“Kënga magjike” dhe polemika “Adelina”

2018-03-01T13:31:45+00:0025 Janar, 2010 14:26|Kategoritë: Kulturë, Muzik|

Me përfundimin e “Këngës Magjike” vijnë edhe konkluzionet: Disa këngëtarë rikonfirmuan vlerat e tyre, disa të tjerë u shkëputen me bindje nga vlerat e dyshimta të mëparshme, ndërsa të tjerët kaluan pa u vënë re.
Por nëse ka diçka që do të kujtohet për shumë kohë për vetë polemikat që shkaktoi, është prezenca e këngëtares Adelina Ismaili që edhe kësaj rradhe, megjithëse i mungonte prej 10 vitesh skenës shqiptare, erdhi, këndoi dhe provokoi…

??
“Kënga Magjike”, një ndër festivalet serioze të muzikës së lehtë shqiptare, edhe këtë vit ka vijuar diskutimet mbi sistemin e tij të votimit. Nëse flasim për festival serioz, kemi parasysh faktin se në “Këngën Magjike” të këtij viti pati këngë vërtet të mira që sigurisht, në mos janë bërë, do të bëhen shumë shpejt pjesë e hit-eve muzikore. Sikundër pati edhe këngë ose prezantime të dobëta, që u skualifikun dhe nuk arritën të dilnin në finale. Duke vënë peshoren mes këtyre dy kahjeve, rezulton se këngët e mira të “Këngës Magjike”, të kënduara në natën finale, përmblidhnin prirjet dhe tendencat e vërteta të muzikës sonë. Kompozime të mira, tekste të fuqishme si rrallë herë, rritje interpretative të këngëtarëve dhe paraqitje skenike për t’u mbajtur mend. Ishte një natë, siç shumë kush ka ëndërruar ta shikojë muzikën e lehtë shqiptare.
Sa i takon votimit, ky sistem që Gjebrea përdor prej vitesh, ku këngëtarët vlerësojnë me votë të fshehtë njëri-tjetrin, mbetet një zgjidhje e guximshme e producentit, pavarësisht se ngjan si thikë me dy teha. Nga njëra anë këngëtarëve u jepet liri për të qenë vetë ato përzgjedhësit e këngës fituese, nga ana tjetër, si qënie humane, nuk mund t’i shpëtojnë egoizmit dhe xhelozisë që përmban një konkurrim i tillë. Kjo është edhe pika që shtron diskutim.
Por, nëse i referohemi fituesve të pesë viteve të fundit, ku si fitues respektivë janë shpallur këngëtarët Genta Ismaili, Armend Rexhepagiç, Aurela Gace, Jonida Maliqi, dhe këtë vit, Eliza Hoxha e Rosela Gjylbegu, kuptohet fare qartë se ky sistem i votimit, me pesë më shumë, ose pesë më pak, e ka çuar vazhdimisht këngën tek fituesi që e meriton. Pra, këngët totalisht më të mirat, janë vlerësuar. Sigurisht që subjektivizëm ka në çdo juri dhe rezultati do ishte më tepër jo real, nëse do mbësheteshim tek vota e vetëm 7 ose 9 anëtarëve. Ndërsa në rastin tonë, ku votojnë këngëtarët, kemi një shumatore prej 40-50 personash dhe si rrjedhojë, vota e tyre është më demokratikja e mundshmja.

Këngëtarë në “pole position”

“Kënga Magjike” pati mjaft prurje. Me përfundimin e tij mund të bëhet bilanci i asaj që pamë dhe përjetuam. Disa këngëtarë rikonfirmuan vlerat e tyre, disa të tjerë arritën të shkëputen me bindje nga vlerat e dyshimta të mëparshme, të tjerë nuk ishin “as mish, as peshk”, ndaj kaluan pa u vënë re, ndërsa një pjesë fatkeqësisht u prezantuan dobët.
Sot në Shqipëri ka disa tipe konkurimesh ku promovohet muzika e lehtë shqiptare, ka shumë prurje, të gjithë duan të këndojnë dhe të bëhen artistë. Por skena nuk është vendi ku mund të shkelë gjithkush. Pasi skena dhe spektatorët bëjnë gjithmonë shoshitjen e tyre:

Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu, ndër zërat më mirë të muzikës, jo thjesht pse fituan çmimin e parë. Eliza, me një eksperiencë më të gjatë skenike e Rosela me eksperiencë më të vogël, por gjithsesi dy vajza potente dhe me vlera. Ideja e bashkëpunimit të tyre, nisi një vit më parë, kur ata morën pjesë tek “Kënga Magjike” dhe u klasifikuan Rosela me vendin e 9-të dhe Eliza në të 10-tin. Që atëherë folën për mundësinë e një bashkëpunimi, që realisht qëlloi i suksesshëm dhe këtë vit u dhuroi çmimin e parë.  Kënga “Rruga e zemrës”, është një kompozim i maqedonasit Darko Dimitrov, me tekst të Elizës, ndërkohë që edhe vjet kënga fituese, kënduar nga Jonida Maliqi ishte një krijim i kompozitores maqedonase Kaliopi. Gjithnjë e më tepër po vihet re kërkesa në rritje e këngëtarëve shqiptarë për të kënduar këngë nga kompozitorë të huaj nga vende fqinjë.
Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu u ngjitën në skenë me një pamje prej rockstari. Frizura e flokëve të Elizës të kujtonte Jonida Maliqin e para një viti, duke marrë të njëjtin trofe, ndërsa pamja e Roselës tregonte shumë kg më pak dhe një krehje moderne.

Elvana Gjata, me prezantimin tek “Kënga Magjike” tregoi se është një këngëtare që nuk di të bëjë kompromise. Jo vetëm diferenca prej pesë pikësh me këngën fituese e dëshmoi këtë, por mbi të gjitha zgjedhja e këngës dhe vokali i saj. Këngëtare me ndjeshmëri dhe elegancë skenike. Kënga “Dhe zemra ndal”, një baladë e bukur dashurie, u vlerësua me çmimin e dytë.

Soni Malaj, një këngëtare që ka ditur të ndajë muzikën komerciale nga prezantimet serioze nëpër festivale. Nëse turbo- folku shet albume, muzika pop dhe sidomos baladat të japin emër të mirë dhe dëshmojnë për seriozitet artistik. Prandaj edhe kësaj rradhe ajo ka zgjedhur një baladë dashurie. Me look-un si të Rihanës ajo u paraqit në kënga Magjike me këngën “Zemër e pakurdisur”, me tekst të Pirro Çakos. Shumë aluduan se teksti është një mesazh pajtimi që Pirro i drejton ish bashkëshortes së tij, Inva, ndërsa vetë Pirro nuk është deklaruar publikisht për këtë tekst. Sa i takon Sonit, meritoi vendin e tretë. Por, megjithëse interpretimi i saj ishte i ndjerë, për çudi Soni akoma nuk ka mundur të bëjë një “boom” të saj në konkurrimet e këngëve. Dhe kjo nuk ka lidhje thjesht me çmimin, sepse çmimet shkojnë e vijnë, por me njëtrajtshmërinë e saj nga konkurrimi në konkurrim.

Flori Mumajesi: U prezantua me një këngë tendencë, me titullin “Play back”, për të cilën u vlerësua me çmimin “Hit”.  Ra në sy teksti i veçantë i këngës, muzika e saj, interpretimi, por edhe paraqitja skenike. Dihet se Florit gjithmonë i pëlqen të eksperimentojë me muzikën, aq më tepër kur një pjesë e këngëve konkurruese ishin krijime të tij muzikore. Por, nëse krijimet e tij prekin stile dhe rryma ekstreme të muzikës, kënga që kishte zgjedhur për vete ishte e tëra “trans” dhe aludohet se ishte një ironi e drejtpërdrejtë ndaj këngëtares Orinda Huta, dikur ish-mikeshë e tij. Në fakt ky është një detaj që do ta zgjidhin mes tyre Flori dhe Orinda. E vërtetë është se kënga është pritur mjaft mirë nga publiku, sidomos ai në moshë të re dhe pavarësisht qëllimit për të cilin u krijua, kjo këngë është publicitet për të dy këngëtarët.

Këngë e re, imazh i ri

Për shumë këngëtarë ky eveniment i këngës, bëri që ato të shkëputeshin përfundimisht nga vlerat e dyshimta dhe totalisht komerciale dhe të krijonin një imazh të ri por edhe të besueshëm tek publiku, lidhur me kapacitetet e tyre artistike dhe estetike. Spikasin Rozana Radi dhe Kastro Ziso.

Rozana: Falenderoj Adi Hilën që më ktheu tek muzika e vërtetë

Rozana Radi, me këngën e saj “Femër”, ka shënuar shkëputjen nga e kaluara si këngëtare komerciale. Ndryshimi i stilit, kërkesa për të qenë vërtet këngëtare profesionale dhe për të kënduar muzikë të vërtetë, ka rritur ndjeshmërinë e artistes për zgjedhje më të rafinuara. Fuqimisht Rozana Radi u shfaq në skenë me këngën “Femër”, një këngë me tekst- mesazh dhe muzikë që të ngelet në mendje. (teksti Radi/muzika Hila). Kënga e saj u nderua me çmimin “Kënga stil”. Për këngën ajo ka falenderuar kompozitorin që sipas saj, “duke i dhënë këtë këngë të bukur e ka kthyer Rozin tek muzika e vërtetë, të cilës nuk do t’i ndahet më”.

Kastro Ziso: E kam lënë Kastron, tani jam thjesht Klevisi

Kastro Zizo, me këngën “Pendimi”, solli jo vetëm një tekst të mirë dhe me mesazhe, por edhe një artist më se të kompletuar në performancën e tij. E kemi parë Klevis Begën (emri i artit Kastro Zizo) në ekzibicione të panumërta e gjithmonë ai ka tërhequr vëmendjen. Por asnjëherë nuk ishte shfaqur më i pjekur artistikisht sa tek “Kënga Magjike 2009”. Një këngë me gjetje origjinale, e stilit modern që zbulon një artist “trendy”, për të cilin skena e sotme e muzikës ka nevojë. I pa arritshëm në stilin e tij që vjen duke u perfeksionuar, por edhe guximin për ta zbuluar jetën private “lakuriq” përmes një kënge autobiografike.

Këngëtarët Vip
Sidrit Bejleri, Mira Konçi dhe Saimir Çili ishin këngëtarët Vip pjesmarrës në “Kënga Magjike 2009”. Secili prej tyre u vlerësua me nga një çmim të rëndësishëm. Çmimi “Jon music” shkoi për Sidrit Bejlerin, çmimi i Kritikës për Mira Konçin dhe çmimi Kontributi Artistik, shkoi për Saimir Çilin.

Adelina: Gazetat, “atentat ndaj meje”

(foto) Adelina Ismaili, surpriza e “Këngës Magjike 2009”, siç edhe ishte cilësuar disa herë nga Gjebrea e bëri bujën e rradhës, megjithëse kishte dhjetë vite që i mungonte skenës shqiptare. Këndoi këngën “Nuk ngec”, me të cilin mori çmimin e publikut, por nga ana tjetër u komentua ashpër nga faqet e gazetave dhe nga forumet në internet duke aluduar për kopjim të këngës dhe stilit nga këngëtare internacionale si Madona apo Lady Gaga. Pikërisht këto akuza e bënë këngëtaren që në natën finale të përgjigjej me një performancë të guximshme, që asnjë artiste tjetër nuk do të guxonte. U paraqit me veshjen e një murgeshe, dhe pasi bëri një dialog ironik me Arditin lidhur me “vlerat e femrës shqiptare”, vijoi të hiqte rrobat e tepërta një e nga një, për t’u shfaqur ashtu siç jemi mësuar ta shohim. “Jam kthyer pas dhjetë vitesh dhe dëshiroja që të sillja një Adelinë të vjetër, për të treguar pastaj Adelinën e re”, komentoi këngëtarja një ditë më pas. “Ky sulm që më ndodhi mua nëpër gazeta apo forume të internetit është normal, pasi në show- biznes-in shqiptar vetëm për art nuk flitet. Unë e kam thënë vazhdimisht, e them edhe tani: ka njerëz që më sabotojnë. Por jam shumë e lumtur që nuk ka pasur “atentat në mua”. Por kjo gjë nuk ndodh vetëm me mua, pasi edhe këngëtarë të tjerë janë masakruar. Unë jam vlerësuar nga Vaçe Zela, nga Ardit Gjebrea, nga Pirro Çako dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme…..le të shkruajnë çfarë të duan”, përfundon Adelina komentin e saj.
Kështu, rikthimi i Adelinës në “Kënga Magjike” nuk ka kaluar pa zhurmë, siç ndodh gjithmonë, ku ajo është prezente.

Gjebrea hap dyert për “të huajat”

Mikpritësi i këngëtarëve, që nga konkurrimi parë i “Këngës Magjike”ka qenë gjithmonë vetë Gjebrea. Shpesh herë ai ka drejtuar vetëm, por disa herë ka tentuar të ftojë bashkëprezantuese femra si, Natalia Estrada (2001 & 2002) dhe Brigitte Nielsen (2003). Sivjet ai kishte zgjedhur për prezantim dy femra të huaja, që të martuara me shqiptarë, jetojnë prej vitesh në Tiranë, romunen Carmen Gjani dhe ukrainasen Katja Kongoli.
Dy zonjat ia kanë dalë që për 3-4 ditë të bëjnë një punë rekord, pavarësisht se kjo ishte eksperienca e tyre e parë. Fillimisht ishte menduar që prezantues të ishin Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, si një homazh për kohën kur dy konferencierët drejtuan Festivalin e 11- të Këngës, meqë ky edicion i “Këngës Magjike” shënonte takimin e 11-të. Por për arsye personale të Luarasit, që ndodhej jashtë vendit, ndryshoi komplet skema dhe në pak ditë u vendos që dy bukuroshet lindore të ishin partneret e Ardit Gjebresë.

Pjesa më e madhe e kompozimeve në “Kënga Magjike” mbanin firmën e 2-3 kompozitorëve. Adi Hila, Pirro Çako dhe Flori Mumajesi ishin kompozitorët e  preferuar për këngëtarët pjesmarrës. Në fakt kjo është një dukuri që përsëritet pothuajse në të gjitha konkurrimet e këngës, duke u përqëndruar rreth 3-4 emrave preferencialë. Aq sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se janë të vetmit krijues në vend. Eshtë e drejta e këngëtarëve të zgjedhin bashkëpunimet, por duket e pakuptimtë që një eveniment i muzikës të mbahet vetëm në shumë pak emra.

Orinda Huta, Produkt 28, Inis Gjoni, Samanda Karavello, Orgesa Zaimi, Valon Shehu,etj., janë këngëtarë që nuk morën aq sa prisnim nga ky konkurrim. Disa prej tyre arritën në finale dhe morën një nga çmimet e shumtë, por që nuk justifikuan pritshmërinë e publikut.Të tjerët nuk arritën as në finale. Të gjithë këta duhet të nxjerrin mësime për të ardhmen, në mënyrë që të mos e shohin skenën si një vend ku duhet të jenë patjetër protagonistë, edhe kur nuk kanë se çfarë të japin aty. E sidomos kjo vlen për emra prej të cilëve nuk duam kurrsesi të zhgënjehemi.