Datë e re për bazilikën e Antoni Gaudí-t e shpallur, por shkallët e mëdha do të zgjasin edhe tetë vite.

Bazilika Sagrada Familia e Barcelonës, ka një datë të re të përfundimit, vitin 2026, 144 vjet pas vendosjes së gurit të parë.

Esteve Camps, i ngarkuari me përfundimin e kryeveprës, tha se kishin para dhe materiale për të përfunduar ndërtesën, duke përfshirë kullën qendrore 172.5 metra kushtuar Jezu Krishtit, duke e bërë Sagrada Familia ndërtesën më të lartë të Barcelonës.

Edhe pse ndërtesa është caktuar të përfundojë deri në vitin 2026, puna për skulptura dhe detaje dekorative dhe mbi të gjitha, shkallët, që të çojnë në atë, që përfundimisht do të jetë hyrja kryesore, pritet të vazhdojnë deri në vitin 2034.

Kur filloi puna në 1882, vendi ishte tokë bujqësore, por gjatë viteve qyteti është rritur rreth kishës. Shkallët, të cilat do të shtriheshin në dy blloqe të mëdha të qytetit, do të përfshinin zhvendosjen e rreth 1000 familjeve dhe bizneseve.

Ndërsa disa studiues të Gaudit e kundërshtojnë atë, Camps këmbëngul se shkallët ishin gjithmonë pjesë e planit të arkitektit.

“Ne po e ndjekim planin e Gaudit, fjalë për fjalë”, tha ai. “Ne jemi trashëgimtarët e tij dhe nuk mund të heqim dorë nga projekti i tij. Plani i paraqitur autoritetit lokal në 1915, i cili u nënshkrua nga Gaudi, përfshin shkallët. Ai shtoi, se janë në bisedime me kryetarin e Barcelonës, Jaume Collboni për planin, pasi fjalën e fundit e ka autoriteti lokal.

Paraqitje 3D e Sagrada Familia të përfunduar

Që nga fillimi i saj, Sagrada Familia është përfshirë nga lufta, neglizhenca dhe mungesa e financimit. Së fundmi, pandemia e Covid çoi në një ndërprerje dyvjeçare të punës.

Para rikthimit të turizmit masiv, puna do të financohej ekskluzivisht nga donacionet, gjë që e bëri fluksin e parave të paparashikueshme dhe shumë veta dyshonin, se puna do të përfundonte ndonjëherë. Poeti Joan Maragall e përshkroi bazilikën si “poezi e arkitekturës … një tempull, që nuk do të përfundojë kurrë, që po ndërtohet vazhdimisht”.

Për dekada tashmë, turizmi ka garantuar të ardhura të qëndrueshme, me afro 5 milionë vizitorë në vit që paguajnë 25-40 euro për një vizitë. Pak më shumë se gjysma e 125 milionë Eurove, shkon për përfundimin e punës. Se si shpenzohet pjesa tjetër, mbetet një mister, pasi kisha nuk është e detyruar të publikojë shpenzimet.

Në vitin 1936, në fillimin e luftës civile spanjolle, anarkistët i vunë zjarrin dhe shkatërruan punëtorinë e Gaudit dhe modelet e suvasë, që ai bëri, si një udhëzues për pasardhësit e tij, për të përfunduar punën.

Arkitekti Lluís Bonet i Garí, i shpëtoi fragmentet dhe modelet e Gaudit u rimontuan me shumë kujdes. Shumë nga detajet teknike, se si të realizohej dizajni i Gaudí-t, më vonë u përpunuan nga arkitekti nga Zelanda e Re Mark Burry, duke përdorur softuer aeronautik.

Sagrada Familia, konsiderohet si një nga mrekullitë e botës moderne, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Salvador Dalí e përshkroi “bukurinë e saj, të tmerrshme dhe të ngrënshme”, ndërsa George Orwell e konsideroi atë “një nga ndërtesat më të tmerrshme në botë” dhe komentoi, se anarkistët, treguan mungesë shije kur nuk e hodhën në erë, kur patën rastin. / The Guardian