Monedha e përbashkët e nisi edhe këtë javë e zhvlerësuar përkundrejt monedhës vendase, edhe pse me një rënie të lehtë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet sot me 127.24 lekë, duke shënuar ditën e shtatë rradhazi më rënie.

Faktori kryesor vijon të mbetet oferta e lartë për euro, sidomos ajo informale, që po kanalizohet përmes ndërtimeve.

Ekspertët e bankave pohojnë se ndikim ka dhe procesi i deeuroizimit, të nisur nga banka e Shqipërisë, por që nuk është thelbësor.

Në të njëjtën linjë ishte dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë i cili në një dalje ditën e djeshme tha që nuk ka ndikim deeuroizimi në rënien e euros, por faktorët fondamentale, që lidhen me investimet, remitancat, turizmin. “Në nivel makro, e thashë që mbiçmimi i kursit të këmbimit tregon rritje të fuqisë blerëse, për sa kohë që përcaktohet nga faktorë fondamentalë”, tha guvernatori.

Një tjetër faktor që po ndikon së fundi sipas aktorëve kryesor të tregut të këmbimit valutor janë edhe flukset e turistëve. Ata argumentojnë se duke qenë qarkullimi i lekut në minimum dhe shpenzimet e ulëta, flukset e valutës prej turizmit reflektohen në kursin e këmbimit.

Tendenca rënëse e euros pritet të vijojë gjatë gjithë verës. Ekpsertët argumentojnë se kjo do të jetë tendenca e euros duke qenë ecuria do të ndikohet edhe prej efekteve sezonale.

Dollari amerikan së fundmi ka fituar pikë ndaj lekut, pasi ra në nivelet më të ulëta të pesë viteve. Një dollar u këmbye sot me 106.63 lekë, rreth 0.27 pikë më shumë se sa mbylli javën e kaluar. Monedha e gjelbër pikë ndaj euro në tregjet ndërkombëtare dhe kjo është reflektuar edhe në tregun vendas. Sipas kursit të këmbimit të Financial Times një euro po këmbehet me 1.19 USD. Në shkurt euro po luhatej në nivelet më të larta të tri viteve të fundit, ku këmbehej me 1.25 USD.