EDITORIAL/ MONITOR.AL

Më 1 janar 2024, shtetasit e Republikës së Kosovës do të kenë mundësinë të qarkullojnë pa regjim vizash në shtetet anëtare të zonës Shengen.

Vendimi përfundimtar i marrë nga Parlamenti Europian i jep fund një procesi negociatash, të zgjatur prej 11 vitesh.

Ky vendim gjithashtu shënon, dhe nuk duhet të kemi frikë ta cilësojmë me emrin që ka, rrëzimin e getos së fundit në Ballkan, të vendosur mbi një popullsi më pak se 2 milionë banorë, e cila në vite ka krijuar diasporë të konsiderueshme (në raport me popullsinë e vet) në shtetet europiane dhe jo vetëm.

Ne, shtetasit e Republikës së Shqipërisë, e kuptojmë më së miri lehtësimin që sjell vendimi për liberalizimin e qarkullimit në Bashkimin Europian.

Ashtu si me Kosovën, edhe procesi i liberalizimit me Shqipërinë ishte i stërzgjatur. Jo vetëm kaq, por edhe shqiptarët nga Republika e Shqipërisë përfituan të fundit nga regjimi pa viza, dhe si të tillë, përjetuan vështirësimin e qarkullimit nëpër vende të tjera të Ballkanit që avanconin në këtë proces, duke u ndier, shpeshherë të izoluar, apo jo më shumë të lirë sesa kur kufijtë e tyre rrethoheshin me tela me gjemba të ideologjisë komuniste.

Liberalizimi, si vendim, sigurisht do të sjellë përfitime në aspekt individual dhe kolektiv, por njëherësh pritet të shoqërohet edhe me fenomene negative në rang shoqëror.

Më së pari, ka përfitim të drejtpërdrejtë ekonomik për çdo individ, pasi redukton kostot e qarkullimit nëpërmjet heqjes së tarifave të vizave, kostove financiare të përgatitjes së dokumentacionit, si dhe kostos së shprehur në kohën e shpenzuar për mbledhje dokumentacioni, aplikim dhe pritje të përfitimit të vizës.

Liberalizimi sjell ulje të kostos së të bërit biznes, sepse lehtëson dhe rrit shpejtësinë e qarkullimit, kontakteve, përfaqësimit, vendimmarrjes etj., të vlefshme edhe për aktivitetet e natyrës arsimore, kulturore apo sportive. Të gjitha këto kosto shndërroheshin në humbje të drejtpërdrejtë kur viza refuzohej.

Për popullsitë në territoret e Shqipërive, liberalizimi do të thotë më shumë kontakte e vizita të ndërsjella me familjarët e emigruar, duke u shërbyer lidhjeve familjare. Njëherësh merr më tepër gjallëri një pjesë e sektorit të turizmit që administron “eksportimin” e turistëve.

Megjithëse “eksportimi” i turistëve shoqërohet me eksportim të një pjese të burimeve valutore dhe fuqisë së konsumit drejt vendeve të tjera, ky aktivitet është përfitues në nivel individual për shëndetin fizik dhe mendor, si dhe një proces rritjeje njohurish e zhvillimi kulturor nga ballafaqimi më i gjerë me botën rrethuese.

Ndërsa për sektorin turistik shqiptar, tre vitet e ardhshme do të përbëjnë një provë interesante rezistence, për të kuptuar se sa do të ndikohet nga oferta shtesë turistike që paraqitet përballë shtetasve të Kosovës.

Liberalizimi do të ndikojë në reduktim korrupsioni për atë pjesë që zhvillohet në procesin e blerjes së vizave të rregullta apo të falsifikuara dhe ku jo rrallëherë, krahas vendasve, përfshihen edhe punonjës ambasadash dhe të forcave kufitare.

Në aspektin negativ, liberalizimi pritet të nxisë, në fazën e parë, largimin e asaj pjese të fuqisë së punës në Kosovë, e cila nuk ka mundur dot të emigrojë, apo nuk e gjen veten të shpërblyer kënaqshëm në tregun e Kosovës.

Në kushtet e kërkesës së lartë, gati në uri, për fuqi punëtore që po shfaqin tregjet e vendeve europiane, ky fenomen mund të jetë më agresiv dhe më i ngjashëm me situatën që po e përjeton tani Shqipëria, me largimin e ndjeshëm të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe të pakualifikuar.

Kjo do të thotë se ekonomia në Kosovë do të përballet me vështirësi shtesë, krahas kokëdhembjes që shkaktohet në retorikën politike dhe kritikat nga vendet e BE-së.

Pavarësisht këtyre, rezultantja e procesit është pozitiv. Sidomos duke pasur parasysh rrugën edhe më të vështirë që ndoqi Kosova, së cilës në një moment iu kërkua me këmbëngulje të falte territor (në favor të Malit të Zi) në këmbim të heqjes së vizave (premtim që nuk e mbajti BE).

Vendimi është pozitiv, sepse rithekson shtetin e Republikës së Kosovës, pavarësisht se dhe në këtë rast, për turp të demokracive të zhvilluara, katër vende do t’i pranojnë shtetasit e Kosovës, thjesht sepse njohin pasaportën e këtij shteti, por jo vetë shtetin (absurditete tragjikomike) e ndërsa në një vend të BE-së (Spanjë), vendimi i BE-së për liberalizim de facto nuk njihet dhe shtetasit e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë drejt tij (nuk e dimë se ç’duhet të mendojmë mbi parimet mbi të cilat është ngritur dhe funksionon gjithë ngrehina BE).

Mbi të gjitha, vendimi ka rëndësi, sepse hiqet dhe një element diskriminimi dhe cenimi dinjiteti, që e kemi ndier secili prej nesh në dyer ambasadash.

Pra, urime Kosovë që e rrëzuat dhe një tjetër mur. Shpresojmë që ky vendim të mos ketë kërkuar më këmbim me tokë, apo me dinjitet të Kosovës.