Këshilli i Koordinimit Rajonal (RCC) që po udhëheq punën për një strategji unike për thithjen e investimeve të huaja në 6 vendet e Ballkanit (WB6) raportoi se industria automative është në fokusin e përbashkët të vendeve.

Në këtë kuadër, RCC-ja e cila udhëhiqet nga ish ministrja Shqiptare e integrimit Majlinda Bregu, njofton se Shqipëria po përpiqet që të bëhet pjesë e zinxhirit të prodhimit të pajisjeve që nevojiten për industrinë automative.

Shqipëria ka zgjedhur prodhimin e dritave automobilistike si sektor dhe si treg Gjermaninë. Qeveria shqiptarë do të përmbyllë në muajin nëntor 2019 projektin e saj për investimet në këtë fushë, ndërsa RCC do të ndihmojë në koordinimin dhe promovimin e paketës së Shqipërisë.

Këshilli i Koordinimit Rajonal njofton se Tajoni ka filluar përgatitjen e Deklaratës për Politikën e Përbashkët të investimeve.

Deklarata e përbashkët do të ketë në fokus zhvillimin e standardeve rajonalisht të pranueshme për negociata bazuar në marrëveshjet e investimeve ndërkombëtare dhe traktatet e investimeve bilaterale në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Standardet ballkanike për investimet pritet të unifikohen me ato ndërkombëtare deri në gjysmën e parë të vitit 2020. Standardet e reja duhet të jenë gati në samitin e Ballkanit të vitit 2020.

Strategjia unike e investimeve për Ballkanin përcakton tregjet e synuara dhe sektorët prioritarë.

Sektorët e përzgjedhur janë industria e makinave dhe ajo e lehtë për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë, ndërsa për Malin e Zi mbetet turizmi prioritet.

Një takim do të mbahet deri në fund të vitit për të koordinuar punët ndërmjet vendeve. Për të mbështetur këtë përpjekje, vendet tashmë kanë zhvilluar një sërë sesionesh për ngritjen e kapaciteteve për investimet në Ballkanin Perëndimor.

RCC vë në dukje se legjislacioni i Shqipërisë në lidhje me investimet është përafruar pjesërisht me atë Bashkimit Europian. Ligji i Unifikuar i investimeve ende nuk është miratuar, por synohet të arrihet deri në fund të vitit.

Burimi: Monitor.al