Ekonomia shqiptare shënoi në 2017- dy ritmet më të larta të rritjes në një dekadë, e ndihmuar nga projektet e mëdha të ndërtimit të gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin e Devollit.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ekonomia u rrit me 3.84% për gjithë vitin 2017, nga 3.37% që është vlerësimi paraprak për vitin e mëparshëm.

Rritja ka qenë më e lartë në 6-mujorin e parë dhe të dytë, në gati 4%, e udhëhequr nga ndërtimi i projekteve të mëdha, ndërsa në të tretin dhe të katërtin është ngadalësuar, si rrjedhojë e rënies së kontributit të ndërtimit. Vendin e ndërtimit e ka zënë tregtia dhe shërbimet, të nxitura dhe nga rritja e numrit të turistëve në vend.

Në tremujorin e katërt, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) vlerësohet me rritje prej 3,36%, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2016. Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me + 0,66 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,64 pikë përqindje, Ndërtimi me +0,53 pikë përqindje, Industria, Energjia dhe Uji me +0,45 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,28 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me + 0,27 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme dhe Shërbimet e tjera me + 0,15 pikë përqindje. Negativisht kontribuoi aktiviteti i Informacionit dhe Komunikacionit me -0,23 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me + 0,47 pikë përqindje.

Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e katërt të vitit 2017, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016 shfaqen si më poshtë:

Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati rritje me 0,72 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati rritje me 3,65%. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë Industria Përpunuese, ku shënoi rritje me 16,72%. Ndërsa Energjia Elektrike dhe Industria Nxjerrëse shënuan rënie përkatësisht me 17,25% dhe 1,99%. Aktiviteti i Ndërtimit pati rritje me 4,29%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Hotele, Restorante dhe Transport pati rritje prej 3,96%, i ndikuar kryesisht nga Akomodimi dhe Shërbimi Ushqimor, i cili shënoi rritje me 21,99%, si edhe tregtia me shumicë, transporti tokësor dhe ujor. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 6,53 %.

Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 11,24%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 2,64%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 4,14%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pati rritje me 5,60%. Grupi i aktiviteteve Shërbime të tjera si Arte dhe argëtim, Aktivitete të tjera shërbimi, Aktivitete të familjes, Aktivitete të familjes për përdorim të vet, pati rritje me 4,30%. Taksat Neto mbi produktet patën rritje me 4,10 %.

Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e katërt të vitit 2017, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016 shfaqen si më poshtë: Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,14%. Konsumi final i qeverisë u ul me 1,84%. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 4,09%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 3,77%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 10,98 %.