Gjiknuri për Rrugën e Kombit: Ose do rrisnim taksat për të gjithë, ose do paguajnë ata që e përdorin

2018-04-04T07:32:56+00:004 Prill, 2018 7:32|Kategoritë: Para, Taksa|

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka shpjeguar sot në një takim me gazetarët detajet e kontratës koncesionare për kalimin me pagesë në Rrugën e Kombit.

Ai pohoi se ka një hendek financiar mes nevojës për mirëmbajtje qe kanë rrugët dhe fondeve në dispozicion ndaj u pa e nevojshme të merreshin masa.

Tarifa doli pas një studimi dhe përfshiu gjithë elementët, tha ai. “Dy rrugë kishte: Ose do të rrisnim gjithë taksat e shqiptarëve që ta mirëmbajmë atë rrugë ose do e paguajnë ata që e përdorin. Rruga është akoma e papërfunduar dhe ka shumë investime për tu bërë”.

Gjiknuri ka folur edhe lidhur me protestat e disa ditëve më parë: “Dhuna dhe dëmtimi i stacioneve të pagesës u bë nga njerëz të motivuar politikisht. Po bëhet një vlerësim paraprak për dëmet në stacionin e pagesës. Dëmi shkon disa miliona euro. Ky investim nuk duhet ngatërruar me investimin privat, është pronë publike investim që i takon shtetit shqiptar. Dëmi iu bë taksapaguesve dhe kapitalizohet në llogari të gjithë kontratës”.

Ai shtoi se koncesioni nuk është i ri por puna ka nisur që nga viti 2011. Gjiknuri tha se në vitin 2011, kur rruga u nxorr për tu dhënë me koncension, tarifa e diskutuar ishte 8-9 euro pas një studimi të IFC, ku ishin tre skenarë. Në atë kohë nuk pati interes nga asnjë investitor.

Në tetor 2013,  kur erdhi qeveria e majtë, IFC tha se në një letër se skenari tre i zgjedhur nga qeveria e kaluar kishte dështuar. Kështu që duhet të shiheshin dy skenarë të tjerë. Kontrata u nënshkrua me konsorciumin në dhjetor 2016 pas një procedure të gjatë.

Deri më tani, tha ministri, kompania ka bërë 15 mln euro investime mbrojtëse, investime për rikuperimin e tre skarpatave të dëmtuara dhe investime në tunel.

E ardhura dysheme e koncesionit është 8 milionë euro e ardhura tavan 9.4 milionë euro. Lidhur me përdoruesit e rrugës, Gjiknuri tha se konsulenti IFC ka pohuar që tarifa 5 euro është e përballueshme.

Lidhur me masat çfarë parashikohet për komunitetet lokale, Gjiknuri sqaroi se sipas bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nuk njihen tarifa apo masa lehtësuese për përdoruesit e rrugës. “Gjjthsesi ne kemi parashikuar në kontratë një lehtësim për përdorues të shpeshtë. Ne kemi filluar diskutimet për të gjetur një alternativë të mundshme. Janë disa mjete të përjashtuara, policia ambulanca etc. një lloj risku mund ta marrë dhe shteti për të parë kategoritë që mund të lehtësohen”.

Riveshje e Autostradës Tiranë-Durrës

Gjiknuri pohoi se këtë vit do të ndërhyhet edhe për riparimin e autostradës Tiranë-Durrës, e cila do të rivishet me një shtresë asfalti dhe ka një kosto prej rreth 11 milionë euro. Kjo riveshje mund të mbajë për rreth 4 vjet. Ndërsa sipas llogarive të Bankës Botërore, që të bëhet nga e para kjo rrugë duhen 20-30 milionë euro investime.

Nevoja për mirëmbajtje prek rrugë të reja, tha Gjiknuri, duke përmendur rastin e Tirane-Elbasan, ku rrëshqitja e gurëve shkaktoi një dëm prej 4 milionë euro.

Banka Botërore: Mirëmbajtja e rrugëve në 5 vite do 320 milionë euro

Gjiknuri shtoi se sipas Bankës Botërore, mirëmbajtja e 3900 km rrugë pa futur në punë rrugë të reja kërkon për 5 vite 320 milionë euro, llogaritur me një kosto mirëmbajtjeje sipas standardeve. “Taksat mbulojnë një pjesë të vogël për mirëmbajtjen pjesa tjetër do të mbulohet nga taksapaguesit”, tha ai.

Ka një strategji për mbulimin e rrjetit rrugor me mirëmbajtje. U bë një studim nga Egnatia Odos që nxori tarifat e mirëmbajtjes për kilometër por kurrsesi tarifat nuk mund të jenë të njëjta sepse karakteristikat e tyre janë të ndryshme. Rruga e Kombit e ka të lartë sepse është një nga rrugët më të shtrenjta.