EDITORIAL MONITOR/ “Biznesi i kërcënuar” është një kopertinë e revistës “Monitor”, publikuar 20 vite më parë, në 30 prill të vitit 2003. Sipërmarrjet, në atë kohë, po përballeshin me pengmarrje, kërcënime e deri në vrasje të biznesmenëve të mëdhenj të hekurit, për shkak të luftës për kontrollin e tregut.

Bizneset kërcënuan se do të largoheshin nga Shqipëria dhe do të hapnin aktivitetet e tyre në shtete të tjera të Europës.

Tranzicioni i rrëmujshëm i pas ’90 i kishte bërë shumë sipërmarrës, që u rritën shpejt, subjekt i kërcënimeve e gjobave të ndryshme.

Një sipërmarrës me një çantë në dorë dhe pas tij një hije që e kërcënonte me thikë ishte imazhi që përdori në atë kohë “Monitor” (i ilustruar dhe në foton aktuale që shoqëron këtë aditorial), për të personifikuar këto zhvillime shumë shqetësuese, për një demokraci që ishte në fazat e para të saj.

Sot, pas dy dekadash, teorikisht shumë gjëra duket se kanë ndryshuar. Vendi ka ecur përpara, ekonomia është zhvilluar, sipërmarrjet janë rritur, janë zgjeruar, janë diversifikuar, janë blerë e shitur, kanë hapur filiale jashtë, kanë parë, në disa raste, hyrje kapitali të huaj.

Konkurrenca “zgjodhi” më të dobëtit dhe la në treg kompanitë që arritën të përqafonin me shpejtësi tendencat e së ardhmes, të investonin në teknologji, të diversifikoheshin, duke shpërndarë rrezikun, të vinin theksin te burimet njerëzore.

E theksuam termin teorikisht më lart, jo rastësisht, pasi çfarë u përmendën janë më shumë një utopi e një modeli zhvillimi të një vendi në tranzicion, që udhëhiqet nga politika shtetërore, të cilat nxisin e mbrojnë konkurrencën e lirë, krijojnë kushte të barabarta tregu, mundësojnë zbatimin e rregullave të lojës e luftojnë informalitetin.

Praktikisht dhe fatkeqësisht, situata është pothuajse e ngjashme me 20 vite më parë, madje e vënë në baza të drejta krahasimi (le të themi e indeksuar me ritmet e zhvillimit të ekonomisë) është shumë më keq. Jo vetëm bizneset që vijojnë ta ndiejnë veten të kërcënuar, por vala “moderne” e krimit nuk po kursen as fuqinë punëtore (ose forcën e punës).

Vrasjet fatkeqe, ajo e një gruaje në një lokal dhe e fundit, e punonjësit në televizionin më të madh në vend, janë vetëm një tregues i përmasave që ka marrë krimi në vend. Këto janë dëshmi se krimi tashmë është kthyer në një variabël të posaçëm në ekuacionin e të bërit biznes dhe të tregut të punës.

Rasti i parë është pasqyra më e mirë e asaj që ka sjellë lejimi i hyrjes së parasë informale në vend, ku të ardhurat e krimit janë konvertuar në biznes dhe është bërë e vështirë ndarja e tyre.

Qeveria, jo vetëm që nuk ka bërë asgjë që ta luftojë, por nëpërmjet amnistisë fiskale, pavarësisht kundërshtimeve të shumta të institucioneve ndërkombëtare, po tenton që ta legalizojë këtë para informale, madje edhe pse me këtë veprim rrezikon të shkaktojë kosto të paparashikueshme për sektorë të tjerë të ekonomisë, veçanërisht atë financiar.

Rasti i dytë, përveç goditja kundër një medie, tregon se krimi është fuqizuar aq shumë sa tashmë nuk pyet, duke guxuar të hyjë në sipërmarrje të mëdha dhe që, mbi të gjitha, kanë ndikim të lartë në publik.

Në çdo vend, sidomos në tranzicion, ka konflikte, prapaskena, mosmarrëveshje, që shpeshherë çojnë dhe në ngjarje të padëshiruara.

Por shpeshtësia me të cilën po ndodhin goditjet kriminale është dëshmi e mjedisit të pasigurt të krijuar në vend, e modelit ekonomik që ka nxitur pabarazinë, ka favorizuar pak grupe interesi në kurriz të të tjerëve, si dhe e mungesës së frikës nga ndëshkimi, për shkak të rasteve tepër të ulëta të zbulueshmërisë dhe vënies së autorëve dhe sidomos, porositësve të vërtetë, përpara drejtësisë.

Ndaj sot, krimi nuk po pyet më, duke i vënë përpara rrezikut për jetën të gjithë, njëlloj si pronarët e bizneseve, ashtu edhe të punësuarit e tyre. Nuk është për t’u habitur që emigrimi të marrë nxitje edhe nga rreziku i krijuar për jetën në orarin e punës.

Në këtë pikë, mund të themi se jemi më keq se 20 vite më parë!