Vija bregdetare mesdhetare e pazhvilluar e Egjiptit, është fokusi kryesor i marrëveshjes. Megjithatë, injeksioni i madh financiar, flet gjithashtu për qëllimet strategjike të Abu Dhabit.

Më 23 shkurt, kryeministri i Egjiptit dhe ministri i investimeve i Emirateve të Bashkuara Arabe, nënshkruan para kamerave televizive një marrëveshje 35 miliardë dollarë, që përfshin kthimin e zonës në një vend të rëndësishëm në turizmin global. I cilësuar si investimi i huaj më i madh në historinë e Egjiptit, ai ka të ngjarë të shpëtojë ekonominë e shkatërruar dhe mund të ketë shmangur një tjetër krizë të madhe në Lindjen e Mesme.

Diskutimet e Emirateve të Bashkuara Arabe, përpara se të vendosin për të investuar, tregojnë se si po përdorin fuqinë financiare për të fituar para, ndërsa ndërtojnë dhe forcojnë ndikimin politik. Duke vendosur një shumë të barabartë me 7% të produktit të brendshëm bruto, Emiratet e Bashkuara Arabe po shfaqin një kombinim të fuqisë financiare me qëllime gjeo-strategjike, që tregojnë një shtytje për një rol kyç në formësimin e ngjarjeve në rajon dhe më gjerë.

Investimi duhet të shihet gjithashtu, si një sinjal për synimet e shtetit, në një kohë kur Abu Dhabi po përpiqet për influencë kundrejt fuqive të Gjirit, Arabinë Saudite dhe Katarin, ndërsa ndikimi i SHBA-së është i pranishëm por duke u pakësuar, ndërsa lufta Izrael-Hamas është ndezur, duke paraqitur sfida të reja në një pjesë të globit, që është vendi kyç për linjat e prodhimit dhe furnizimit me energji.

Për Egjiptin, historikisht zemra e botës arabe dhe vendi më të populluar i saj, me rreth 105 milionë banorë, përfitimet ishin të menjëhershme. Brenda disa ditësh pasi Abu Dhabi depozitoi para, autoritetet zhvlerësuan paundin dhe bisedimet mujore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, përfunduan me një marrëveshje kredie prej 8 miliardë dollarësh. Presidenti Abdel-Fattah El-Sisi, tha se ai kishte refuzuar të prekte monedhën deri atëherë, për arsye të “sigurisë kombëtare”.

Rreth 1500 milje larg në Gjirin Persik, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, kishte dhënë miratimin me qëllimin afatshkurtër, për të mbështetur një vend, që ishte në qendër të kryengritjeve të vitit 2011, që rrëzuan regjimet në të gjithë rajonin. Egjipti është një lojtar shumë i rëndësishëm, për t’u lejuar të dështojë ekonomikisht.

Ky imperativ më i gjerë për të mbështetur Egjiptin – gjithashtu një vend kryesor tranzit për emigrantët në Europë – nënvizohet nga planet e Bashkimit Europian, për një paketë ndihme me vlerë rreth 8 miliardë dollarë, duke përfshirë energjinë dhe Zonën Ekonomike të Kanalit të Suezit. Drejtuesja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, sapo vizitoi Kajron me 17 mars.

Ideja e zhvillimit të vijës bregdetare të Mesdheut, nuk ra nga qielli. Autoritetet egjiptiane kishin plane të gjata për Ras El-Hekma, megjithëse ato u zëvendësuan, kur bisedimet serioze me Emiratet e Bashkuara Arabe filluan verën e kaluar.

 

Kryeministri egjiptian, Mostafa Madbouly, në qendër, është dëshmitar i nënshkrimit të marrëveshjes së investimit në Kryeqytetin e Ri Administrativ, Egjipt, më 23 shkurt. Burimi: Xinhua/Shutterstock

 

Megjithatë, koha e marrëveshjes, madhësia e saj dhe shpërndarja e shpejtë e fondeve, befasuan tregjet financiare dhe madje edhe FMN-në. FMN, i cili pritej të ishte furnizuesi kryesor i financimit emergjent në Egjipt, nuk ishte në dijeni të diskutimeve deri shumë më vonë.

Investimi i Abu Dhabit ishte gjigant, madje edhe sipas standardeve të Emirateve të Bashkuara Arabe; një shumë më e vogël ka të ngjarë ta kishte mbajtur Egjiptin në këmbë. 24 miliardë dollarë për të drejtat e zhvillimit të Ras El-Hekma dhe 11 miliardë dollarë për projekte të tjera, janë ekuivalente me të gjitha rezervat valutore të Egjiptit në shkurt. Për ADQ – fondi i pasurisë, që udhëheq marrëveshjen – do të përfaqësonte rreth 17.5% të totalit të aktiveve të tij nën menaxhim.

Por, Egjipti njihet për megaprojektet. Një kryeqytet i ri administrativ, që po merr formë në shkretëtirën në lindje të Kajros, që nga viti 2015, i shtoi problemet e tij me borxhet. Duke u mburrur me kullën më të lartë të Afrikës dhe xhaminë dhe kishën më të madhe të vendit, vendi po mundohet të sigurojë investime të huaja dhe sheh pak vizitorë, përtej atyre që janë personeli i ministrive të reja qeveritare.

Emiratet e Bashkuara Arabe, janë tashmë shumë të përkushtuara ndaj Egjiptit, me mbështetje që rrjedh, që kur pushtimi rus i Ukrainës ekspozoi rreziqe afatgjata, në ekonominë e zhytur në borxhe të vendit të Afrikës Veriore. Në një seri marrëveshjesh, që nga fillimi i vitit 2022, ADQ u bë aksioneri më i madh në dy nga tre kompanitë kryesore të listuara të Egjiptit – Commercial International Bank dhe Eastern Tobacco Company, prodhuesi kryesor i cigareve në vend.

Shteti po punon ngushtë me të tretën – Grupin Talaat Moustafa – kryetari i të cilit është bërë një ndërmjetës kyç, si në marrëveshjen Ras El-Hekma, ashtu edhe në shitjen e aksioneve shtetërore në disa nga hotelet më të famshme historike të Egjiptit. Ndërsa ekonomia e vendit u dobësua dhe monedha humbi dy të tretat e vlerës së saj në dy vjet, aksionet e Talaat Moustafa janë pothuajse trefishuar në terma dollarë, gjatë periudhës. Vetëm këtë vit, çmimi i aksioneve të kompanisë pothuajse dyfishuar.

Planet janë padyshim madhështore për Ras El-Hekma, i cili është tre herë më i madh se Manhatan-i, dhe ndodhet në vijën bregdetare, që shkon në perëndim të Aleksandrisë në drejtim të Libisë – një shtrirje me rërë të artë, që është një preferuar prej kohësh për egjiptianët më të pasur, që kalojnë verën nëpër vila dhe apartamente. ADQ po premton objekte turistike të nivelit të lartë, për ta kthyer një zonë, që është më e njohur për perëndimorët, si vendi i disa prej betejave të mëdha në shkretëtirë të Luftës së Dytë Botërore, në një destinacion të njohur ndërkombëtarisht.

Puna do të nisë në vitin 2025, qeveria egjiptiane përmend një objektiv prej 8 milionë turistësh në vit – një synim i lartë gjithashtu, duke qenë se i gjithë vendi pati 14.9 milionë turistë vitin e kaluar. Disa citojnë shembullin e El-Gouna, një qytet i ri i ndërtuar në bregun lindor të Detit të Kuq të Egjiptit, mbi tre dekada më parë, kur organizohet festivale filmi dhe muzike, dhe ka shumë banorë të përhershëm.

Ras El-Hekma “mund të jetë një destinacion për të gjithë vitin”, tha Samih Sawiris, anëtar i një prej familjeve më të pasura të Egjiptit, që krijoi El-Gouna dhe gjithashtu zhvilloi dhe ndërtoi resorte në Zvicër, Mal të Zi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. “Moti pak i ftohtë gjatë dimrit, mund të kompensohet me golfin, kulturën, blerjet dhe restorantet e mira,” tha ai në një intervistë. “Për shkak të madhësisë së zonës, ata mund të përballojnë të gjitha investimet në argëtim.”

 

Lagunat e krijuara nga njeriu, në resortin egjiptian të Detit të Kuq, El-Gouna, Fotografi: Khaled /Desouki/AFP/Getty Images

 

Marrëveshja tregon dëshirën e Emirateve të Bashkuara Arabe, për t’u “përfshirë në paketën e shpëtimit ekonomik, të krijuar nga komuniteti ndërkombëtar, për arsye gjeopolitike dhe për të ruajtur stabilitetin e Egjiptit dhe rajonit”, tha Ziad Bahaa-Eldin, ish-zëvendëskryeministër egjiptian dhe ish-kreu i autoritetit të investimeve. Por, shtoi ai, shfaq gjithashtu “një qëndrim të ri, që shikon kthimin nga ndërhyrje të tilla ekonomike dhe përpiqet të arrijë një formulë të favorshme”.

Pas marrëveshjes Ras El-Hekma, Arabia Saudite ringjalli bisedimet për të zhvilluar pjesën e bregdetit të quajtur Ras Gamila, pranë resortit të Sharm El-Sheikh në Detin e Kuq, në një marrëveshje, që mund të vlejë disa miliardë dollarë.

Është një tjetër shenjë e një konkurrence të lulëzuar mes vendeve të gjirit arab. Nën Princin e Kurorës Mohammed Bin Salman, Arabia Saudite, e mbyllur prej kohësh, po ecën përpara me megaprojektet e saj që kanë shënuar ekorde, dhe po kërkon të bëhet një alternativë e investimeve të huaja për Emiratet e Bashkuara Arabe. Ata gjithashtu kanë pasur mosmarrëveshje publike, mbi nivelet e prodhimit të naftës.

Pastaj duhet të përmendet Katari, me kërkesë të lartë europiane për gaz natyror të lëngshëm dhe një specialist në përdorimin e fuqisë ‘së butë’, me kanalin televiziv Al Jazeera, Kupën Botërore të futbollit dhe gatishmërinë për të ndërmjetësuar bisedimet midis Perëndimit dhe vendeve të rajonit, me grupe militante si Hamasi dhe talebanët. Pas përfundimit të grindjes gati një dekade me Egjiptin, me origjinë te mbështetja e Vëllazërisë Myslimane, Doha gjithashtu ka shqyrtuar mundësitë e investimeve.

Fuqitë e Gjirit, janë shpesh në mosmarrëveshje në politikën e jashtme. Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë qenë më të fuqishmit vitet e fundit, duke ndërmarrë hapin historik të njohjes së Izraelit dhe mbështetjen e përfolur të ushtarakëve në Libi dhe Sudan, si dhe një lëvizje në Jemenin jugor. Vendi ka investuar gjithashtu shumë, në projektet shtetërore dhe infrastrukturën në Bririn e Afrikës, ndërsa synon të konsolidojë ndikimin rreth Detit të Kuq, një kanal tregtar jetik, që tani është i rrezikuar nga sulmet rebele Houthi.

Abu Dhabi po udhëheq rrugën në Egjipt, ndërsa Arabia Saudite dhe të tjerët, kanë qenë më të përmbajtur. Pavarësisht se ka premtuar miliarda investime në vitin 2022, Riadhi deri më tani ka miratuar vetëm një marrëveshje, për aksionet e kompanisë egjiptiane nëpërmjet fondit të pasurisë. Vendi u tërhoq nga bisedimet për një bankë të madhe, pas një mosmarrëveshjeje mbi vlerësimin e saj.

Ndërsa Ras El-Hekma është një marrëveshje e mirë për Emiratet e Bashkuara Arabe, që siguron asete të forta për të mbështetur paratë e tyre, “është gjithashtu një mënyrë për të rritur ndikimin në Egjipt”, tha Riccardo Fabiani, drejtor i projektit të Afrikës së Veriut në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Megjithatë, ai tha, se nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrimin e Kajros, për krizat në Sudanin dhe Libinë fqinje, ku ndryshon me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Paketat e shpëtimit të vendeve të Gjirit, nuk janë asgjë e re. Rajoni ka qenë një donator i rregullt për Egjiptin, gjatë krizave të mëparshme, përfshirë atë të vitit 2013, kur drejtuesi i atëhershëm i ushtrisë El-Sisi, rrëzoi presidentin islamist Mohamed Mursi, pas protestave mbarëkombëtare kundër Vëllazërisë Myslimane, të cilës ai vetë i përkiste.

Megjithatë, çmimi i ruajtjes së idesë së të stabilitetit po rritet. Midis 2013 dhe 2022, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Kuvajti, i dhanë Egjiptit një total prej 34 miliardë dollarësh në formën e granteve në para, dërgesave të naftës dhe depozitave të bankave qendrore, sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike. Në vitin 2024, Emiratet e Bashkuara Arabe, do të dërgojnë më shumë se kjo shumë, në vetëm dy muaj.

Në këmbim, Abu Dhabi mund të kërkojë një rol, në çfarëdo që të ndodhë më pas në Gaza, enklavën palestineze, që është shkatërruar në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit. Skenari i ditës – kush qeveris dhe ruan paqen atje, kur pushtimi i Izraelit të përfundojë – është shumë i debatuar. Por, miratimi nga Egjipti, i cili ka kufirin e vetëm jo-izraelit të kontrolluar me Gazën, dhe që ka qenë kanali për ndihmën humanitare shumë të nevojshme, do të jetë thelbësor.

Gjithashtu në diskutim, është fati i rreth 1.2 milionë palestinezëve, që janë bllokuar në qytetin Rafah, në kufirin me Egjiptin. Egjipti, ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur, çdo sugjerim që forcat izraelite të zhvendosin një numër të madh palestinezësh në gadishullin e tij, Sinai.

Megjithëse mbështetja masive financiare për Egjiptin, i shërben qartë qëllimit të Emirateve të Bashkuara Arabe për të frenuar frikën kryesore rajonale – trazirat popullore dhe Islami politik – analistët dyshojnë se vendimmarrja e Kajros, do të ndikohet shumë si rezultat.

“Për Egjiptin, i cili mban një linjë të pavarur diplomatike, ndihma financiare ose investimi, nuk përkthehet automatikisht në ndikim politik, diplomatik, ose lakueshmëri,” tha Mirette Mabrouk, bashkëpunëtore e lartë në Institutin e Lindjes së Mesme, me qendër në Uashington. / Bloomberg