“Mbështetja e së gjithë jetës në Tokë”, flora dhe fauna e egër, që janë në rrezik të madh zhdukje. Kjo është tema e Ditës Botërore të Natyrës (World Wildlife Day), e themeluar nga Kombet e Bashkuara, 8 vite më parë, dhe është më 3 Mars të çdo viti.

 

Përse festohet më 3 Mars?

3 Mars 1973 është një datë e rëndësishme për natyrën. Në atë datë, në Uashington DC, SHBA, përfaqësuesit e 80 vendeve nënshkruan Konventën CITIES – Konventa për Tregtinë Ndërkombëtare të specieve të florës dhe faunës në rrezik zhdukje.

 

Një marrëveshje historike mes kombeve

Konventa CITIES është një marrëveshje midis Qeverive, e cila synon të garantojë që tregtia ndërkombëtare e ekzemplarëve të kafshëve dhe bimëve të egra nuk kërcënon mbijetesën e tyre.

Më 20 dhjetor 2013, në sesionin e 68-të, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA) shpalli 3 Marsin – ditën e nënshkrimit të asaj Konvente – si një datë simbolike për të festuar dhe për të rritur ndërgjegjësimin në botë mbi nevojën e mbrojtjes së kafshëve dhe bimëve të egra të planetit.

Tema e këtij viti

Çdo vit, kjo datë tërheq vëmendjen e botës me një temë të ndryshme: Dita Botërore për këtë vit titullohet: “Pyjet dhe burimet e jetesës – mbështetje njerëzve dhe planetit”. (“Forests and Livelihoods: Sustaining People and Planet,” )
Nisma synon të kujtojë rolin jetik të pyjeve dhe ekosistemeve të tyre të çmuara në mbijetesën e qindra miliona njerëzve në të gjithë botën. Në veçanti, të komuniteteve autoktone dhe lokale, që kanë lidhje historike me zonat e pyllëzuara dhe zonat aty pranë.

Mbrojtja e këtyre popullatave është në linjë me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Qeveritë e botës janë zotuar të zbusin varfërinë, duke garantuar përdorim të qëndrueshëm të burimeve dhe ruajtjen e tokës vitale.

 

Pyjet, burim i jetës

200 deri në 350 milionë njerëz jetojnë brenda ose afër zonave pyjore në të gjithë botën, duke u mbështetur te ekosistemi për të mbuluar nevojat e tyre elementare, duke përfshirë ushqimin, strehimin, energjinë dhe ilaçet.

Rreth 28% e sipërfaqes së planetit aktualisht menaxhohet nga popujt autoktonë, duke përfshirë disa nga pyjet më të paprekura në planet nga pikëpamja ekologjike. Këto hapësira nuk janë vetëm thelbësore për mirëqenien e tyre ekonomike dhe personale, por edhe për identitetet e tyre kulturore.

“Do të gjesh më shumë në pyje se sa në libra. Pemët dhe shkëmbinjtë do t’ju mësojnë gjëra që asnjë mësues nuk do t’jua thotë” – thoshte Bernardo di Chiaravalle, teolog francez, themelues i abacisë së famshme të Clairvaux.
Për fat të keq, çdo vit zhduken më shumë se 13 milionë hektarë pyje. Megjithatë, ka ende disa pyje të bukura: disa duken sikur kanë dalë nga një libër me përralla, të tjerë – të errët dhe të frikshëm- nga një film horror. Të gjithë – megjithatë – ia vlejnë të vizitohen.

Burimi: Corriere della Sera