(Periudha mesjetare shek. XIII-XVI)(pjesa e I-rë)

Pak njihen si vepra arti dhe konkretisht si afreske dhe tablo me vlera të mëdha artistike edhe pse kishat ku ato ndodhen janë të njohura për njerëzit e interesuar pas kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Në këtë shkrim përveç artit të kohës së periudhës mesjetare, e cila shënon edhe fillimet e pikturës sonë do të paraqesim edhe nga afresket më të famshme, temat që ato trajtojnë dhe rrethanat në të cilat janë bërë. Të gjitha këto përbëjnë një krenari për ndjenjën kombëtare shqiptare

Gjatë mesjetës, arkitektura dhe piktura në Shqipëri bashkëjetuan në një unitet të plotë stilistik. Muret e trashë e masivë të shumicës së tempujve kristianë e humbasin përshtypjen e peshës reale nga zbukurimet e sajuara prej kombinimit me fantazi të motiveve të ndryshme prej tulle. Si një qilim i endur me mozaikë duken p.sh. muret e kishës në Mesopotam të Delvinës, margaritarit të rivierës shqiptare, afër Sarandës. Një si qilim tjetër, akoma edhe më madhështor me piktura vesh tejmbanë pjesët e brendshme të tempujve.

Dhe ndonëse kurdoherë e kudo i qendrohet besnik ikonografike bizantine e përcaktuar rigorozisht, një pasuri e tërë stilesh e nuancash të panumërta takohen brenda pikturave murale, fragmente të të cilave ruhen që nga shek.X. Në pikturën e hershme mesjetare u përdor në shkallë të gjerë ansambli i thurur me mozaikë, që aq shpesh ndeshet në godinat antike të vendit tonë, duke mbuluar tejmbanë dysheme të gjera. Doemos që në fazën kalimtare, piktura mesjetare, më shumë u mbështet në përvojën e frutshme të së kaluarës, se sa u përpoq t’i bëjë ndryshime regjistrit të përgjithshëm të trashëguar. Megjithatë tradita e përvetësuar mirë nga mjeshtri mesjetar, kurdoherë u përdor për të përçuar përmbajtjen simbolike e dogmatike kristiane.

Shprehjet spirituale larg antikitetit

Për herë të parë stili i ri shfaqet në mozaikun mural të faltores së vogël të adaptuar në amfiteatrin e qytetit antik të Durrësit. Mozaiku paraqet një skenë perandorake të realizuar me gurë natyrorë dhe mozaikë qelqi të zmaltuar me ngjyra të gjalla e të freskta. Është punuar me dorë të lirë e pa kurfarë sforcimi, po në një kompozim të mbyllur pa prespektivë, me figura të stilizuara në bazë të idealit estetik bizantin, për bukurinë e njeriut që largohet shumë nga ai i antikitetit. Gjithçka ikën me shpejtësi nga bota e vërtetë. Figurat duken si pa jetë, si hije të figurave reale por me një shprehje spirituale të theksuar.

Zhvillimin e shpejtë e të lartë të pikturës së hershme monumentale të realizuar me teknikën e freskës mund ta ndjekim në pikturën e shpellave eremite. Të hapura në vende të ashpra, por piktoreske, larg qëndrave të banuara, ato kanë mundur t’i shpëtojnë dorës së pushtuesve e grabitësve apo fuqive shkatërrimtare të natyrës, fat, të cilin nuk e kanë pasur shumë kisha e manastire të këtyre shekujve. Piktura e shpellave shqiptare të ngjall interes si për origjinalitetin ikonografik, me paraqitjen e shumë skenave të pazakonshme për Bizantin sikur janë, Krishti me tri pamje, skena Melizmos etj, ashtu edhe për vlerat e larta estetike që përmban në vetvete. Në pikturën e shpellës së Bllashtojnës shek. XII vijat lëvizin me një siguri të çuditshme mbi atë copë shkëmbi paksa të suvatuar.

Duke reflektuar stilin më të lartë të pikturës së formuar bizantine. A nuk mund të dilet së këtejmi në përfundimin logjik se, kur në një shpellë të largët e të humbur hasim kualitete të tilla të larta po kaq, në mos më të larta, duhet të kenë qenë pikturat e kishave dhe manastireve të qyteteve që, siç dihet, kudo e kurdoherë, i kanë paraprirë pikturës së shpellave? Lidhjen në mes të pikturave të shpellave eremite dhe të artit qe realizuan mjeshtrit e kategorive më të larta nëpër qytete e pikasim edhe në përsëritjen e asaj tradite që fillon me mozaikun e Durrësit e vazhdon në shekujt e mëvonshëm, për të paraqitur pranë figurave hyjnore edhe figura reale. Përfaqësuesit e pushtetit laik e fetar të provincës, sipas shembullit të perandorit e të oborrtarëve të lartë të kryeqytetit, e përjetësuan vetveten mes figurave hyjnore.

Në pikturën e shpellës së Letmit, në të dy krahët e dhuruesit të kishës, radhiten edhe shtatë pjestarët e familjes së tij në pozë lutëse me duar të çuara përpjetë nga shën Mëria dhe pantokratori.

Si janë trajtuar figurat laike

Figurat laike janë trajtuar si një brez dekorativ në miniaturë dhe mezi sa shquhen. Autori i tyre Stano, i vetmi freskist që njohim deri në periudhën e pushtimit turk, nuk mund të radhitet ndër piktorët e dorës së parë, por padyshim ai e njeh mirë artin e stilit të formuar bizantin. Përmbas naivitetit dhe trajtimit skematik të figurave dallojmë një ekspresivitet të madh. Me anë të vizave lakonike e të qarta. Stano ka ditur të japë modelin dhe elegancën e veshjeve të trupit e të kokës, e sidomos të mëngoreve, me ato motive popullore që hasen edhe sot në qendisjet e kësaj krahine. Këto elementë etnografikë që vërejmë në pikturën e shpellave, janë pjesë organike e asaj linje jetësore dhe realiste.

Mbi një copë shkëmb të fshatit Kallmet pranë Lezhës, vendvarrimit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, ruhet një fragment pikture që paraqet martiren Eufcmi, të hasur shumë rrallë në ikonografinë tonë. Shprehja thellësisht spirituale e fytyrës së heshtur të kujton sakaq pamjen e përvuajtur të një asketi që Bizanti e kultivoi me endje deri në fund të ekzistencës së tij.

Piktura e Kallmetit mbart tipare të atilla artistike që e lidhin ngushtësisht si me traditat paraardhëse të mozaikut ashtu dhe me ato të freskave të mëpastajme. Gama përgjithësisht e shuar e ngjyrave është jehonë e mozaikut të vonë antik që punohej me gurë natyrorë, ndërsa në format e përcaktuara qartë të kontureve, ndihet jo vetëm ndikimi i prirjeve monumentale por edhe i vetë teknikës së mozaikut bizantin.

Arti në kishat e Shqipërisë

Në shekujt XIII-XIV në vendin tonë u krijuan vepra të shumta artistike, ndër të cilat dallohen veçanërisht freskat e manastirit të Apollonisë e të Rubikut, të kishës së Vaut të Dejës, Maligradit në liqenin e Prespës, e shumë kishave të kalasë së Beratit, e të tjera.

Me vlera të larta artistike janë përgjithësisht dhe ikonat e kësaj periudhe. Ka midis tyre ikona me përmasa të mëdha të trajtuara në mënyrë të gjerë që tregojnë për ndikimin e pikturës monumentale. Por nga fundi i kësaj periudhe vemë re të kundërtën. Ky fenomen u duk në sistemin e copëzuar dekorativ të pikturave murale që i ngjajnë më shumë një ansambli të përbërë nga ikona të vendosura pranë e pranë.

Në një kishë tjetër të Shqipërisë së Veriut, në atë të Rubikut 1272 jehonën e kësaj tradite të lashtë e ndiejmë vetëm përmes disa elementeve ikonografike, ndërsa nga fundi i shek. XIII dhe fillimi i shek. XIV ajo do të tingëllojë edhe më e zbehtë. Si elementë orientalë mund të cilësohen objekte fare anësore si janë kapelat izraelite shumëngjyrëshe, të cilat do t’i pikturojnë me endje edhe piktorët tanë mesjetarë të mëvonshëm.

Ndikimet e artit perëndimor i ndiejmë fortë në arkitekturë. Katedralja e madhe e Sergut dhe Bakut buzë lumit të Bunës në Shkodër. Kisha e Vaut të Dejës po në Shkodër të dyja të shek. XIII dhe një numër kishash të shekujve të tjerë janë të stilit të pastër romantik. Ndikime të pjesshme të arkitekturës romanike vihen re dhe në kisha të stilit bizantin. Është interesante të theksohet se piktura në të gjitha kishat e stilit romantik ka qenë bizantine. Tradita bizantine ishte aq e fortë sa nuk i dha asnjë mundësi zhvillimi stilit të pikturës së perëndimit. Nga ajo, piktura bizantine mori vetëm disa elementë siç janë aksesorët e etërve të kishës, mitrat e skepterit, format e pergamenave ose edhe vetë mbishkrimet në gjuhën latine.

Lidhjen e pikturës sonë të shek.XIV me atë ballkanike e pikasim në ornamentikë, në përdorimin e motiveve të rrathëve të vargëzuar e të pleksur me njëri-tjetrin. Në fushën e tematikës këtë lidhje e dëshmon përfytyrimi i shumë asketeve në brezin e poshtëm të murit të kishës me shenjtorët në këmbë, cikli i çudive si dhe pikturimi i portreteve në fasadat e tempujve, të cilën e ndeshim dy herë tek ne, në Apolloni e Maligrad të Prespës.