti i mirë gjithashtu nuk është faza përfundimtare e zgjedhjeve. Një konkurrencë e drejtë është pika ku duhet të fillojmë”. Ambasadori i OSBE theksoi se në tryezën e sotme u vunë re shumë probleme që i takojnë zgjedhjeve të kaluara, duke këshilluar që këto probleme të zgjidhen në kohën e duhur. “Por, gjithashtu shoh këtu që këtu adresohen probleme që kanë lidhje me të kaluarën dhe këto të shqyrtohen dhe me to të merremi në kohën e duhur. Ju takon juve të bëni se çfarë duhet bërë deri para 8 Majit, dhe gjëja me rë rëndësishme që unë pres dhe do ndodhë besoj, është një reformë për kodin zgjedhor dhe unë besoj se do ndodhë”. VVollfarth këshilloi që termi mosndëshkueshmëria, që në zgjedhjet e kaluara janë përdorur së tepërmi, në të ardhmen të minimizohet dhe përdoren sa më pak, kjo fjalë. Ambasadori apeloi që tryeza të kurorëzohet me firmosjen e një dokumenti që do tu shërbente shqiptarëve. Ndërkaq, më 29 mars, OSBE/ODIHR ka hapur zyrtarisht misionin e vëzhgimit dhe monitorimit të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Procesi i vëzhgimi do të udhëhiqet nga 15 ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të qëndrojnë në Tiranë dhe 24 vëzhgues me kohë të gjatë të cilët do të lëvizin në të gjithë territorin e Shqipërisë. OSBE/ODIHR gjithashtu do të kërkojë 400 vëzhgues të tjerë, afatshkurtër të cilët do të monitorojnë ditën e votimit dhe procesin e numërimit të votave. Misioni i OSBE/ODIHR-it do të udhëhiqet nga Jonathan Stonestreet. Kreu i misionit, amerikani Stonestreet, tha se përfaqësues të misionit do të zhvillojnë takime me përfaqësues të pushtetit vendor e qendror. “Elementi kryesor i punës sonë është paanshmëria” tha kreu i misionit, duke shtuar se “ne nuk kemi asnjë preferencë për grupime politike të caktuara, por jemi të interesuar për rezultate të bazuara në një proces të ndershëm”, tha ai. Ky mision do të vlerësojë zgjedhjet lokale bashkë me angazhimin e OSBE-së. Vëzhguesit do të ndjekin fushatën elektorale, punën e administrimit të zgjedhjeve, zbatimin e ligjit zgjedhor dhe sjelljen e mediave. Vëzhguesit afatshkurtër do të monitorojnë hapjen e qendrave të votimit, procesin e votimit, numërimin e votave dhe tabelat e rezultateve. Në përfundim të zgjedhjeve, ODIHR-it do të prezantojë një raport paraprak në një konferencë për shtyp. Ndërsa raporti final do të publikohet tetë javë pas përfundimit të procesit zgjedhor.