Zorba, cilësuar si vepra më e rëndësishme e baletit grek që diskutohet gjerësisht në botë, ka korrur sukses edhe në Tiranë, me vënien e saj të parë në skenë. Baleti me muzikë të Mikis Theodorakis, trajtua

r sipas romanit me të njëjtin titull të Nikolais Kazantzakis, erdhi në koreografinë e Arjan Sukniqit dhe interpretimin e dy balerinëve të taetrit grek, Altin Koruti dhe Bledi Latifi.

Nga Neritana Kraja

Një skenë me shumë energji dhe kërcim, skenografi e gjallë që na fut menjëherë në atmosferën e fshatrave grek, ku stili mesdhetar i arkitekturës dhe kostumet karakteristike të këtij vendi, ndërthuren me muzikën e mrekullueshme të Mikis Theodoraksit, ritmet e pakrahasueshme të sirtakit dhe tingujt e patjetërsueshëm të buzukut. Shumë balerinë dhe koristë, janë plot 200 artistë të përfshirë në këtë vepër kontemporane që ka pasur sukses në skenat e gjithë botës dhe që për herë të parë erdhi për publikun shqiptar me korografi të Arjan Sukniqit. Një stil koreograf që i përshtatet veprës, me një natyrë shumë më të ndryshme nga balete të tjera.

Eksitim dhe entuziazëm në mes të spektatorit, kjo do të thotë që publiku e do këtë lloj të argëtimit. Zorba është  baletit i aksionit, i veprimit, por vetëm në gjysmën e tij. Nis me një histori të fortë pasioni, që shpreh lirinë dhe gëzimin e jetës, për të mbërritur siç ndodh shpesh, në një metaforë, në një këmbim simbolik të asaj vetë. Detyrë e vështirë për koreografin Arjan Sukniqi, për të këmbyer lëvizjet e valleve, nga pantonima e vjetër e kërcimit, në një kërcim që tregon aksion, sipas romanit të Nikos Kazantzakis, që sikundër të gjithë e dimë, në 1965, i dha shansin prodhimit të një filmi me fat që mban të njëjtin titull të regjisorit Michael Cacoyannis (interpretuar nga të paharrueshmit Anthony Quinn, Irene Papas, Lila Kedrov Alan Bates).

Ndërsa sheh shfaqjen e madhe gati- gati të krijohet bindja se është mëkat i madh që ti, sikundër Zorba, nuk di të kërcesh sirtaki. “Kush nuk di sirtaki, nuk kupton nga jeta”, filozofon Zorba. Zorba përfaqëson kurajon sublime, duke udhëhequr vallen, sikundër mësuesi i transmeton dijet nxënësve të tij, përmes kërcimit, Zorba jep mesazhin e jetës në bashkësi, të paqes, të gëzimit dhe dashurisë. Ai është lajmëtari i një rendi të ri. Tek ai spikat koncepti dionisian, i dehjes nga kërcimi, i sensit të lirisë që gjenden në lëvizje. Për më tepër kërcimi nuk është gjë tjetër vetëm se një formë e ekzistencës. Njerëz si Zorba, nuk gjejnë në kërcim vetëm një formë komunikmi, por edhe miq, vëllezër, transmetojnë mesazheve nga njërit-jetri përmes dorës që hidhet në bel, rreshtuar në bllok, ose në një varg të gjatë: mesazhin e dhimbjes përmes të cilit kalon gëzimi, (sikundër në të famshmen poemë shileriane, përdorur nga Bethoven në Simfoninë e Nëntë të tij).

Tani publiku, i nxitur nga ritmi i jashtëzakonshëm i sirtakit, nën tingujt joshëse të buzukut (instrument tipik grek) jep duatrokitjen e tij. E gjithë shfaqja shndërrohet në një festë.

Kërcim i lirisë

Ngjarjet e baletit “Zorba” zhvillohen në ishullin e Kretës. Kreta është zona me zakonet dhe traditat më të forta në Greqi. Personazhi kryesor i baletit, Zorba, është një fshatar i pashkolluar, por me një inteligjencë natyrore të lindur, i cili me mençurinë e tij karakterizon një nga heronjtë popullorë të Greqisë. Zorba e quan jetën dhuratë nga Perëndia dhe në sajë të mençurisë së tij kërkon që këtë jetë ta shfrytëzojë në të gjitha mënyrat, duke shpalosur një prakticizëm perfekt dhe duke gjetur zgjidhje në favor të tij për çdo situatë të jetës që i krijohet. Rastësisht ai takohet në ishullin e Kretës me Xhonin, i cili është një intelektual i shkolluar në Perëndim, ku e ka të pamundur që të përshtatet me ambientin që gjen në Kretë. Takimi i tyre i rastësishëm krijon një lidhje të gjatë, ku të dy personazhet shpalosin karakterin e tyre. Njëri është pragmatist, kurse Zorba mbetet një prakticist i thekur. Ndonëse ato krijojnë një lidhje biznesi së bashku, edhe pse dështojnë në biznes, Xhoni që ka investuar për këtë biznes nuk e quan humbje, por e quan fitore të madhe, sepse e njohu me Zorbën, i cili u përpoq ta përshtaste Xhonin me ambientin e egër të Kretës. Gradualisht ata eksplorojnë të gjithë vendin dhe përballen me situata të cilat zhvillojnë subjektin e shfaqjes. Xhoni rastësisht bie në dashuri me njërën nga vajzat e fshatit, me Marinën, por kjo dashuri nuk shihet me sy të mirë nga fshati, pasi në ligjet vendore nuk lejohet që vajzat e fshatit të lidhen me njerëz të huaj dhe aq më tepër që Marina pëlqehet edhe nga Maloniosi, i cili është i pari i fshatit. Ky i fundit përpiqet të bindë të tërë fshatin që kjo dashuri është e papranueshme për zakonet e vendit, duke u munduar gjithmonë që ta pengojë këtë dashuri të sapolindur. Ndërkohë, në tavernën e fshatit gjendet edhe një zonjë, Madamë Ortanca, e cila prej shumë vitesh ka hapur një tavernë. Këtu njihet Zorba me Madamë Ortancën. Megjithëse të dy në moshë të madhe, shkëndija e dashurisë që lind është e fortë. Madje ata vendosin të martohen. Zorba, pasi vjen nga një udhëtim i largët disaditor, sjell dhurata për të gjithë fshatin dhe në veçanti për Madamë Ortancën, së cilës i sjell dekorin e një dasme madhështore. Ndërkohë, me Marinën kanë filluar problemet e mëdha në fshat, pasi Malionisi ka ngritur të gjithë fshatin në këmbë duke kundërshtuar dashurinë e saj me Xhonin. Fshati merr vendimin që kjo duhet të vdesë. Dhe pikërisht gjendet momenti kur këta janë bashkë, dhe fshati në mënyrë të dhunshme i merr jetën Marinës. Një tragjedi nën diell ndodh në Kretën e bukur greke. Dëshpërimi i Xhonit është i pamat dhe Zorba mundohet ta qetësojë, duke i dhënë shpresë për të ardhmen. Është Zorba që e fton në një kërcim çlirues Xhonin, duke qenë i bindur se jeta vazhdon dhe duhet jetuar.

Ndërkohë, nga kjo situatë që i ndodhi Xhonit, Zorbës i fanitet në ëndërrimet e tij sikur edhe dashurisë së tij vdekja kërkon t’ia marrë Ortancën. Ndërkohë që pikëllimi kalon te Zorba, Xhoni optimist tashmë shprehet se jeta vazhdon dhe duhet shijuar. Kësaj here  është Xhoni që i kujton mësuesit  mësimet që kishte marrë prej tij, e fton në të njëjtin kërcim, të rikthehet në jetë. Energjia dhe filozofia e kërcimit të Zorbës dhe të Xhonit mbërthen edhe njerëzit e tjerë, që u bashkohen atyre në festimin e miqësisë dhe të çlirimit duke fshirë dramën që i kishte përfshirë.

Personazhet

Personazhi i Zorbës interpretohet nga balerini Altin Koruti. Balerin në teatrin e Athinës, ai ka ardhur posaqërisht për këtë shfaqje, duke provuar emocionin që të fal publiku shqiptar. E ka kërcyer Zorbën me dhjetëra herë për publikun grek dhe publikun e huaj gjatë turneve të ndryshme, por se kërcimi i Zorbës në skenën e vendit të tij ishte i një emocioni të veçantë.

Gjuha e ndryshme e kërcimit që është përdorur, e ka përcaktuar më së miri personazhin e Zorbas, e ka nënvizuar atë me një qartësi të madhe. Zorba nuk është cigan, nuk është as fshatar, ai është një njeri i lirë që nuk i përket askujt dhe që pati fati të kishte fëtyrën, vrullin, ngarkesën dhe portretin vital të balerinit Altin Koruti. Prej këtij balerini Zorba erdhi si një figurë e gdhendur në dru, pikëzuar mrekullisht nga tone epike-lirike. “Edhe pse e kisha interpretuar më parë “Zorbën”, si në Athinë, ashtu edhe në teatro në vende të ndryshme të botës, mendoja se si do të më priste publiku pas 18 vitesh, si do ta priste këtë premierë e cila është ndryshe nga baletet e zakonshëm që vihen në skenë. Por gjithçka kaloi shumë mirë. Publiku na duartrokiti pafund. Na ka ndodhur në Turqi që na kanë kthyer gjashtë herë në skenë. E njëjta gjë ndodhi edhe në premierën e Tiranës. Megjithëse ndihesha i lodhur, publiku më jepte forcë që të interpretoja dhe t’i kthehesha së njëjtës pjesë për kënaqësinë e tyre. Ishte siç e kisha menduar: një sukses i madh”, tregon mes emocionesh balerini, i cili interpreton pikërisht rolin e Zorbës.

Tjetër i ftuar në shfaqje nga Greqia, ishte balerini shqiptar Bledi Latifi në rolin e Xhonit. Edhe Latifi vjen pas një eksperience të madhe në skenën greke, ku duhet thënë se balerinët shqiptarë ia kanë dalë të jenë të sukseshëm. Ftesa e koreografit Arjan Sukniqi, i ka sjellë dy balerinët shqiptar nga skena e Athinës në atë të Tiranës, mbase jo vetëm pse ka besuar në talentin e tyre, por edhe pse ato njohin më mirë se askush tjetër shpirtin grek të Zobës, të cilin ia përcollën bukur publikut shqiptar.

Në role të tjera kryesore interpretuan, Jonida Onuzi, Elona Nallbani, Erisa Gina, Dion Gjinika e Odeta Dishnica. Një e ftuar e veçantë për këtë premierë në TKOB ishte këngëtarja Manjola Nallbani.

Arjan Sukniqi: “Ky është një balet filozofik, ku në temën e saj është i ndërthurur një antagonizëm mes dy mentaliteteve. Dy mentalitete, që nisen nga një pikënisje, që do të thotë që kjo ka lidhje me jetën, më mënyrën se si e shikojmë jetën, se si e përballojmë atë. Në fund  është ideja se kush e shijoi më shumë këtë jetë, ky që e pa me syrin pragmatist apo ky që e pa me syrin praktik. Zorba për mua është një hero i mentalitetit real ballkanik, dhe është një personazh, në të gjithë mënyrat që mund të zhvillohet shoqëria, ai mund të ishte një shqiptar, një grek, turk etj”.

Mikis Theodorakis (1925) është kompozitor grek, mjaft i famshëm në jetën e vendit të tij. Sidomos është i njohur për kompozimet e këngëve dhe kolonën zanore në filmat “Zorba” 1964 dhe “Serpiko” 1973. Ka kompozuar më shumë se 100 këngë, vepra simfonike, balete, opera, muzikë për teatër, film, kompozime moderne, etj. Njihet edhe për kontributet e tij në politikë.

Muzika e “Zorbës” kompozuar nga Mikis Theodorakis u bë një hit ndërkombëtar dhe mbetet një simbol popullor i Greqisë, pavarësisht se ngjarjet vendosen në Kretë. Pjesa muzikore është një përzierje e këndshme e temës kryesore Zorba, me muzikë tjetër greke, që e bën dy herë më të pëlqyer.