Në sfond të emergjencës për jetët e gjalla dhe dhimbjes për jetët e humbura, qyteti i dytë më i madh në vend, Durrësi, ka pushuar se jetuari.

Ngjan me një fantazme në buzëmbrëmje. Pak dritare me drita ndezur, njerëz që ikin e vijnë si hije ende të strukur në frike nxitojnë të shpëtojë gjësendi nga gjërat e mbetura.

Të gjitha bizneset kanë ulur qepenat, hotelet e dëmtuar përgjatë bregut në mos janë rrafshuar, presin të rrafshohen.

Durrësi zë 10 % të PBB

Sipas të dhënave të INSTAT Durrësi kontribuon në 10 për qind të ekonomisë shqiptare sipas vlerësimit për vitin 2017. Durrësi është qarku i tretë në vend pas Tiranës dhe Fierit për kontributin në ekonominë kombëtare. Në Durrës janë rreth 13 për qind e ndërmarrjeve aktive në të gjithë vendin ose rreth 13 mijë ndërmarrje. Aktiviteti i turizmit furnizon pothuajse 53 për qind të ekonomisë së qytetit, nëpërmjet sektorëve të tregtisë, shërbimeve, akomodimit dhe bar restoranteve.

Për shkak të infrastrukturës rrugore aerportuale, Durrësi e ka zhvilluar edhe sektorin e industrisë i cili zë 18 për qind të ekonomisë së qytetit, ndërsa bujqësia nuk zë më shumë se 15 për qind të ekonomisë qytetit. Vitet e fundit turizmi në këtë qyteti u fut në shinat e një industrie të mirëfillte, duke shitur prenotime në avancë për agjencitë e huaja. Ndërtimi i hoteleve mori një zhvillim të vrullshëm në qytet duke rikthyer standarde të luksit për pushuesit kryesisht ceke dhe nordikë përveç turizmit tradicional.

 

13 % e ndërmarrjeve në rang vendi janë në Durrës

Në vitin 2017 në qytetin e Durrësit numëroheshin rreth 13 mijë ndërmarrje sipas të dhënave të INSTAT, ose rreth 13 për qind e bizneseve të gjithë vendit. Bizneset në Durrës janë të përqendruara në sektorët e turizmit dhe industrisë. Në Durrës është e zhvilluar industria fasone dhe bizneset call -center. Qyteti ka të zhvilluar edhe aktivitetin e transportit për shkak se përveç përfshirjes me autostradat më të rëndësishme kombëtare ka portin më të madh në vend dhe hekurudhën aktive.

 

Në Durrës jeton 10 % e popullsisë

Për nga popullsia qyteti bregdetar është i dyti më i madh pas Tiranës më 289,628 banorë dhe jeton më shumë se 10% e popullsisë së gjithë vendit. Tirana dhe Durrësi janë qarqet e vetme me një koeficient bruto të migrimit të brendshëm pozitiv, përkatësisht me një shtesë prej 8,1 dhe 2,8 persona për një mijë banorë. Tirana dhe Durrësi kanë parë dyndje të popullsisë nga qarqet e tjera, kështu që popullsia e tyre ka qenë gjithnjë e në rritje në këto tre dekadat e tranzicionit. Për rrjedhojë pesha e qarkut të Durrësit në ekonominë e vendit ka ardhur në rritje dekadat e fundit.

 

7,5 % kontribut në punësim

Qarku i Durrësit punëson 7,5 për qind të punëmarrësve në shkallë vendi. Të punësuarit në Durrës 52,2 % janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve, 34,2 % në sektorin e industrisë dhe 13,6 % në sektorin e bujqësisë. Siç shihet sektori i turizmit është punëdhënësi më i madh në qark. Ofruesit më të mëdhenj të punës ishin hotelet e vendosura në vijën bregdetare, të cilat u shkatërruan thuajse tërësisht nga tërmeti i 26 nëntorit.

Durrësi, “kryeqyteti’ i turizmit

Plazhi i Durrësit është plazhi me i populluar i Shqipërisë, për shkak të përqendrimit të madh të hoteleve dhe qendrave të banimit. Durrësi është ofruesi më i madh i turizmit familjar, kulturor dhe së fundmi edhe me turizmin e organizuar me turiste të huaj.

Durrësi është gjithashtu një zonë e rëndësishme arkeologjike, pasi nën qytetin aktual gjenden disa shtresa qytetërimesh antike. Zbulimet arkeologjike janë të shumta, ndërsa ndërtimet e dekadave të fundit kanë dëmtuar një pjesë të kësaj trashëgimie.

Turizmi veror dhe kulturor është një industri me ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Durrësit. Me miliona vizitorë në vit, kjo është zona më e rëndësishme e vendit në lidhje me turizmin masiv. Sipas Zyrës Rajonale të Punës të Durrësit, forcat aktive për të punuar llogariten rreth 54,000 njerëz. Nga tërmeti i fundit janë shkatërruar tërëisht rreth 30 hotele dhe të tjerat janë jashtë funksionin, duke i i dhënë kështu një goditje fatale zemres turistike të vendit.

\\

 

/MONITOR.AL