Kronologjia e një fushatë të acaruar dhe raportet e ndërkombëtarëve
Shqiptarët sërish para kutive,por ende nuk ka një garanci për qetësi pas tyre

Të dielën e parë të këtij muaji, pikërisht më 8 maj, shqiptarët kanë dhënë votën e tyre për të zgjedhur krerët e rinj të bashkive dhe komunave, ndërsa vendi ka kryer një proces vital dhe fatal për të ardhmen e tij evropiane. Ndërsa muajin e ardhshëm në faqet e revistës “Shqip” do të shkruhet për komentet dhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve, ne po pasqyrojmë rëndësinë dhe përgatitjet e zgjedhjeve vendore, bashkë me komentet kyçe të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Atmosfera
Zgjedhjet lokale të 8 majit u pararendën nga një fushatë agresive që pati si rezultat tensionimin e atmosferës, duke polarizuar skajshëm votuesit. Që prej ditës së parë të nisjes së fushatës pra më 8 prill ka pasur thuajse çdo ditë përplasje dhe incidentet nga grisja e flamurëve deri tek sulmi fizik me armë dhe lëndë palësesë. Incidentet e ndryshme elektorale, të regjistruara nga policia në të gjithë vendin, kanë të bëjnë me raste që nga konfliktet banale, deri te atentatet për kërcënime serioze për jetën, ose për eliminime fizike.
Megjithatë, sipas shifrave të regjistruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, pa incidentet e djeshme, ishin shënuar 23 të tilla në të gjithë , të cilat më të përqendruara kanë qenë në Tiranë. Ato kanë nisur para se të fillonte fushata elektorale zyrtarisht, duke shënuar rastin e parë në Laprakë, kur disa militantë të PS-së u zunë me militantët e LSI-së për “tradhti” në politikë. Nga ky incident mbeten të plagosur me thika dy persona, por kjo ngjarje cilësohet si e dokumentuar nga policia, pasi u arrestuan dy të dyshuarit e saj.
Por pak ditë më vonë, një incident tjetër u shënua në Dibër. Pikërisht më 26 mars 2011, ndodhi një përplasje në Komunën Kala e Dodës në Dibër. Ndonëse u cilësua si përplasje për parakalim makine, kandidati i PS, Bajram Himallari, akuzoi rivalin e tij të PD-së, Bujar Mahmutaj, se nxori armën nga brezi. Vetë Himallarai reagoi me armë, prej së cilës u shkreh një plumb në tokë. Edhe kjo ngjarje cilësohet e dokumentuar. Incidentet u kthyen sërish në Tiranë, ku një prej tyre ishte ai i përplasjes së një biznesmeni në Dajt me mbështetësit e Besim Kukës, kandidat i PD-së për komunën e kësaj zone. Veç këtyre konflikteve, ato shpërthyen më shumë pas hapjes zyrtare të fushatës. Mes këtyre ngjarjeve, vëmendja u përqendrua më shumë në Tiranë. Megjithatë, policia deklaroi zyrtarisht se vetëm 20 për qind e këtyre incidenteve kanë mbetur pa zbardhur. Por, ngjarjet e pazbardhura janë pikërisht incidentet më të rënda. Një prej tyre është ai i atentatit më 4 prill. Ish-deputeti Ardit Kaja, aktualisht kryeinspektor i ndërtimores në Bashkinë e Tiranës, u qëllua me silenciator, kur po shkonte në vendin e punës.

Vëzhguesit
Misioni Vëzhgues i OSBE-ODIHR-it ka publikuar dy raporte të ndërmjetme gjatë fushatës zgjedhore, duke nënvizuar në mënyrë të qartë problemet dhe incidentet e ndodhura.
Raporti 1
Më 15 prill, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it ka publikuar raportin e parë të ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 8 majit. Në dokumentin prej 8 faqesh dhuna në fushatë dhe problemet ligjore përbënin shqetësimet kryesore. Në raportin e misionit afatgjatë të Zyrës së OSBE-së për të Drejta të Njeriut dhe Institucione Demokratike theksohet se, “dy kandidatë u qëlluan dhe u plagosën më 1 prill në Tiranë dhe 2 prill në Lezhë. Sipas policisë, plagosja në Tiranë u bë për motive politike, ndërsa rasti në Lezhë nuk kishte lidhje me politikën. Më 4 prill, kryetari i Zyrës së Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës u qëllua dhe u plagos. Një ditë më parë ai kishte urdhëruar heqjen e flamujve politikë të vendosur në vende të paautorizuara. Hetimi nga ana e policisë vazhdon ende. Vendosja e të fushatës, si flamuj dhe banderola, ka çuar gjithashtu në grindje në disa raste”. Në raportin e ndërmjetëm theksohet se, “Ndërsa periudha zyrtare 30-ditore për fushatën filloi më 8 prill, partitë kishin filluar me kohë të promovonin veten në mënyrë aktive para asaj date.
Drejtuesit e partive organizuan mitingje me votuesit dhe prezantuan kandidatët vendorë. Kryeministri bëri një numër inaugurimesh zyrtare, përfshi projekte infrastrukture dhe ndërtesa të reja shkollash. Një reklamë televizive e OJF-së ‘Zgjohu’, para periudhës zyrtare të fushatës, sulmoi regjistrimin e liderit të PS-së, që është kandidati në detyrë si kryetar i Bashkisë së Tiranës. PS-ja ka kërkuar një hetim me pretendimin se spoti u financua me fonde publike.
Që nga 8 prilli, intensiteti i aktiviteteve të fushatës është rritur. Problemet e fushatës përfshijnë zhvillimet në infrastrukture, cilësi të shërbimeve që ofron bashkia dhe zgjidhje të papunësisë. Sulmet e ashpra personale kanë vazhduar të karakterizojnë fushatën, me akuza për korrupsion nga të dyja anët. Të dyja palët, si PD-ja, edhe PS-ja i kanë kushtuar vëmendje të madhe garës për kryetar bashkie në Tiranë”.
Në tetor dhe nëntor 2010 u gjetën 39 000 dokumente me mundësi dublimi në regjistrin civil, që u korrespondonin rreth 19 000 qytetarëve. Pasi u bënë verifikimet nga zyrat e gjendjes civile, numri i dokumenteve me dublime të mundshme ra në 1 600. LPV-ja u afishua për t’u kontrolluar nga publiku në tetor 2010, dhe partitë politike morën kopje elektronike të LPV-së. Menjëherë pas kësaj, PS-ja shprehu shqetësimin se votuesit po shtoheshin në mënyrë të paligjshme në regjistrat e gjendjes civile në disa prej NJQV-ve, përfshi njësitë bashkiake që kontrollohen nga PD-ja dhe LSI-ja në Tiranë, me qëllim që të ndryshojnë ekuilibrin politik të pushtetit në këto zona. PS-ja kërkoi që përditësimet e rregullta të LPV-së për reflektimin e ndryshimeve të vazhdueshme në statusin e regjistrimit të votuesve, t’u vihen atyre në dispozicion. Kjo u kundërshtua nga Ministria e Brendshme, që tha se Kodi Zgjedhor u siguron partive vetëm të marrin Listat Përfundimtare të Votuesve (LPV-të). Ministria e Brendshme dha informacion publik më 9 prill se, Lista Përfundimtare e Votuesve për zgjedhjet vendore të 2011-s përmban 3 164 859 votues, rreth 23 200 më pak se Listat Paraprake të Votuesve (LPV-të).

Kodi zgjedhor
Kodi Zgjedhor përmban boshllëqe dhe paqartësi në lidhje me zgjedhjet vendore, ndërsa KQZ-ja mbulohet nga kritika për funksionimin e saj nga palët ndërkombëtare. Ky ka qenë vlerësimi që OSBE/ODIHR ka publikuar në raportin para zgjedhjeve të 8 majit, duke përfshirë kuadrin ligjor, sistemin zgjedhor dhe administrimin e zgjedhjeve. “Kodi Zgjedhor ka një numër boshllëqesh dhe paqartësish në lidhje me zgjedhjet për qeverisjen vendore”, citohet në raportin e ODIHR-it. Ky shpjegim i faktorit ndërkombëtar, i specializuar në fushën e zgjedhjeve, është ilustruar edhe me shembuj. Pikat ku konstatohet kjo kritikë e ODIHR-it për Kodin aktual Zgjedhor është se ky kod nuk shprehet qartë nëse ka një prag minimal në lidhje me përfaqësimin në këshillat vendorë, dispozitat për financimin e fushatës me fonde publike nuk gjejnë zbatim të plotë për zgjedhjet vendore, dhe nuk ka dispozitë lidhur me regjistrimin e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, pasi ligji nuk specifikon një organ kompetent për administrimin e zgjedhjeve. Duke iu referuar Tiranës dhe 11 njësive të saj bashkiake, edhe më 8 maj këshilltarët do të zgjidhen sipas sistemit proporcional, ndërkohë që kryetarët e bashkisë do të zgjidhen sipas sistemit mazhoritar. Kodi Zgjedhor përcakton një prag tre dhe pesë për qind për partitë e koalicionit, që respektivisht kanë të drejtën e ligjshme të marrin pjesë në ndarjen e mandateve në një zonë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.

Raporti 2
Raporti i dytë i misionit afatgjatë vëzhgues të OSBE-ODIHR-it e ka renditur problemin e listave zgjedhore, si një nga mangësitë kryesore, kur duhen vetëm nëntë ditë që shqiptarët të votojnë për të zgjedhur drejtuesit e tyre vendorë. Në raportin e dytë të ndërmjetëm, megjithëse me një gjuhë teknike dhe specifike, misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it bën të ditur se rreth 40 për qind e listave në të gjithë republikën nuk korrespondojnë me kodin e tyre të banesës.
Afërsisht 40 për qind e votuesve në LPV në rang republike nuk e kanë kodin specifik të vendbanimit, kryesisht emigrantët ose qytetarët pa adresë të regjistruar. Ky numër varion në vend, por është më i lartë në qytetin e Vlorës (54%) dhe Durrësit (51%)”. Kështu shkruhet konkretisht në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, dhe më tej shtohet se kjo çështje vijon që prej zgjedhjeve të kaluara, të cilat janë certifikuar me probleme dhe që nuk kanë arritur standardet ndërkombëtare.
Ky konkluzion i ekspertëve që janë caktuar të monitorojnë fushatën e zgjedhjeve të 8 majit, jep edhe një argument shtesë që votimet do të kenë probleme. Janë sërish listat një “nyje gordiane”, të cilat nuk arrihet dot të zgjidhet para zgjedhjeve. Thelbi i problemit me listat është ekzistenca e të ashtuquajturve “zgjedhës fantazmë”, të cilët janë në lista, por nuk rezultojnë banorë me adresë të saktë, gjë që krijon dyshimin e justifikueshëm për ekzistencën e gabuar të tyre si zgjedhës në njësinë zgjedhore, ku ata nuk banojnë. Një çështje e hapur nga një investigim në tri njësi zgjedhore ku verifikoheshin rreth 15 mijë votues pa kod banese.
Në kapitullin e raportit të ODIHR-it në lidhje me listat theksohet se shumica e KZAZ-ve i morën Listat Përfundimtare të Votuesve sipas afatit të përcaktuar më 8 prill. Zyrat e Gjendjes Civile dhe kryetarët e bashkive dhe komunave nuk kanë ndjekur gjithmonë procedura uniforme të printimit, firmosjes dhe dorëzimit të Listave Përfundimtare të Votuesve pranë KZAZ-ve. Ndonëse Ministria e Brendshme i udhëzoi Zyrat e Gjendjes Civile të printonin listat dhe kopjet e tyre më 5 prill, disa zyra të gjendjes civile i printuan ato më parë.
Kjo shkaktoi disa mospërputhje të vogla në numrin e përgjithshëm të votuesve në listat përfundimtare të votuesve, që ka përdorur KQZ-ja dhe numrit të votuesve të deklaruar nga Ministria e Brendshme më 9 prill (bazuar në Bazën e të Dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile), me një ndryshim prej 1,287 votuesish. Në një seancë të KQZ-së më 17 prill, Drejtoria Juridike e KQZ-së deklaroi se KQZ-ja përdor listat përfundimtare që ka marrë nga KZAZ-të, të firmosura nga kryetarët e bashkive dhe komunave dhe theksoi se të dhënat janë të sakta dhe të besueshme.

I. ALEANCA PER QYTETARIN

1 Aleanca Demokratike AD Neritan Ceka
2 Aleanca Europiane Ekologjike AEE Sazan Guri
3 Bashkimi Liberal Demokrat BLD Arjan Starova
4 Lëvizja Socialise për Integrim LSI Ilir Meta
5 Lidhja Demokristiane Shqiptare LDK Nikoll Lesi
6 Partia Agrare Ambjentaliste PAA Lufter Xhuveli
7 Partia Aleanca Demokristiane ADK Zef Bushati
8 Partia Aleanca e Maqedonasve AMIE Emond Themelko
9 Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet ADS Gaqo Apostoli
10 Partia Aleanca Popullore PAP Fatjon Softa
11 Partia Balli Kombëtar PBK Adriatik Alimadhi
12 Partia Balli Kombëtar Demokrat PBKD Artur Roshi
13 Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar PBD Ylber Valteri
14 Partia Demokracia e Re Europiane PDRE Koci Tahiri
15 Partia Demokratike PD Sali Berisha
16 Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet PDIU Shpetim Idrizi
17 Partia e të Drejtave të Mohuara e Re PDM e Re Fatmir Hoxha
18 Partia Konservatore PKONS Armando Ruco
19 Partia Lëvizja e Legalitetit PLL Ekrem Spahiu
20 Partia Ora e Shqiperisë POSH Zef Shtjefni
21 Partia Personat me Aftësi të Kufizuar PPAK Afrim Jeshili
22 Partia Republikane Shqiptare PR Fatmir Mediu

II. ALEANCA PER TE ARDHMEN

1 Partia Aleanca Arbnore Kombëtare AAK Gjet Ndoj
2 Partia Ardhmëria Shqiptare PASH Emin Subashi
3 Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve PBPPSH Selami Jenishehri
4 Partia Bashkimi Rebublikan Shqiptar PBR Zane Llazi
5 Partia Demokracia Sociale PDS Paskal Milo
6 Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet PDIP Halim Seitaj
7 Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman PDBMSH Sabri Jacaj
8 Partia Demokristiane e Shqiperisë PDK Nard Ndoka
9 Partia e Gjelbër PGJ Edlir Petanaj
10 Partia e Pajtimit Kombëtar PPK Spartak Dobi
11 Partia e Punës e Shqiperisë e Riorganizuar PPSHR Marko Dajti
12 Partia e Unitetit Kombëtar PUK Idajet Beqiri
13 Partia G99 Ervin Mete
14 Partia Ligj dhe Drejtësi PLiDr Spartak Ngjela