Austria ka zbuluar planet për të “neutralizuar” ndërtesën ku lindi diktatori gjerman nazist Adolf Hitler, duke e kthyer atë në një stacion policie.

Qeveria e bleu ndërtesën në vitin 2016, sipas një urdhri blerjeje të detyrueshëm, pas një mosmarrëveshjeje të gjatë.

Zyrtarët njoftuan se ajo do të shndërrohej në një stacion policie në muajin nëntor.
Tani një firmë austriake arkitekturore do të kryejë ndryshimet e planifikuara për të transformuar ndërtesën e ndodhur në kufirin Braunau me Gjermaninë, në mënyrë që vendi të mos tërheqë më ardhjen e neo-nazistëve.

Një kapitull i ri do të hapet për të ardhmen e kësaj ndërtese që ka qenë shtëpia e lindjes së një diktatori dhe vrasësi në masë“, deklaroi të martën ministri i brendshëm austriak Karl Nehammer para gazetarëve.

Kompania fituese – Marte.Marte, e zgjedhur nga 12 kandidatë – paraqiti një plan i cili do të ndryshojë pamjen e fasadës së ndërtesës dhe do t’i japë asaj një çati të re. Puna pritet të përfundojë në vitin 2023 dhe do të kushtojë rreth 5 milion euro (5.6 milion dollarë; 4.5 milion paund).

Neutralizimi i këtij vendi ishte rezultati kryesor që synonim“, tha për gazetarët zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Hermann Feiner.

Jashtë shtëpisë mund të dallohen shenja të vogla që tregojnë se është vendi ku lindi udhëheqësi nazist. Një shkëmb jashtë ku është shkruar “Kurrë më fashizëm” do të zhvendoset në një muze në kryeqytetin e Vjenës. Megjithatë, një historian vendas tha për BBC se ishte shumë e rëndësishme që guri të qëndronte në Braunau.

Diktatori përgjegjës për gjenocidin kaloi shumë pak kohë në këtë pronë. Ai lindi në një apartament në ndërtesën e shekullit XVII në vitin 1889, por familja e tij u zhvendos disa javë më vonë në një adresë tjetër në zonë, dhe u largua nga qyteti përgjithmonë kur Hitleri mbushi tre vjeç.

Megjithatë, neo-nazistët kanë udhëtuar në këtë vend dhe autoritetet duan të sigurohen që ai të mos tërheqë njerëz të tjerë në të ardhmen.

Austria u aneksua nga Gjermania naziste në vitin 1938 dhe për dekada me radhë shteti e ka paraqitur veten si një nga viktimat e para të regjimit.

Por asokohe, shumë veta e mirëpritën këtë veprim, të njohur si Anschluss ose lidhje, dhe Austria tashmë ka filluar të flasë për rolin që ka luajtur vetë në krimet naziste.

Burimi: BBC.com