Ka shumë mundësi, që java e punës të rishikohet, nga pesë ditët standarde në katër, pasi po fiton shumë popullaritet falë përpjekjeve të organizatës 4 Day Week Global.

E themeluar në vitin 2019, organizata jofitimprurëse ka nisur konceptin e një jave katër-ditore si mënyrë e re pune.

Programet pilote, të suksesshme në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Bruksel, SHBA dhe Zelandën e Re, kanë zbatuar parimin 100-80-100: punonjësit marrin 100 % pagë, për 80 % të kohës së punës, me 100 % arritje të objektivave të produktivitetit.

Ekuilibri punë – jetë dhe burnout, janë shqetësimet kryesore në kulturën e korporatave.

Një sondazh i Microsoft me 20,000 njerëz, në 11 vende, zbuloi se pothuajse 50 % e të anketuarve, ndiejnë burnout për shkak të punës.

Punëdhënësit dhe punonjësit kërkojnë mënyra të reja, për të menaxhuar stresin në vendin e punës dhe ndikimin e tij në mirëqenien dhe shëndetin mendor.

Portugalia është vendi më i fundit europian, që eksperimentoi me një javë pune katër-ditore dhe ka miratuar një program provë.

Aktualisht, 39 biznese të sektorit privat, janë regjistruar në programin e financuar nga qeveria, i cili do të zhvillohet gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

E drejta për t’u shkëputur

Me 72 % të fuqisë punëtore portugeze, që punon në mbi 40 orë në javë, duke e bërë atë vendin anëtar të Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (Organisation for Economic Co-operation and Development, OECD), me javën e tretë më të gjatë të punës, pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, programi pilot jo vetëm, që do të revolucionarizojë javën e tyre të punës, por gjithashtu do të ndihmojë në konsolidimin e rishikimin e kushteve të punës në vend.

Në vitin 2021, u miratua një ligj, që i ndalonte drejtuesit të dërgojnë email, të telefonojnë dhe të dërgojnë mesazhe punonjësve, jashtë orarit të punës të kontraktuar, në një përpjekje për të përmirësuar ekuilibrin punë-jetë.

Në mënyrë të ngjashme, prindërit me fëmijë nën moshën tetë vjeç, tani kanë të drejtë të punojnë nga shtëpia për një kohë të pacaktuar, pa kërkuar miratimin paraprak nga punëdhënësi i tyre, në përpjekje për të lehtësuar angazhimet familjare, dhe për të lehtësuar barrën e përgjegjësisë shtëpiake, mbi prindërit që punojnë.

Përmirësimi i së ardhmes

Në fund të provës në Mbretërinë e Bashkuar, 92 % e punëdhënësve, thanë se do të vazhdonin zbatimin e javës katër-ditore të punës. 30 % të tyre e bënë javën e punës përfundimisht më të shkurtër.

Përfitueshmëria në përgjithësi, mbeti e njëjtë dhe 71 % e punonjësve, raportuan më pak stres dhe burnout. Pati gjithashtu një ulje prej 65 % në ditët me raport.

Me kaq shumë punonjës, që preferojnë javën katër-ditore të punës, tërheqja e talenteve është një tjetër rezultat potencial pozitiv, për ekonominë e Portugalisë, dhe do të ndihmonte në konsolidimin e përpjekjeve të saj të vazhdueshme, për të inkurajuar punonjësit e sektorit teknologjik, të shpërngulen atje.

Në tetor 2022, Portugalia filloi zbatimin e programit të vizave për nomadët dixhitalë, duke lejuar profesionistët e lirë dhe punonjësit në distancë nga vendet jo-BE, të banojnë në vend deri në një vit. Pas një viti, pjesëmarrësit mund të aplikojnë për leje qëndrimi të përhershme.

Mbi 200 viza janë miratuar, që nga fillimi i skemës, ku shumica e aplikantëve vijnë nga SHBA, Britania e Madhe dhe Brazili. / Monitor