Në Malmö, 700 vite histori takohen me modernizmin.

Kur Suedia arriti një fitore befasuese në festivalin europian të këngës, Eurovision Song Contest 2023, vendi nordik u bë pritësi i paracaktuar për edicionin e këtij viti. Shumë njerëz supozuan se Stokholmi do të ishte qyteti pritës.

Disa mendonin se qyteti i dytë i vendit, Gothenburg, ishte një kandidat i mundshëm. Megjithatë, kur u njoftua se do të ishte qyteti jugperëndimor Malmö, shumë mbetën të habitur.

I anashkaluar shpesh nga udhëtarët ndërkombëtarë, si periferia suedeze e Kopenhagës, Malmö shpesh përshkruhet si një vatër polemikash, falë problemeve të bandave dhe provokimeve të së djathtës ekstreme.

Megjithatë, pavarësisht nga problemet e tij, duhet fare pak kohë në kryeqytetin e rajonit jugor Skåne, për t’u dashuruar me të.

Më parë pjesë e Danimarkës, mbi 700 vitet e historisë së Malmö-s, bashkëjetojnë bukur me prirjet moderniste.

Në këtë qytet me afërsisht 350,000 banorë, një kështjellë e lashtë duket nën hijen e ndërtesave shumëkatëshe, si dhe traditat suedeze të nderuara prej kohësh, jetojnë në harmoni me ato të një komuniteti emigrant, që përfaqëson 170 kombësi.

Malmö shërben si pikë kalimi drejt qyteteve dhe peizazheve natyrore më emocionuese të rajonit.

Lagjet më të mira për t’u vizituar në Malmö

Stortorget/Lilla Torg

Sheshi kryesor i Malmö-s, Stortorget, daton në vitet 1500, dhe është i rrethuar nga arkitektura gotike dhe zhurma e vazhdueshme e turistëve, që ecin rreth një statuje të madhe prej bronzi të mbretit Charles X Gustav dhe ndërtesës më të vjetër të qytetit, kishës mahnitëse të Shën Pjetrit.

Stortorget

Västra Hamnen

Komunitetet bregdetare të Suedisë, bëjnë një punë të jashtëzakonshme, për të ruajtur të kaluarën e tyre industriale, duke e përditësuar atë për tendencat aktuale rreth mikpritjes dhe qëndrueshmërisë. Porti Perëndimor i Malmos (Västra Hamnen) është shembulli kryesor.

Muzetë, arti dhe kultura në Malmö

Nëse keni shkuar në Suedi dhe nuk keni vizituar një kështjellë shekullore, a mund të thuhet se keni shkuar vërtet? Pjesa qendrore e lagjes historike të Malmös, është kalaja Malmöhus, një kështjellë bregdetare e shekullit të 16-të.

Kalaja Malmöhus

Kalaja ofron turne dhe është shtëpia e Muzeut Malmö, por mund të eksploroni Slottsstaden (Qyteti i Kalasë) përreth, një lagje rezidenciale e qetë dhe plot me kafene dhe pamje nga deti.

Moderna Museet Malmö, cili ndodhet në një termocentral të rinovuar dhe përfshin vepra nga Picasso dhe Dalí, përveç ekspozitave të artistëve suedezë dhe ndërkombëtarë.

Qendra e Formave/Dizajnit të Qytetit të Vjetër, i kushtohet arkitekturës dhe dizajnit elegant modern, ndërsa Malmö Konsthall ndërthur vepra nga artistë të rinj dhe të njohur.

Natyra në Malmö

Hapësirat e jashtme, janë të shenjta në Skandinavi dhe Malmö është projektuar rreth hapësirave të gjelbra. Ndalesa e parë, veçanërisht gjatë verës, duhet të jetë Plazhi Ribersborg, i cili bashkon brigjet me rërë dhe një shëtitore me pamje të jashtëzakonshme të urës Öresund, që del mbi ujë në Danimarkë.

Nëse dëshironi të merrni pjesë në traditën e saunës Scandi, do të gjeni gjithashtu Ribersborgs Kallbadhus-in historik, i cili ka sauna të shumta nordike, që janë veçanërisht të njohura për ata, që duan të bëjnë zhytje gjatë dimrit të ftohtë.

Ura Öresund

Kungsparken (Parku i Mbretit), ngjitur me Malmöhus, është i mbushur me skulptura dhe shtigje të gjelbëruara. Slottsträdgården ka një kopësht botanik mahnitës dhe Folkets Park, sjell një bukuri të qetë natyrore në Möllevången.

Kanalet e Malmös, janë të lundrueshme me kajak, një mënyrë e shkëlqyer për të parë qytetin nga një kënd tjetër; qyteti është gjithashtu plot me korsi biçikletash, që lidhin qendrat e metrosë me bregdetin dhe pyjet përreth.

Në thelb, çdo lagje këtu ka oazin e saj të vogël natyror dhe sa më larg qendrës së qytetit, aq më shumë peizazhi i gjelbëruar fillon të të mbështjellë. / Thrillist