Duke u futur në dasmë, të ftuarit mirëpriten nga servues që mbajnë tabaka argjendi plot dezinfektues dore dhe gota e shampanjës ofrohet nga një kamerier i veshur me një dorezë të bardhë. Në konfetën e secilit mysafir vendoset një dezinfektues dhe nja pako facoleta. Duket si një parodi, por ky mund të jetë realiteti i një dasme në kohën e koronavirusit.

Pyetja e madhe në mendjen e çifteve të fejuar është nëse duhet të shtyjnë apo jo planet e dasmave në javët dhe muajt e ardhshëm. Për disa, kjo përfshin procesin e kushtueshëm dhe që kërkon kohë të anulimit; për të tjerët, megjithatë, dasma duhet të bëhet.

Nuk është hera e parë që katastrofat e pakontrollueshme kanë goditur botën e dasmave. Për shembull uraganët kanë ‘dëbuar’ dasmat në plazhet e Karaibeve. Virusi Zika largoi shumë dasma që kishën destinacion Meksikën. Po ashtu edhe 11 shtatori ngjalli frikë dhe shumë fluturime drejt Nju Jorkut mbetën veç në plan.

Për këtë qëllim, planifikuesit e dasmave, fotografët dhe hotelierët po vijnë me mënyra krijuese për t’i mbajtur të porsamartuar dhe miqtë e tyre të sigurt.

“Çiftet nuk do të ndalojnë së martuari për shkak të koronavirusit,” thotë Amy Shey Jacobs, projektuesi në Chandelier Events.

“Unë rekomandoj që ata të kenë një listë të të gjithë miqve të tyre që do kenë në event. Nëse shumica e miqve të tyre janë midis 20 dhe 40 dhe shumë të shëndetshëm – vetëm atëherë do të mendoja se dasma do të zhvillohej. Sidoqoftë, nëse është e rëndësishme që çifti të ketë gjyshërit e tyre dhe të ftuarit më të vjetër, unë rekomandoj që çifti të rishqyrtojë ose të shtyjë dasmën.”

Por nëse çiftet nuk duan të shtyjnë ditën e dasmës, këtu janë disa sugjerime kryesore për tu mbrojtur kundër COVID-19.

Ndani informacionin

Planifikuesit janë duke punuar me çifte për të shtuar seksione në faqen e tyre të dasmës dhe për të dërguar komunikim te mysafirët në lidhje me procedurat e sigurisë, duke përfshirë larjen e duarve, mbajtjen e dezinfektuesve të duarve dhe shmangiet e takimeve personale.

Vendosni dezinfektuesin e duarve

Një tabaka argjendi e mbushur me shishe dezinfektante. Shumë planifikues ndajnë shembuj se si të shfaqin bukur shishet e xhelit të duarve. Ju mund t’i përfshini ato si pjesë të konfetave të mirëseardhjes ose të vendosni një në secilën nga tryezat e pritjes.

Shmangni përqafimet

Sado e vështirë të jetë, shmangni kontaktin person me person. Përqafimet i lini pasi të kalojë situata e virusit.

Dasmë intime

Zvogëloni numri e të ftuarve. Bëni një dasmë intime, me familjarët dhe rrethin tuaj të ngushtë.

Lidhjet live

Teknologjia sot mund të ndihmojë shumë në zhvillimin e një martese. Çfarë të bëni nëse gjyshja dhe gjyshi nuk mund të fluturojnë për shkak të koronavirusit. Shumë planifikues ofrojnë kamera virtuale 360 ​​gradë që transmetojnë live ceremonitë e dasmës, dollitë, vallet, etj.

Shërbimi të ofrohet me doreza të bardha

Të gjithë po veshin doreza. Planifikuesit e shumtë shprehen se kanë blerë doreza të bardha për stafin. Po ashtu planifikuesit po ofrojnë edhe doreza të zbukuruara për mysafirët, neës ata duhet të kapen për dore për vallet.

Ndërroni menyrën  e ofrimit për vaktin ushqimor

Askush nuk dëshiron të fusë dorën në buffet me ushqime. Është mirë që ushqimi të ofrohet I paketuar dhe individual.

Dezinfektoni gjithçka

Pajisjet e vogla të teknologjisë si telefonët, kompjuterët dhe çelësat e makinave kanë shumë mikrobe në përgjithësi. Kjo vlen edhe për mikrofonat apo vendin ku do bëni fotografitë. Është mirë të pastrohen gjithë kohës së dasmës.

Vazhdo të buzëqeshësh

Këshilla që iu jepet zakonisht çifteve është të qëndrojnë të sigurt dhe të vazhdojnë të buzëqeshin.

“Mos lejoni që një virus të vjedhë këtë moment të mahnitshme të jetës tuaj. Mund të jetë ndryshe nga sa keni planifikuar, por mund të zbuloni se është edhe më kuptimplotë dhe romantike”, thonë planifikuesit e dasmave./Fortune