Formula e Esatit për Shqipërinë: Përmes Ekuilibrit të Urrejtjes /respublica.al

2019-02-16T17:02:42+00:0016 Shkurt, 2019 17:02|Kategoritë: Histori, Për t'u treguar|

Raporti i njeriut me tokën është një raport nga më të lashtët. Nëse e gjurmojmë këtë lidhje me kohën e Mesjetës e deri pas Çlirimit, do të shohim që shqiptari ka qenë zot fuqiplotë i pronës së vet, të sanksionuar ligjërisht në të drejtën kanunore me hollësitë më të mëdha. Të shikojmë për këtë gjë kapitullin për pronën dhe Kanunin e Veriut. Betimet e rënda të shqiptarit kanë qenë “Për këtë qiell!” dhe “Për këtë dhe!” ose “Për këtë bukë”, që përsëri nënkuptonte tokën që prodhonte. Edhe thirrja për luftë bëhej në emër të mbrojtjes së trojeve. Si rrjedhojë, për shqiptarin raporti njeri-tokë nuk ka qenë vetëm një faktor ekonomik I ekzistencës fizike, por dhe një faktor i identitetit kombëtar dhe, si i tillë, një raport fanatik. Këtu e ka burimin thënia e njohur “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Çfarë ndodhi në prizmin e këtij raporti, gjatë viteve të sundimit të ideologjisë marksiste-leniniste, të gjithë e dinë mirë: varfëri, prishje e karakterit, ulje e zellit për punë. prishje e moralit dhe, në veçanti, dobësim i ndjenjës patriotike kombëtare, gjë që e tregoi fare qartë eksodi masiv i kohëve të fundit. Pra, mendoj se toka, edhe për arsye historike, duhet të privatizohet plotësisht. Ligji që do të miratojmë, duhet të ketë parasysh jo vetëm zgjidhjen e problemit ekonomik, por edhe shërimin e këtyre plagëve që kërkojnë kohë të shërohen.

Gjithashtu, ky ligj duhet të synojë drejtësi sociale. Shkruhet e flitet shumë për atë që po ndodh sot në fshat, ku fshatarët, në mënyrë spontane, po veprojnë edhe në lidhje me tokën. Ku e gjejnë kurajën?! Me ç’të drejtë morale e bëjnë këtë? Është e drejta e lartë e pronës së trungut të gjakut, e njohur nga i gjithë komuniteti i fshatit, është ai raport fanatik, për të cilin fola më lart, që ua jep këtë të drejtë. As Parlamenti, as Qeveria nuk e marrin parasysh këtë realitet, por e injorojnë, dhe, duke e injoruar, mendojnë se e eliminojnë. Toka është libër i shkruar për trungun familjar dhe kjo reformë duhet të krijojë mundësinë për të krijuar një faqe të re, të gëzueshme në atë libër dhe jo të trajtohet problemi në mënyrë aritmetike, që të fillohet nga kuota zero, ashtu siç ndodhi pas vitit 1944 në të gjitha fushat: ekonomi, kulturë, art, fe, sporte etj. Ne e pamë ku na çoi, në humbjen e identitetit, në varfëri shpirtërore. Gabime të tilla të rënda nuk duhet të përsëriten më. Ne nuk kemi të drejtë t’i presim me dhunë fijet historike, në çdo fushë qofshin, në duhet t’i lidhin ato, se ndryshe rrezikojmë të mbetemi pa tradita, pa memorie historike. Në kompleksitetin e këtij problem zgjidhjet praktike do të jenë të ndryshme, në vartësi të veçorive që paraqet çdo krahine apo fshat.

Aspekti tjetër që dua të trajtoj është ai i pronësisë mbi tokën në përgjithësi. Shqiptarit duhet t’i njihet e drejta e pronësisë mbi tokën që kishte në prag të kolektivizimit si vlerë, si e atij që qëndroi në fshat, edhe e atij që u largua prej tij. Në këtë aspekt,ky ligj duhet të vërë edhe drejtësi sociale. Nuk mund të mos i njihet e drejta e pronësisë atij që e ka pasur tokën, sepse ashtu do t’u shtohej edhe një padrejtësi tjetër të gjitha padrejtësive, vuajtjeve, privimeve që pësoi shqiptari gjatë periudhës moniste. Veç, me këtë rast, nuk do të dinim si t’ia vinim emrin kësaj padrejtësie që mund të bëhej nga shteti demokratik. Ky shtet ka për detyrë të shërojë ato plagë të së kaluarës që ende mund të shërohen. Toka në fshat apo shtëpia në qytet janë, hapur e ndërtuar me mundime e, shpesh, me sakrifica ekstreme të disa gjeneratave, prandaj nuk mund të përvetësohen në mënyrë arbitrare. Ligji për këtë problem duhet të parashikojë një nen që, brenda një afati kohe, ish-pronarëve t’u kompensohet vlera.

Në qoftë se ky ligj nuk do të vërë drejtësi, atëherë do të jetë e vështirë ta bindim popullin me fjalë se ne po ndërtojmë rendin demokratik dhe respektojmë të drejtat e njeriut. Në qoftë se ndonjëri e pret shkurt duke thënë “Kush i hyn kësaj pune”, unë do të thosha se, për hir të drejtës dhe të parimeve të larta demokratike, le të lodhemi sa më tepër. Ne duhet ta ndiejmë veten të qetë moralisht kur ta kemi aprovuar këtë ligj, me bindjen se kemi dhënë drejtësi. Atje ku qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë prona të trashëguara në vende të tjera demokratike, e drejta e pronës është e ruajtur me ligj dhe në kemi kohë që vjelim të ardhura prej tyre. Pse nuk duhet t’ia njohim këtë të drejtë qytetarit tonë këtu?

Ky vend është qeverisur me shumë pak drejtësi, me shumë pak mëshirë. Kur një konsull i huaj e pyeti Esat Pashën si do të rregullohej çështja shqiptare, ai iu përgjigj: “Përmes ekuilibrit të urrejtjes”. Urrejtja e ka brejtur trupin e shpirtin e shqiptarit edhe për këto 46 vjet përmes gjeneratorit të vet diabolik të luftës së klasave. Në problemin e tokës të mos krijojmë urrejtje të reja. Më në fund, të nisim ta ndërtojmë jetën tonë mbi ekuilibrin e respektit e të dashurisë dhe këtë t’ua vëmë përballë të keqijave që nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen. Për këtë duhet të vëmë drejtësi, ndryshe ka rrezik që, pasi shkatërruam sistemin feudo-borgjez, ndërtuam dhe po shkatërrojmë sistemin feudo-socialist, të mos ndërtojmë feudo-demokracinë.

Shënim: Materiali më sipër është fjala e Dhimitër Anagnostit në korrik të vitit 1991, në kuadër të diskutimeve për ligjin nr. 7501, i njohur më mirë si murtaja e gjoja kapitalizmit shqiptar. Po e risjellim fjalën sepse ajo tingëllon aktuale për nga parashikimi që bën në gabimin sistematik të elitës shqiptare që në sipërmarrjet e veta historike për të ndërtuar sisteme apo për t’i importuar ato, nuk arrin dot të shkëputet nga mendësia feudale. Siç e thotë Anagnosti, ne edhe sot fatkeqësisht jetojmë dhe dëshmojmë Feudo-demokracinë e cila njësoj si feudo-borgjezia dhe feudo-socializmi dominohen nga formula magjike e Esat Pashë Toptanit: Ekuilibri i Urrejtjes.

/respublica.al