Një vaksinë e re kundër koronavirusit është provuar të jetë efektive 89.3 për qind në eksperimentet e fazës së tretë të zhvilluar në shkallë të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar.

Vaksina e zhvilluar nga Novavax është e para gjithashtu që ka treguar efektshmëri edhe kundër variantit të ri të virusit të zbuluar fillimisht në Britani.

Kryeministri britanik e mirëpriti “lajmin e mirë” dhe tha se rregullatori i barnave në Mbretërinë e Bashkuar do të vlerësojë të dhënat, për t’i dhënë më pas dritën jeshile për përdorim.

Mbretëria e Bashkuar ka porositur 60 milion doza të vaksinës, të cilat do të prodhohen në Stockton-on-Tees, në verilindje të Anglisë.

Dozat pritet të dorëzohen në gjysmën e dytë të këtij viti, nëse miratohen për përdorim nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA), tha qeveria.

Britania e Madhe ka miratuar deri më tani tre vaksina të koronavirusit për përdorim emergjent, vaksinën e AstraZeneca, atë nga Pfizer dhe BioNTech dhe vaksinën nga Moderna.

Vaksina Novavax, e cila jepet në dy doza, u provua se ishte 89.3% efektive në parandalimin e Covid-19.

Në testimet e Fazës 3, faza e fundit para se një vaksinë të shikohet nga një rregullator, morën pjesë më shumë se 15 mijë persona të moshës midis 18-84, nga të cilët 27% ishin mbi moshën 65 vjeç, tha kompania britanike Novavax./BBC