Shumëkush, në një intervistë pune mund të ketë dëgjuar cilësimin se është “i mbikualifikuar” për atë pozicion pune.

Më poshtë janë arsyet më të shpeshta pse jeni cilësuar “i mbikualifikuar” dhe se si mund të veproni.

 

Nuk dinë si t’ju refuzojnë

Disa rekrutues nuk janë të trajnuar t’ju thonë një arsye konkrete dhe ndonjëherë do t’ju japin një shpjegim të përgjithshëm dhe të paargumentuar.

Të qenët “të mbikualifikuar” nuk është domosdoshmërisht diçka negative, por nuk ju jep as rezultatet që dëshironi.

Megjithatë, nëse shihni se bëhet fjalë për një model apo një feedback të zakonshëm që ju thuhet vazhdimisht, atëherë arsyeja e vërtetë mund të jenë elemente të tjera në listë.

Pyesni rekrutuesin për një arsye specifike dhe dëgjoni këshillat e tij për intervistat e ardhshme.

 

Ata mendojnë se do të jeni i interesuar për një kohë të shkurtër

Rekrutuesit ndonjëherë mendojnë se ata që kanë kualifikime më të larta se ato që kërkohen për vendin e punës mund të shfrytëzojnë kompaninë e tyre për një periudhë të shkurtër.

Duhet marrë në konsideratë edhe ky aspekt, pasi punësimi i një punonjësi të ri kërkon përpjekje dhe burime, që mund të mos jenë në lartësinë e duhur të investimit, në rastin se punonjësi largohet pas një projekti në afat të shkurtër.

 

Pritshmëritë për pagën janë shumë të larta

Një CV e pasur me shumë përvoja mund ta bëjë një punëdhënës me një buxhet të kufizuar të hezitojë.

Kjo nuk do të thotë se ju duhet të ulni pritshmëritë, por duhet të mbani parasysh se të gjitha kompanitë marrin në konsideratë përfitimet e tyre kur punësojnë.

Për këtë arsye është më mirë të dëgjoni rekrutuesin në lidhje me pagën para se të shprehni pritshmëritë, pa asnjë bazë.

Ju mund të thoni se jeni elastik në lidhje me pritshmëritë e pagës dhe se do t’ju pëlqente të dëgjonit mendimin e tyre mbi buxhetin për këtë pozicion pune.

 

Ata mendojnë se ju nuk mund të përshtateni

Është e padrejtë, por disa rekrutues priren të privilegjojnë kandidatët më të rinj krahasuar me ata më të mëdhenj në moshë, thjesht sepse mendojnë se këta të fundit nuk mund të përshtaten me mjediset e reja.

Edhe pse e dimë se kjo nuk është e vërtetë, ka momente kur përshtatja me teknologjinë apo mjete të reja pune mund të jetë një sfidë për cilindo, pavarësisht moshës.

Lajmi më i mirë është se mund t’i kapërceni këto supozime dhe të angazhoheni që të mësoni aftësi të reja të dobishme për rolin.

Ju mund të bëni një listë të teknologjive dhe instrumenteve në zhvillim, për rolin dhe sektorin tuaj dhe të familjarizoheni me to.

Nuk është e nevojshme që të regjistroheni në kurse të kushtueshme për ta bërë këtë, mund ta nisni edhe me mësime të thjeshta në YouTube.

 

 

Ju mund të keni frikësuar përgjegjësin e rekrutimit

Pjesa më e madhe e njerëzve mendon se është një avantazh të keni kualifikime me peshë. Megjithatë, jo të gjithë e shohin në të njëjtën mënyrë.

Në disa raste, përgjegjësit e rekrutimeve ndihen të frikësuar nga vitet e përvojës së kandidatit dhe zgjedhin një tjetër me të njëjtin status quo me ta.

Është një e vërtetë e hidhur kur bëhet fjalë për punësime, por në fund të fundit do t’ju kursejë shumë dhembje koke nëse nuk do të punoni me këtë tip drejtuesi.

Ju keni nevojë për një vend pune, ku aftësitë dhe përvojat tuaja të shpërblehen, jo të shtypen.

Shihini këta drejtues si një bekim dhe ecni përpara, në mënyrë që të takoni të tjerë njerëz që do t’ju rrisin në karrierë.

 

Çfarë të bëni më pas

Edhe pse nuk duhet t’i fshihni përvojat dhe aftësitë profesionale, theksimi i atyre që janë më të rëndësishme mund t’ju ndihmojë që të mos cilësoheni si “shumë i kualifikuar” dhe ta fitoni vendin e punës.

Një prej gabimeve të kandidatëve është përfshirja në CV e të gjithë arritjeve, titujve në studim dhe përvojave të punës.

Nëse keni më shumë se dhjetë vite përvojë, kjo mund të jetë e tepërt për një rekrutues dhe nuk nxjerr në pah përvojat specifike.

Pasi të vendosni të aplikoni për një rol, shihni me vëmendje atë që po kërkohet dhe përputheni CV me detajet që kanë rëndësi.

Mund të jetë gjithashtu e dobishme të hiqni nga CV vitin e diplomimit dhe përvojat e hershme.

Kini parasysh që kjo është historia juaj dhe mund ta tregoni në mënyrën që mendoni se nxjerr në pah gjërat tuaja më të mira.

Të jesh “i mbikualifikuar” të dhemb, por dijeni se jeni në rrugën e duhur dhe shumë shpejt do të vijë momenti juaj.

Forbes, Monitor.al