Nga Jonila Godole

Fëmijët e diktatorëve nuk e kanë të lehtë. Ata mbajnë mbi shpinë arsenalin e krimeve që kanë kryer prindërit e tyre; mbajnë mbi shpinë traumën nga degradimi i mitit të babait, nga Zot në kriminel, si dhe dilemat morale se si të jetojnë me hijen, dhe nën hijen e tij.

Kur lexon biografinë e Swetlana Allilujewa-s, të bijës së Stalinit, përballesh me një person që gjithë jetën e kaloi në arrati për t’i ikur biografisë së saj dhe hijes së babait, ndërkohë që vëllai dhe nëna nuk rezistuan dot dhe i dhanë fund jetës në mënyrë tragjike.

Pas vdekjes së Stalinit, Swetlana ndërroi emrin në Lana Peters dhe u largua nga Bashkimi Sovjetik. Vdiq në vetmi dhe pështjellim mendor në moshën 85-vjeçare në një azil në Wisconsin.

Zoia Çaueshesku ka rrëfyer për obsesionin e të ëmës, Elenas, dhe dhunën psikologjike që ushtronte ajo te fëmijët e vet duke u vendosur oficerë të Securitate-s nga pas, ngado që shkonin.

Në Shqipëri kemi pasur vetëm dëshminë e djalit të ish-kryeministrit Shehu, shkrimtarit Bashkim Shehu, i cili jo vetëm është distancuar hapur nga krimet e familjarëve të tij gjatë diktaturës, por vazhdon edhe sot e kësaj dite, të përshkruajë përmes letërsisë jetën kriminale dhe dehumanizimin e një regjimi, në të cilin i ati luajti rol kyç për dekada të tëra.

Në një mjedis si ky shqiptar, ku nuk pati ndonjëherë përballje serioze të drejtësisë me krimet e komunizmit dhe ku urrejtja klasore nuk u ndërpre pas rënies së regjimit, distancimi i dikujt nga krimet e babait kërkon guxim dhe moral.

Ky rast distancimi dhe pendese mbetet më se i veçuar, të mendosh që shumë të tjerë zgjodhën të heshtin, madje edhe të glorifikojnë, pa kurrfarë brerje ndërgjegjeje, veprën e etërve, përkundër fakteve kokëforte që ashiqare dëshmojnë përfshirjen e tyre në krime ndaj njerëzimit.

Rasti më i fundit i këtij glorifikimi është letra e djalit të diktatorit, drejtuar kreut të qeverisë dhe përfaqësive të huaja për një çështje proceduriale në lidhje me prishjen e banesës së familjes Hoxha, me “persekutimin” e padrejtë të tyre dhe dëmet e shkaktuara, përfshi vjedhjen e relikteve dhe dokumentacioneve të ndryshme të Enver Hoxhës”.

Në morinë e denoncimeve të tjera nga qytetarët shqiptarë në këto 30 vite, mbi padrejtësi të ngjashme ose shumë herë më të mëdha se kjo, ky rast nuk do të merrte aspak vëmendje nëse denoncuesi do të ishte një individ dosido. Por dërguesi i letrës është më tepër se kaq.

Ai është pasqyra ku ne mund të shohim funksionalitetin e sistemit demokratik, por edhe shëmtinë e sistemit moral që kemi ngritur.
Nga letra shohim se dërguesi i saj i njeh në mënyrë të shkëlqyer të gjitha nocionet e të drejtave të njeriut, por deri më sot nuk ka përmendur kurrë shkeljen e tyre për viktimat e shkaktuara nga regjimi që vendosi dhe udhëhoqi babai i tij për 45 vite.

Ironia qëndron në faktin se ligjërisht, falë sistemit demokratik, ai edhe mund të ketë të drejtë në kërkesën e tij. Por, moralisht, të kërkosh të shfrytëzosh sistemin demokratik për të ruajtur reliktet e një diktatori është paturpësi!

Çështja nuk shtrohet nëse ka faj apo jo fëmija i një krimineli, sepse afërmendsh përgjegjësitë për veprimet tona në jetë janë dhe duhet të mbeten individuale. Megjithatë, siç krimi mbetet krim (pavarësisht se mund të kryhet sipas një urdhri), edhe çdo veprim yni i parashtrohet gjykimit moral.

Ose siç thotë filozofi Karl Jaspers, kur flet për fajin dhe fajtorët në Gjermaninë e pasluftës (Die Schuldfrage, 1946), “për fajin moral, instanca më e lartë e drejtësisë mbetet ndërgjegjja e gjithsecilit.”

Për fajin dhe fajtorët në Shqipëri duhej folur menjëherë pas rënies së diktaturës, sa kohë krimet ishin ende të freskëta dhe përgjegjësit e tyre ende të identifikueshëm. Por kjo nuk ndodhi. Në vazhdën e një fryme konsensusi mes palëve që e lanë pushtetin dhe atyre që e morën, “faji politik” për 45 vite diktaturë u nda mes popullit dhe Partisë së Punës (kjo e fundit ndërroi emrin në Parti Socialiste duke u “shpëlarë” kësisoj nga përgjegjësitë e të shkuarës?!), dhe, befas, të gjithë u kthyen në “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”.

Pjesë e farsës së ballafaqimit me të shkuarën ishin edhe gjyqet e bujshme ndaj krerëve të regjimit mes viteve 1992–1996, të cilët do të liroheshin përfundimisht më 1999, me ardhjen e PS në pushtet.

Akuzat e tyre do të ndryshonin nga viti në vit, nga gjenocid dhe krime ndaj njerëzimit, në abuzime fondesh apo kafeje, duke e kthyer në qesharake gjithë përpjekjen pozitive fillestare, për një drejtësi tranzicionale.

Të gjitha komisionet për verifikim apo pastërti figure të ish-funksionarëve të sistemit ishin alibia që mbulonte dakordësinë gjithëpalëshe se pas gjyqeve të para politike, për sy e faqe, në vazhdim, askujt më nuk do t’i hynte një gjemb në këmbë.

Gjykimi i “fajit politik” nga fituesit që e morën pushtetin në 1990-ën nën tavolinë do të shenjonte gjithë kulturën tonë të kujtesës për tre dekada : mungesën e lustracionit; mungesën e dekomunistizimit; përpjekje për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha përmes biografive të bashkëpunëtorëve të afërt dhe aktiviteteve festive me portretet e tij; rehabilitimin e drejtuesve politikë në qeverinë e diktatorit të fundit, Alia; rehabilitimin e ish-drejtorëve të burgjeve dhe të kampeve të internimit; rrënimin e vendeve të vuajtjes për të fshirë gjurmët e krimit komunist; anatemimin dhe goditjen e zërave kritikë ndaj komunistizimit të pandërprerë pas 1990-ës; mbajtjen gjallë të frymës së urrejtjes klasore dhe ushqimin e saj të vazhdueshëm përmes diskursit publik dhe propagandës në parlament e në media, e të tjera, e të tjera.

Në këtë frymë morali të dyfishtë dhe konfliktualiteti lypset guxim të kërkosh ndjesë dhe të falësh. Të kuptohemi drejt, edhe sikur djali i diktatorit apo e gjithë shoqëria shqiptare t‘u kërkonte ndjesë viktimave të komunizmit, kjo ndjesë kurrë nuk mund të matej me trajtimin çnjerëzor, vuajtjet dhe injorimin që u janë shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre në 70 vitet e fundit.

Por a mund të arrihet një konsensus mes palëve mbi historinë duke e shmangur të vërtetën dhe fajin moral? Para 1990-ës komunizmi nuk ishte sistemi ku mund të tregoje me gisht padrejtësitë, por sot mund ta pranonim përgjegjësinë morale për rreshtimin tonë si dele para kutive të votimit apo për mbylljen e syve dhe veshëve para padrejtësive që u shkaktoheshin fqinjëve tanë.

Dhe kësaj përgjegjësie nuk mund t’i bëjë dot bisht as i biri i diktatorit!

Burimi: Exit.al