• Vendi i punës po ndryshon shpejt dhe punonjësit kanë nevojë për aftësi dhe mbështetje për t’u përshtatur.
• Një sondazh i ri anketoi rreth 54,000 punonjës, në 46 vende dhe territore, se si po reagojnë ndaj ndryshimit.
• Rezultatet zbulojnë një hendek në rritje të aftësive, që krijon rrezik të konsiderueshëm për biznesin, punonjësit dhe shoqërinë.
• Për punonjësit në çdo industri, nuk është më vetëm një ditë tjetër në punë. Çdo aspekt i mjedisit të punës, po ripërcaktohet, pasi bizneset përballen me një sërë ndryshimesh nga inteligjenca artificiale (IA) deri te kriza klimatike.

Sondazhi i Shpresave dhe Frikës i PwC për 2023 (Hopes and Fears survey) me reth 54,000 punonjës në 46 vende dhe territore, i pyeti punonjësit se si po u përgjigjen këtyre nevojave për ndryshim.

Punonjësit thanë se presin të kenë nevojë të ndryshojnë; 58% të punonjësve thonë se aftësitë që u nevojiten, do të ndryshojnë ndjeshëm në pesë vitet e ardhshme.

Shumë thonë se do t’u duhet të fitojnë aftësi të reja dhe të nisin një udhëtim të të mësuarit të vazhdueshëm, të çmësuarit dhe të rimësimit, për t’u përmirësuar dhe për të përqafuar mënyra të reja të punës – përndryshe, ekziston rrezik i madh, që të mbeten pas.

Çfarë mendojnë punonjësit për ndryshimin e aftësive?

Punonjësit kanë më shumë gjasa të jenë entuziastë sesa pesimistë, për ndryshimet që i presin, me më shumë besim se IA do të çojë në rezultate pozitive sesa negative. Shumica janë të sigurt se punëdhënësi do t’i ndihmojë të fitojnë aftësi dixhitale, bashkëpunimi dhe drejtuese.

Megjithatë, sondazhi gjeti gjithashtu prova të një hendeku në rritje, midis njerëzve me aftësi të specializuara dhe atyre pa aftësi.

Ndër punonjësit, punët e të cilëve nuk kërkojnë aftësi të specializuara, vetëm 15% presin, që nevojat për aftësitë e tyre, të ndryshojnë në pesë vitet e ardhshme, krahasuar me 51% të homologëve të tyre, punët e të cilëve janë më të specializuara.

Grupi më pak i specializuar, ka gjithashtu më pak gjasa të besojë se aftësitë e buta ose njerëzore (soft skills), të tilla si përshtatshmëria, të menduarit kritik dhe bashkëpunimi, do të jenë të rëndësishme për karrierën e tyre në pesë vitet e ardhshme.

Kjo nuk është pikëpamja e punëdhënësve, të cilët në studimin e fundit të Forumit Ekonomik Botëror, panë shtim të rëndësisë për aftësitë komplekse të zgjidhjes së problemeve në vendin e punës, si dhe rëndësinë në rritje të elasticitetit, fleksibilitetit dhe shkathtësisë.

Kjo ndarje në rritje, rrezikon të shkaktojë pabarazi më të madhe, pasi punonjësit pa aftësi të specializuara, luftojnë më shumë se ata pa to, për t’u përshtatur me ndryshimin, dhe për këtë arsye mbeten më prapa.

Si mund të ndryshojnë qasjen bizneset?

Gjetjet e sondazhit janë një thirrje kritike për veprim, për drejtuesit e biznesit, që të rriten dhe të ndihmojnë të gjithë punonjësit e tyre – qofshin ata me aftësi të specializuara apo jo – të përgatiten për ndryshimet që presin.

Jo vetëm sepse është gjëja e duhur për të bërë, por sepse përndryshe, ata do të përballen me boshllëqe serioze në fuqinë punëtore.

Bizneset në të gjithë industritë, po përballen me perspektivën e mungesës së konsiderueshme të fuqisë punëtore dhe aftësive gjatë viteve të ardhshme, që do të thotë se CEO-t duhet të ‘rishpikin’ vendin e punës, nëse duan të mbajnë dhe zhvillojnë punonjësit.

Drejtuesit e biznesit duhet të kërkojnë shumë, për të shqyrtuar mënyra inovative për të zhbllokuar dhe mbështetur talentet e fuqisë së tyre punëtore, e cila përfshin si punonjësit e tyre me aftësi të specializuara, ashtu edhe ata pa aftësi të specializuara.

Trajtimi i këtyre sfidave do të thotë gjëra të ndryshme për kompani të ndryshme, por ka disa hapa që kanë kuptim nëpër industri dhe sektorë.

Sipas sondazhit, më shumë se një e treta (35%) e punonjësve, kanë aftësi që nuk janë të dukshme nga CV-të e tyre ose historitë e punës, gjë që tregon se kompanitë mund të shpërfillin talentin ekzistues.

Një hap tjetër i rëndësishëm, është futja ose përmirësimi i masave, për të ndihmuar punonjësit të përmirësohen dhe zhvillohen brenda kompanisë.

Sondazhi zbuloi se më shumë se tre të katërtat e punonjësve të paguar mirë, kërkojnë ndërveprim dhe opinione në punë dhe e përdorin atë për të përmirësuar performancën, ndërsa vetëm 61% e punonjësve me pagë më të ulët e bëjnë këtë, duke sugjeruar që shumë biznese, mund të shikojnë mënyra për të ofruar komente të vlefshme për të gjithë punonjësit, pavarësisht nëse kanë aftësi të specializuara apo jo.

Udhëheqësit e suksesshëm, e dinë se ‘monedha’ e kapitalit njerëzor nuk janë punët apo rolet, por aftësitë.

Kompanitë largpamëse, duhet jo vetëm të riorganizojnë dhe drejtojnë rrugët e karrierës rreth aftësive, por gjithashtu duhet të kuptojnë rëndësinë e mbështetjes, angazhimit dhe nxitjes së punonjësve të tyre, përmes tranzicioneve që do të nevojiten.

Vitet e ardhshme do të jenë sfiduese, si për punonjësit ashtu edhe për bizneset, pasi ata kërkojnë të përshtaten me rrethanat e ndryshueshme në mënyrën më efektive.

Sa më shumë të mund të punojnë së bashku, për të ndihmuar njëri-tjetrin të përshtaten dhe të rriten, aq më mirë do të jetë, jo vetëm për ta, por për shoqërinë tonë në tërësi. / Monitor