Për të ecur përpara në karrierë, njerëzit duhet të dinë se kush jeni dhe çfarë jeni në gjendje të bëni. Por kjo është e pamundur të arrihet, pa vizibilitet në punë. Por, ky koncept është ripërcaktuar disa herë gjatë viteve të fundit. Ndërsa kompanitë përqafojnë punën hibride dhe në distancë, punonjësit janë më të shpërndarë. Si rezultat, i takon organizatave të krijojnë kultura besimi dhe transparence. Kjo kërkon të dhëna në kohë reale, për të patur njohuri mbi angazhimin, performancën dhe produktivitetin. Përqendrimi në rezultate dhe jo në përpjekje, do të jetë çelësi për të pasur sukses në këtë botë të re profesionale.

Për fat të keq, paragjykimi kur menaxherët i trajtojnë në mënyrë më të favorshme punëtorët, që janë fizikisht më afër tyre, mbetet një shqetësim. 71% e drejtuesve të lartë të burimeve njerëzore dhe 62% e drejtuesve të lartë të biznesit, pajtohen plotësisht ose pjesërisht, që punonjësit në ambjentet e kompanisë, ndoshta përfitojnë nga një paragjykim (pozitiv) i afërsisë, sipas Raportit të Ardhmërisë së Punës dhe Mësimit 2023 (2023 Future of Working and Learning Report).

Në një tjetër anketë nga Shoqata për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (Society for Human Resource Management, SHRM), 67% e mbikëqyrësve të punonjësve në distance, pranuan se besonin se punonjësit në distancë janë më të zëvendësueshëm sesa punonjësit në zyrë. 42% madje thanë se ndonjëherë harrojnë punëtorët në distance, kur caktojnë detyra.

Ndërsa organizatat janë përgjegjëse për krijimin e kulturave gjithëpërfshirëse të vendit të punës, punonjësit mund të ndërmarrin veprime për të reduktuar paragjykimet e afërsisë. Le të shqyrtojmë disa strategji të dobishme për të rritur vizibilitetin në punë, në mënyrë që të mund ta çoni karrierën tuaj në një nivel tjetër.

Përfshihuni në biseda
Me përhapjen e lodhjes nga përdorimi i platformës Zoom, është normale të dëshironi të fikni kamerën gjatë takimeve virtuale. Por kjo nuk është mënyra për t’u vënë re. Në vend të kësaj, mbajeni kamerën tuaj të ndezur, për të rritur kohën e kontaktit me ekipin tuaj. Flisni dhe bëni pyetje, për të treguar se jeni të angazhuar. Një përfitim tjetër për të qenë pjesëmarrës aktiv, janë mimikat dhe shenjat joverbale, gjë që ndihmon në nxitjen e një ndjenje afrimiteti.

Tregoni entuziazëm për të mësuar
Shfaqja e vullnetit për të mësuar është një mënyrë tjetër, për të treguar iniciativë dhe për të rritur dukshmërinë tuaj në punë. Përmirësimi i aftësive dhe kualifikimeve tuaja, mund të çojë gjithashtu në ngritje në detyrë dhe mundësi të tjera përparimi.

Disa shembuj përfshijnë:
Pjesëmarrja në postimet e mediave sociale;
Pjesëmarrja në konferenca, ngjarje të industries ose trajnime;
Fitimi i çertifikatave ose regjistrimi në kurse të rëndësishme për rolin tuaj;
Qëndrimi në një hap me tendencat duke lexuar të rejat e industrisë, duke u abonuar në buletinet specifike të industrisë, duke dëgjuar podkaste dhe duke parë video.

Bëhu vullnetar për detyra shtesë
Një metodë tjetër për të përmirësuar dukshmërinë tuaj në punë është vullnetarizmi për projekte të profilit të lartë. Por, përsëri, jini strategjik dhe kërkoni detyra ndërfunksionale. Në këtë mënyrë, mund ta lartësoni profilin tuaj përtej ekipit, duke treguar një angazhim për bashkëpunim. Vetëm sigurohuni që t’i balanconi ato aktivitete me punën tuaj të përditshme, në mënyrë që të mos jeni në rrezik të mbingarkoheni.

Ndajeni qendrën e vëmendjes me të tjerët
Harry S. Truman ka thënë: “Është e mahnitshme se çfarë mund të arrini, nëse nuk ju intereson se kush e merr meritën.” Dukshmëria në punë nuk ka të bëjë vetëm me nxjerrjen në pah të arritjeve tona. Ka të bëjë gjithashtu me ndarjen e vëmendjes me të tjerët. Ndarja e meritave forcon moralin e ekipit, duke rritur kulturën e kompanisë dhe duke ndërtuar besim.

Krijoni një marrëdhënie të fortë me menaxherin tuaj
Menaxheri juaj mund të jetë një aleat i vlefshëm profesional. Në takimin tuaj të radhës, shprehni interesin për të rritur dukshmërinë tuaj në punë. Për shembull, mund të kërkoni të prezantoni në mbledhjen e ardhshme. Ju do të përmirësoni aftësitë tuaja të të folurit në publik. Gjithashtu, mos kini frikë të kërkoni opinione dhe pyesni shefin tuaj, nëse ka nevojë për ndihmë për ndonjë projekt. Do të krijoni një marrëdhënie pune më productive, të bazuar në respektin reciprok.

Ndërsa ia vlen të kesh mbështetës të fortë, nuk mund të mbështetesh gjithmonë tek eprori, për të tërhequr vëmendjen për arritjet e tua. Pra, në vend të kësaj, merrni iniciativën vetë. Në këtë mënyrë, kur të shfaqen mundësitë e përparimit, do të jeni një nga të parët që do të merren parasysh. / Forbes