Energjike, me zë të fuqishëm, Juliana Pasha këndoi denjësisht në skenën e Festivalit Europian të Këngës, duke bërë krenarë shumë shqiptarë që e ndoqën dhe e votuan. Por edhe kësaj rradhe, Shqipëria nuk mundi të ngjitej më lart se në vendin e 16-të.

Ndoshta është koha të mos varim kaq shumë shpresa tek Festivali Europian, por ta shohim atë si një ngjarje artistike, që na jep kënaqësi dhe na shërben për diçka.

Sigurisht, si çdo eveniment europian, ngjarja realisht është e përmasave të mëdha dhe me vështrimin e parë duhet përjetuar si e tillë. Por, duke parë që vit pas viti Shqipëria thur ëndrra për shumë dhe vlerësohet me pak, atëherë le të jemi më konstruktiv dhe t’i shohim gjërat siç janë.

Është një festival i këngës, ku sipërfaqja e tij gjeografike, është rritur ndjeshëm, ku sistemi i votimit i jep të drejtën secilit vend pjesmarrës të japë pikë, duke përjashtuar veten e tij. Ky votim është 50 për qind i bazuar tek një juri profesionale dhe 50 për qind nga votimi popullor.

Kështu funksionoi edhe sivjet, dhe kënga shqiptare, “It’s all about you”, nuk mundi të ngjitet më lart se në vendin e 16-të. Mirëpo zhgënjimi pas kësaj ishte i madh. Kjo shihej tek ndjeshmëria e njerëzve dhe opinionet e tyre. Vendet që i dhanë pikë Shqipërisë ishin të pakta, Maqedonia 12 pikë

Greqia 10 pikë, Zvicra 8 pikë, Islanda 7 pikë, Turqia 7 pikë, Bosnje Hercegovina 5 pikë, Kroacia 5 pikë, Belgjika 3 pikë, Polonia 2 pikë, Gjermania 1 pikë, Rumania 1 pikë, Anglia 1 pikë. Kështu Shqipëria me mund të madh arriti të mblidhte 67 pikë.

Të mësuar t’ia lëmë fajin gjithmonë të tjerëve, edhe kësaj rradhe “fajin” e kishte “sistemi i votimit dhe numri i madh i republikave sllave”. Për as një moment “fajin” nuk ia hedhim vetes, me bindjen se kemi bërë më të mirën e mundshme. Dhe vërtet sivjet ishte punuar me këngën më mirë se asnjëherë tjetër, ishte kuruar çdo pjesë përbërëse e saj me mjaft kudes. Juliana Pasha është një nga këngëtaret e stërvitura të skenës, me një zë “black” të fuqishëm që këndoi mjaft e sigurt dhe energji këngën e saj. E shoqëruar me po kaq energji nga violinisti shqiptar me famë ndërkombëtar, Olen Cezari, si dhe nga tre vokalistet amerikane, Juliana u duatrokit nga publiku dhe u komentua mjaft mirë. Por gjithsesi nuk mundi të arrinte më shumë nga ç’ka arritur vendi ynë gjatë këtyre viteve, përjashto Anjeza Shahinin, që fati a çfarë tjetër e renditi në vendin e shtatë.

Të gjithë ne pamë edhe kësaj rradhe se si jepen pikët në Eurosong: në bazë të aleancave gjeografike. Atëherë, duke e ditur se sa pak mbështetje rajonale kemi, përse prehemi kaq shumë, kjo është e para. Dhe dyta, por më e rëndësishmja, përse nuk kemi kurajon të këndojmë në shqip, që të paktën kjo ngjarje artistike t’i shërbejnë një qëllimi? Të këndojmë në gjuhën tonë sikundër bëjnë shumë fqinj tanë që këndojnë jo vetëm në gjuhën e tyre por konkurrojnë edhe me kompozime tipike vendase, pa e vrarë mendjen nëse do i kuptojë Europa, apo jo. Ato transmetojnë muzikën e tyre dhe kaq u mjafton. Kurse ne eksperimentojmë për çdo vit dhe këndojmë në anglisht, pop, dance, këngë me motive etnike, balada, etj. Çdo vit kemi eksperimentuar me stile të ndryshme që t’i pëlqejmë Europës. Por Europa qenka e çuditshme. Atëherë përse të mos jemi më origjinalë dhe më kërkues tek vetja jonë?! Fiton në një Eurofestival një këngë me violinë, edhe ne shpejt të gjejmë dikë që shoqëron me violinë, fiton në Euronsong një këngë me koreografi dhe ne shpejt për ta shoqëruar Ledina Çelon me koreografi, fiton një këngë me ritme etnike, dhe ne shpejt për ta shoqëruar Luiz Ejllin me gajde e lule. Ne duhet të heqim dorë nga këto e duhet të shkojmë atje për tu dëfryer, për të kënduar për 3 minuta para miliona spektatorëve në gjuhën tonë, për të demostruar me të vërtetë atë që jemi dhe që bëjmë.

Pastaj ka edhe një moment tjetër që nuk duhet anashkaluar.

Pavarësisht se secili shtet vlerëson me pikë komshiun, përsëri çdo vit çmimi diskutohet mes 4-5 konkurrentëve më të mirë! Kjo të bën të mendosh se pavarësisht subjektivizmit dhe politikës së fqinjësisë, e bukura godet. Kështu u votua edhe vjet, edhe parvjet, edhe para tre vitesh, etj, por nuk mund të thuash se kënga norvegjeze, serbe, finlandeze, ruse, që janë shpallur fituese në këto vitet e fundit, nuk ishin ndër më të mirat e festivalit. E pra, politika e komshiut, mund tia ketë ngrënë apo shtuar hakun një kënge, me dy-tre shkallë diferencë, por kurrsesi nuk mund të ketë dënuar këtë këngë vërtet, duke e shndërruar nga këngë  pretendente në këngë që i përket gjysmës së dytë të tabelës klasifikuese.

Festivalin sivjet e fitoi një vajzë 19 vjeçare nga Gjermania, Len Meyer Landrut, e cila kishte mënjanuar provimet e maturës për të marrë pjesë në këtë festival dhe që në fund u shpërblye me çmimin e parë. Kënga e saj ishte e freskët, e thjeshtë, e ëmbel, kishte një ritëm që të tërhiqte, megjithëse të kujtonte disi stilin e Lilly Allen. Ajo u votua me 246 pikë nga telespektatorët e 39 vendeve, pasi dilte fituese në parashikimet e internetit.

Box

Eurosong është një garë që zgjat tre netë dhe që ka lindur në vitin 1956 në Lugano të Zvicrës. Këtë vit ajo u ndoq nga 125 milionë persona.

Kënga fituese me titull “Satellite” ishte që përpara festivalit të Eurosong -it një hit në Gjermani. Kostume ekstravagante si edhe drita e efekte pafund e kthyen festivalin e Eurosongut në Arenën Telenor pranë Oslos, në një spektakël të vërtetë. 25 vende nga Europa morën pjesë në të. Turqia mori vendin e dytë, e ndjekur nga Rumania. Në vendin e katërt u rradhit Danimarka, në të pestin Azerbajxhani.

Shqipëria në vendin e 16-të

Shqipëria mori pjesë me Juliana Pashën dhe këngën “It’s all about you” (Nuk mundem pa ty- Gjebrea, Çako, Saraçi). Megjithëse arriti të marrë vetëm vendin e 16-të, Pasha dëshmoi me zërin e saj kumbues dhe paraqitjen në skenë, se Shqipëria është ndërkohë një vend pjesëmarrës i denjë për spektakle të tilla si Eurosongu.

Vetëm dy vende më lart

Edhe kënga e Juliana Pashës pati të njëjtin fat si paraardhëset e saj. Prej Anjeza Shahinit, e cila ishte e para që përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong, dhe u rendit e shtata, të gjithë që erdhën pas saj, nuk u ngritën më lart se vendi i 15-të. Për tri vite me radhë Shqipëria është renditur e 17-ta në votimin përfundimtar e ku si gjithnjë ka marrë pikë prej fqinjëve tanë, Maqedoni, Greqi, apo Turqi, vende këto ku ka edhe më shumë shqiptarë. Veçse këtë vit mundëm të ngrihemi dy radhë nga tri vitet e mëparshme.

Shqipëria në Euronsog

2004 “Imazhi yt”, Anjeza Shahini, E. Zhulali-A. Doçi, vendi i 7-të

2005 “Nesër shkoj”, Ledina Çelo, A. Hila-P. Laço, vendi i 16-të

2006 “Zjarr e ftohtë”, Luiz Ejlli, K. Qafoku-Dr. Flori, vendi i 15-të

2007 “Balada e gurit”, Frederik Ndoci, A. Hila-P. Laço, vendi i 17-të

2008 “Zemrën e lamë peng”, Olta Boka, A. Hila-P. Laço, vendi i 17-të

2009 “Më merr në ëndërr”, Kejsi Tola, E. Zhulali-A. Doçi, vendi i 17-të