Arsenali e bën lëmsh, Marseja pranë finales

2018-04-27T12:49:27+00:0027 Prill, 2018 12:48|Kategoritë: Futboll, Sport|
Marseja është një hap nga finalja e Europa League, që do të luhet në Lion, ndërsa Arsenali nuk përfiton dot nga gabimet e Atletikos dhe barazon në shtëpi me spanjollët, që luajtën me 10 lojtarë gjithë ndeshjen.

Arsenal-Atletiko Madrid  1-1

Shënues: 61′ Lakazet / 82′ Grizman

Arsen Venger drejtoi ndeshjen e fundit shtëpiake në karrierë si trajner i Arsenalit në kupat e Europës, por nuk ishte një kujtim i bukur. E nisi shumë mirë Arsenali, që goditi shtyllën me Lakazet pas 6 minutash, ndërsa në minutën e dhjetë Sime Vrsaljko tradhtoi Atletikon, sepse mori kartonin e dytë të verdhë të takimit, ndërkohë që Simeone protestoi ashpër dhe arbitri e ndëshkoi. Një pjesë e parë e dominuar nga Arsenali, por goli erdhi në minutën e 61-të me Lakazet. U duk se mori fund dhe do vinte goli i dytë për Arsenalin, por mbrojtja e Topçinjve e bëri lëmsh në fund, kur Grizman përfitoi nga një gafë e Kosielnisë dhe barazoi, gol shumë i rëndësishëm.

Marseille – Salzburg  2-0

Shënues: 15′ Thoven, 63′ N’Xhie

Paraqitje perfekte e Marsejës, që mund 2-0 Salcburgun në vajtjen e gjysmëfinaleve me nga një gol në çdo pjesë dhe i afrohet ndjeshëm finales. Protesta të Salcburgut për golin e parë vendas, sepse topi u devijua nga një prekje me dorë, por arbitri nuk pa asgjë. Në minutën e 63-të N’Xhoie shënoi golin e dytë dhe më pas Marseja kontrolloi mirë sulmet e Salcburgut, që u ankua shumë për arbitrimin dhe tashmë i duhet një mrekulli e vogël në shtëpi.