Disa nga vendet më të lumtura në botë, janë edhe vendet më të mira për gratë.

Islanda, Finlanda, Suedia, Norvegjia dhe Zelanda e Re, shfaqen të gjitha në top 10-shen e dy renditjeve kryesore: listën vjetore të Raportit të Lumturisë Botërore, të vendeve më të lumtura në botë, si dhe Raportin Global të Hendekut Midis Gjinive të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i cili rendit vendet me barazinë më të lartë midis gjinive në botë.

Ndërsa asnjë raport nuk është përditësuar, që nga viti 2023, këto vende kanë udhëhequr botën drejt arritjes së barazisë midis gjinive dhe rritjes së lumturisë së banorëve për vite me radhë, duke u renditur lart në të dyja listat, që nga të paktën 2018.

Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillimin e Qëndrueshëm të OKB-së, organizata që qëndron pas Raportit Botëror të Lumturisë, përdor gjashtë faktorë, për të vlerësuar lumturinë e vendeve: mbështetjen sociale, të ardhurat, shëndetin, lirinë, bujarinë dhe mungesën e korrupsionit.

WEF krahason ndryshimet midis gjinive të vendeve në katër dimensione: mundësitë ekonomike; arritjet arsimore; shëndetin dhe mbijetesën; dhe fuqizimin politik.

Nuk është rastësi, që vendet më të lumtura në botë, gjithashtu mbrojnë barazinë midis gjinive në aspektin social dhe ekonomik. Banorët dhe ekspertët e vendeve të punës në këto vende, thonë se qëndrimet pozitive ndaj barazisë midis gjinive, kontribuojnë në mirëqenien e përgjithshme të banorëve të saj.

Më poshtë paraqiten vendet më të lumtura (kolona e parë) dhe vendet me barazinë më të madhe midis gjinive (kolona e dytë):

Burimi: World Happiness Report, World Economic Forum

Si i përdorin vendet nordike politikat sociale për të promovuar barazinë midis gjinive dhe lumturinë

WEF vendos një korrelacion të qartë, midis politikave sociale, lumturisë së familjeve dhe përparimit në karrierë të grave.

Vendet nordike – Islanda, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia – kanë disa nga politikat më bujare të pushimit të paguar për prindërit në botë.

Në Norvegji, prindërit e rinj, kanë të drejtë për një total prej 49 javësh leje, me pagesë të plotë ose 59 javë me pagesë 80%. Prej tyre, 15 javë janë të rezervuara për nënën, 15 javë për babain dhe 19 javët e mbetura, mund të ndahen mes tyre sipas dëshirës.

Qasja në kujdesin e përballueshëm të fëmijëve, në disa prej këtyre vendeve, është një burim tjetër për rritjen e mirëqenies së grave dhe familjeve.

Në Norvegji, rritja e financimit të qeverisë për çerdhet, ka shtyrë më shumë nëna të kthehen në fuqinë punëtore, ndërsa Suedia ka një nga përqindjet më të larta të nënave në fuqinë punëtore, të 38 vendeve të numëruara nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Përparimi për paga të barabarta mund të nënkuptojë punonjës më të lumtur

Disa nga vendet më të lumtura në botë, kanë prezantuar masa për tkurrjen e hendekut midis gjinive të pagave. Ekspertët e vendit të punës, thonë se përpjekje të tilla, mund t’i ndihmojnë punonjësit të ndihen më të sigurt dhe të kënaqur në karrierën e tyre.

Në gusht, qeveria e Zelandës së Re, prezantoi legjislacionin për t’u kërkuar bizneseve të mëdha, të raportojnë gjendjen e ndryshimeve të pagave midis gjinive, në një përpjekje për t’i bërë vendet e punës më të barabarta.

Ndërsa është e paqartë se kur, ose nëse, një legjislacion i tillë mund të miratohet, Zelanda e Re ka tashmë një nga ndryshimet më të vogla të pagave midis gjinive në botë, që qëndron në rreth 14%, sipas WEF.

Gjashtë vjet më parë, Islanda prezantoi një politikë, që kërkon që organizatat me më shumë se 25 punonjës, të dëshmojnë se i paguajnë burrat dhe gratë në të njëjtat role, në mënyrë të barabartë.

Ndërsa WEF përcakton hendekun e pagave midis burrave dhe grave në Islandë në 21%, burime të tjera, duke përfshirë OECD, e vendosin hendekun afër 10%.

Nëse kompanitë tregojnë se, i paguajnë punonjësit e tyre në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga gjinia, ato marrin një certifikatë. Duke filluar nga viti 2020, certifikimi u bë një kërkesë për punëdhënësit me 25 ose më shumë punëtorë, dhe kompanitë pa certifikim, paguajnë një gjobë ditore, sipas Ines Wagner, profesore kërkimore në Institutin për Kërkime Sociale në Oslo, Norvegji.

Wagner studioi ndikimin e politikës së transparencës së pagave të Islandës, në mirëqenien e punonjësve, dhe zbuloi se punonjësit dhe menaxherët, raportuan kënaqësi më të lartë në punë dhe besim në vendin e punës, pas zbatimit të saj.

Megjithatë, vendet më të lumtura – madje edhe vendet më të mira për gratë – janë larg të qenit perfekte. Në Islandë, për shembull, dhjetëra mijëra gra, morën pjesë në një grevë njëditore në tetor, për të protestuar ndaj hendekut të vazhdueshëm midis gjinive të pagave dhe dhunës me bazë gjinore, me të cilën përballen gratë islandeze.

Claudia Bernhard-Oettel, profesore e psikologjisë organizative në Universitetin e Stokholmit të Suedisë, shton: “Edhe nëse jemi më përpara se vendet e tjera, kur bëhet fjalë për barazinë midis gjinive dhe lumturinë, ka ende shumë punë për të bërë.” / CNBC