Meghan Markle po prezanton një markë të stilit të jetesës (lifestyle brand).

Dukesha e Sussex ka njoftuar për një markë të re, American Riviera Orchard, me një profil misterioz në Instagram dhe faqe interneti, më 14 mars.

Të dhënat janë të pakta — me përjashtim të një video informuese në Instagram, që tregon ish-aktoren në atë, që duket të jetë shtëpia e saj në Montecito, Kaliforni, duke rregulluar lule, duke përzier përbërës, në dukje për një lloj produkti të pjekur dhe duke përkëdhelur një qen, e veshur me një fustan të zi mbrëmjeje.

Biznesi me emrin American Riviera Orchard, tregon se marka ka synime të shesë një sërë mallrash shtëpie, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, mbulesa tavoline, shtroja, enë kuzhine, komplete çaji dhe libra gatimi. Marka tregtare përfshin gjithashtu artikuj ushqimorë, të tillë si reçel.

Kjo nuk është përpjekja e parë e Markle në biznes. Në një fjalim në Samitin Online DealBook të New York Times në vitin 2021, dukesha zbuloi se ajo bënte dhe shiste lidhëse flokësh (scrunchies) në moshën 8 ose 9 vjeç.

Sidoqoftë, sipërmarrja e saj më e njohur është The Tig, blogu i stilit të jetesës, që Markle publikoi nga viti 2014 deri në vitin 2017, deri në fejesën e saj me Princin Harry.

Në faqen e internetit — e cila mori emrin e saj nga vera e preferuar e dukeshës, Tignanello — Markle publikoi përmbajtje, që përfshinte tema nga ushqimi dhe udhëtimi deri te shëndeti, bukuria dhe moda.

Dukesha ka fituar gjithashtu përvojë në botën e startup-eve. Në vitin 2020, ajo investoi një shumë të pazbuluar në markën e mirëqenies me bazë në Santa Barbara, Clevr Blends, tha ajo për Fortune.

Katër vjet pasi Meghan dhe princi Harry dhanë dorëheqjen si anëtarë të familjes mbretërore dhe u transferuan në Kaliforni, çifti po investon më tej në sipërmarrjet e tyre.

Pas ndarjes reciproke nga Spotify – dhe marrëveshjes së podcast-it prej 20 milionë dollarësh, që dyshja bëri me gjigantin audio – Meghan dhe Harry siguruan një kontratë të re me Lemonada Media.

Si pjesë e marrëveshjes, Lemonada do të transmetoje sezonin e parë të podcast-it Archetypes të çiftit, dhe do të zhvillojë një podcast të ri, që Markle do të prezantojë.

Është ende e paqartë nëse sipërmarrja e re e podcasting e Markle, do të përputhet me markën e saj të re – ose kur do të nisë American Riviera Orchard.

Tani për tani, faqja e internetit udhëzon vizitorët të regjistrohen për një listë pritjeje, për të marrë më shumë informacion. Dukesha mund të jetë duke punuar për të ndërtuar perandorinë e saj të biznesit ose, e thënë ndryshe, mbretërinë e saj. / Inc