45 vite nga revolta e Spaçit, të burgosurit rrëfejnë tmerrin

2018-05-25T11:32:07+00:0022 Maj, 2018 11:15|Kategoritë: Për t'u treguar, Përjetime|

Përvjetori i 45-të i revoltës së të burgosurve politikë në burgun e Spaçit është ndryshe, sepse ata që vuajtën në burgjet e diktaturës dhe punuan në minierë sapo morën pensionin e dyfishtë për vitet e punës së detyruar, po ashtu kanë marrë dëmshpërblimin e plotë financiar prej 8 këstesh, kanë një sërë veprash muzeale dhe janë ngritur vepra monumentale në respekt të sakrificës së të përndjekurve në kohën e diktaturës komuniste.

Burgu i Spaçit, monument kombëtar i kategorisë së dytë

Burgu i Spaçit gjendet në rrethin e Mirditës, në thellësi të tij drejt veriut, një vend i izoluar dhe me temperatura të ftohta në dimër ku dielli shfaqet vetëm disa orë në ditë, e ndërsa qëndron në Spaç, qielli të duket një kupë e vogël mbi kokë.

Spaçi ishte burgu me punë të detyruar, i ndërtuar më 1968. Ndërtimi i tij u bë nga Ministria e Punëve të Brendshme në kohën e diktaturës komuniste duke shfrytëzuar të burgosurit ordinerë me punë të detyruar.

Burgut i Spaçit, nisi me 600 të burgosur politikë, që u shpërngulën nga kampi me punë të detyruar i Elbasanit. Në fillim kampi përbëhej nga disa baraka të vogla të ndërtuara nga Drejtoria Gjeologjike në 1956-n. Puna në galeri bëhej me tre turne dhe pa asnjë lloj sigurimi teknik.

Norma e punës ishte 4 vagonë mineral për dy të burgosur e ai që s’e realizonte, e lidhnin me kavo të zhveshur në pemët jashtë galerive. Nga trajtimi mizor më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit u hodhën në revoltë, e cila më pas u cilësua si revolta e parë me karakter politik në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës.

Burgu arriti një kapacitet prej 3000 të burgosur politikë. Ai ka qenë ndër burgjet më mizorë të diktaturës komuniste, ku përveç torturave, nuk kanë munguar edhe vrasjet pa gjyq dhe sot janë qindra varre të humbura nën rrënojat dhe honet e rrethinave të burgut të Spaçit.

21 maji i revoltave të të burgosurve politikë në Spaç dhe Qafë-Bari

– 45 vite më parë të burgosurit politikë ngritën flamurin pa yllin komunist në burgun e Spaçit –

Shumë vite më vonë, me shtimin e kampeve dhe burgjeve në Shqipëri, terrori i regjimit komunist ishte dhe më i madh, si jashtë, por më i tmerrshëm brenda burgjeve, por nuk kishte ndodhur që të kishte revolta të organizuara kundër pushtetit, deri kur më 21 maj 1973, revoltohen të burgosurit politikë të Spaçit dhe 11 vite më vonë, po në maj, në të njëjtën datë në Qafë-Bari.

Më 21 maj të këtij viti, shënohet 45-vjetori i revoltës antikomuniste të të burgosurve politikë në burgun famëkeq të Spaçit, ku u ekzekutuan Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai.

45 vite nga revolta e të burgosurve politikë në burgun e Spaçit, që nisi më 21 maj 1973 si një kundërshtim i thjeshtë i rregullave, por në thelb kishte kundërshtim të thellë, revoltë kundër regjimit diktatorial.

Protesta e të burgosurve politikë nisi me flamurin pa yll, pikturuar nga Mersim Vlashi 32 vjet burg (i cili sot nuk jeton më), më pas parullat “Ja vdekje, ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në tarracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët.

Ndërsa flamurin e ngriti Nemi Pasha, një i burgosur politik që vuajti plot 22 vite në burgjet e diktaturës, ku 17 prej tyre në Spaç, dhe sot nuk rron më.

Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës se rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, megjithë dhunën dhe presionin e diktaturës, e cila zgjati 3 ditë radhazi kur të burgosurit valvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, duke kënduar dhe hedhur parulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak.

Nga kjo revoltë, 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai; 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg; 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. 200 vetë u arrestuan dhe 100 vetë u dënuan me 1700 vite burg.

Kampi i Spaçit u ndërtua nga të burgosurit ordinerë, në fillim të vitit 1968. Fillimisht, si kapanone fjetjeje, shërbenin disa baraka të vjetra të ndërmarrjes së gjeologjisë, ndërtuar në vitin 1953. Të burgosurit e parë politikë, u dërguan për të punuar në galeritë e Spaçit, në maj të vitit 1968. Të burgosurit, që në fillim ishin 600 veta, punonin me tre turne, me mjete primitive dhe pa asnjë masë të sigurimit teknik dhe numri i të burgosurve arriti rreth 3000 të burgosur politik.

Spaçi ka qenë jo vetëm një burg ku torturat ishin të panumërta, puna e detyruar, por dhe ekzekutimet  dhe sa sot ka varreza të pazbuluara ku janë vrarë dhjetra të burgosur politikë.

Shqipëria, duke e marrë në proporcion me numrin e popullsisë shënoi krimet nga diktatura më shumë se çdo vend tjerët i Europës, madje dhe në botë.

Në qoftëse do t’i referohemi shifrave zyrtare që ruhen në Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë rezultojnë këto të dhëna:Të ekzekutuar 6.023 persona;Të vdekur në burg 1.06 ; Të burgosur 17.300; Të sëmurë mendorë 260 ; Të internuar deri në vitin 1954 22.000 ;Të vdekur në internim 9.000 . Në total shënohen 143 mijë vite burg dhe interrnim për shqiptarët nga regjimi kmunist.

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijve të internuar nën 14 vjeç dhe ata që janë internuar pas vitit 1954, dhe që nuk janë përfshirë në këto lista, rezulton se numuri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar direkt persekutimin i kalon të 100.000 personat.

Por Spaçi ishte një ferr i vertetë ku mijëra vetë vuajtën torturat më makabre që asnjë burg tjetër nuk i hasi, vuajtje, izolime, tortura, ekzekutime punë të deturuar por që shënojnë një revoltë kundër regjimit që do të mbahet mend gjatë.

Pas revoltës në  kampit të Spaçit, në vitin 1973, do të shënohej një tjetër revoltë në burgun e të burgosurve politikë, ai i Qafës së Barit në maj të vitit 1984.

Më 22 maj të vitit 1984, të burgosurit politikë në kampin e tmerrshëm të Qafë-Barit u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak.

Kampi i Qafë Barit, ndodhej rreth 15 km nga qytetit i Fushë-Arrëzit të Pukës, ndërtuar midis grykave të maleve.

Kampi ishte i rrethuar me tre rreshta telash me gjemba, me lartësi mbi 4 metra, rreshti i mesit ishte i gjithi me rrymë elektrike dhe pjesa në mes telave ishte e minuar. Rrethimi kishte rreth 20 kulla vrojtimi në lartësi mbi 8 metra ku ushtarët ishin të pajisur me të gjithë llojet e armatimit.

Afër kampit ndodhej dhe një repart ushtarak përveç repartit zyrtar që kishte detyrë ruajtjen e të burgosurve politikë, dëshmojnë të burgosurit politik që kanë vuajtur në burgun e Qafë-Barit.

Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revoltë më 20 maj 1984. Fatkeqësisht kjo revoltë përfundojë në tragjedi njerëzore.

Ishte mëngjes, tregojnë të burgosurit politikë. Të burgosurit u grupuan në shesh atë ditë, duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! Rroftë vendi i demokracisë, Rroftë Amerika! Poshtë diktatori! Çfarë’ kemi bërë, përse na trajtoni kaq çnjerëzisht, përse?! Kush jemi ne? Jemi shqiptarë, nuk e duam komunizmin, nuk e duam diktatorin! Duam lirinë, duam demokracinë perëndimore!

Në ballë të turmës së të dënuarve qëndronin, Tom Ndoj, Sokol Sokoli, Petrit Bazelli, Anastas Dhamo, Nue Pisha, Kosta Gjordemi etj.

Qindra e qindra forca të armatosura, të zverdhura dhe të tmerruara, prisnin urdhërin për të qëlluar mbi këta njerëz të pa armatosur dhe pas një përleshje të gjatë dhe shuarje të protestët, ndëshkimet: dy të pushkatuar, dhjetë të ridënuar me nga 10-25 vjet dhe shumë të plagosur e të lënduar.

Ky ishte bilanci i shtypjes së revoltës së Qafë-Barit të 22 majit 1984. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me pushkatim si organizatorë, madje dhe vetë kampi u dënua me prerje korespondence të të burgosurve.

Çdo vit të burgosurit politikë organizojnë ceremoni në kujtim të vuajtjes, se të ekzekutuarve, si një dëshmi për të treguar se regjime të tilla, mizore të mos kthehen më.

Çdo vit nën kujdesin e Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë apo institucione të tjer shtetërore është bërë e mundur një cermoni nga vetë të burgosurit politikë, dhe siç e quajnë ata ballafaqim me vuajtjen që përkon me 45 vjetorin e revoltës së të burgosurve politikë të  Spaçit, që aktualisht, funksionon si monument kombëtar i kategorisë së dytë.

Burgu i Spaçit është shndërruar në një vend pelegrinazhi, jo vetëm për të burgosurit, trashëgimtarët dhe të përndjekurit, por për qytetarë vendas dhe të huaj. Ai është vizituar nga figura të larta të shtetit, madje dhe nga ambasadorë të akredituar në Shqipëri, si  ambasadori i SHBA-së, Donald Lu një vit më parë.

Burgu i Spaçit në listën e Fondit Botëror të Monumenteve

Shqipëria do të bëhet me një vend kujtese për ish-të përndjekurit politike të kohës së diktaturës komuniste, pasi Fondi Botëror i Monumenteve ka përzgjedhur burgun e Spaçit si një vend  i memories kombëtare në kohën e diktaturës.

Lajmi bëhet i ditur nga organizata jo-qeveritare Trashëgimia Kulturore pa Kufij –Shqipëri (CHWB Shqipëri) e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të prekshme dhe të paprekshme të rrezikuar nga konflikti, neglizhenca njerëzore dhe fatkeqësitë natyrore.

Fondi Botëror i Monumenteve (World Monument Fund – WMF) një organizatë e përkushtuar për ruajtjen e vendeve unike kulturore, çdo dy vjet tërheq vëmendjen për vendet e trashëgimisë kulturore përqark globit, që janë në rrezik dhe ka përfshirë në listë burgun e Spaçit, duke cilësuar se pavarësisht se “është në një gjendje të avancuar përkeqësimi, ai meriton të transformohet në një vend modern kujtese”.

Fakti se burgu i Spacit u përfishi në listën e Fondit Botëror të Monumenteve argumentohet se përpos vështirësive aktuale të burgut të Spaçit, ai eshte një mundësi unike për promovimin dhe ruajtjen e tij, veçanërisht duke e ekspozuar kampin dhe çështjet e ndërlidhua me të në vëmendjen kombëtare dhe ndërkombëtare të specialistëve, mbështetësve dhe donatorëve.

Kreu i Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri, Lejla Hadzic,u  shpreh se “Ne shpresojmë që ky të jetë  një lajm i mirë për ish-të përndjekurit politikë për vuajtjet qe kaluan gjate jetës se tyre në Spaç dhe kampet e tjera të përqendrimit. E kaluara e tyre traumatike duhet të ketë vendin e saj në historinë bashkëkohore shqiptare. Kjo listë është një mundësi për të gjithë ne për të shtuar përpjekjet dhe veprimtarinë për kthimin e Spaçit në një vend kujtese, paqtimi me të kaluarën traumatike, po ashtu edhe një qendër edukimi për të gjithë ne që kemi përgjegjësinë të mësojmë ç’ka ka ngjarë”.

Lista e vitit 2016 tërheq vëmendjen ndërkombëtare për trashëgiminë kulturore nën kërcënim.

Në disa raste ajo mbështet programe ekzistues për adresimin e sfidave, në disa të tjera ajo evokon për zhvillimin e këtyre programeve.

Burgu i Spaçit do shërbej si një dëshmi e regjimit mizor komunist në Shqipëri dhe si një objekt kujtese për të treguar se regjime të tilla të mos kthehen më në Shqipëri./ATA/