Java që kaloi mund të vlerësohet si interesante për nga zhvillimet në trojet shqiptare.
Duhet të themi, jo vetëm politike, por edhe më gjerë, sepse me të filluar muaji, kufiri i mbyllur artificialisht prej COVID-19, u hap dhe vërshimi i mjeteve e njerëzve në të dy drejtimet ishte mbresëlënës e si zakonisht, më i lartë nga Kosova për në Shqipëri, e ku vëllezërit kosovarë u dyndën të përmalluar si për detin, por edhe për biznes.
Për dikë që nuk ka ndjekur lajmet e politikës në rajonin tonë e u hedh një sy shifrave, si të rasteve të konfirmuara të infektimit, edhe të fataliteteve të shkaktuara nga koronavirusi në të dy anët e territorit të kombit tonë e duke vlerësuar se sa të ulëta kanë qenë, nuk ka si të mos habitet se përse komunikimi u ndërpre dhe hapja nuk u krye edhe përpara 1 qershorit.

Por, për cilindo shqiptar që ka ndjekur, qoftë edhe shkarazi emisionet e lajmeve në Shqipëri apo Kosovë, nuk ka asnjë habi.

Ky lloj qëndrimi u vulos që ditën kur Albin Kurti, si Kryeministër i porsazgjedhur i Kosovës, erdhi në Tiranë. Pasi qëndroi pothuaj gjysmë dite në takim kokë më kokë me Ramën, dha në konferencën e përbashkët të shtypit, deklaratat e qarta që, vizioni i tij, nuk kishte pikëtakimi me atë të “Ismail Qemalit” të këtej kufirit.

Pas kësaj konference shtypi të kryeministrave të të dy territoreve u bë e qartë se buka ish thyer dhe nuk mund të ngjitej më. Me gjasë, Kurti ka qenë i prerë që të mbante një linjë të përballjes me Serbinë, me variantin e reciprocitetit, sikurse shprehej ai vetë, e këtë ia ka thënë pa hezitim në sy pikërisht Ramës. Një qëndrim i tillë ndaj KM të Republikës së Shqipërisë zhvleftësonte shumë pozitën e këtij të fundit para partnerëve ndërkombëtarë, të angazhuar në rajon.
Për shumë më pak se kaq, KM Rama në Berlin ish grindur e përplasur keq, pak muaj më parë me Haradinajn, KM i Kosovës në atë periudhë, kur në sy të liderëve europianë, Merkel e Makron, ky i fundit e kish refuzuar dhe injoruar, lutjen e Tiranës që të pezullonte taksën 100% të vendosur për hyrjen e mallrave serbe në Kosovë, me qëllim rifillimin e bisedimeve Serbi-Kosovë.

Konferenca për shtyp në Tiranë e Kurtit me Ramën ishte një shpallje publike për gjithë dynjanë se ndërmjetësi i Tiranës për nxitjen e bisedimeve Beograd-Prishtinë, aktualisht nuk kish dhe as nuk do të kish në të ardhmen asnjë kontribut në ecurinë e dialogut me Serbinë për Qeverinë e re “Kurti” të Kosovës. Për të mos thënë që qenia e Ramës, në krye të Tiranës zyrtare, mund të konsiderohej me ndikim negativ.

Por nëse Kurti i Kosovës ishte i sapoardhur në detyrë e filloi të merrej me punët e tij të terrenit, nuk mund të thuhet e njëjta për këtë të Shqipërisë, që edhe për faktin e mbylljes ndaj COVID duket se rezultoi mjaft i ngeshëm për të punuar për pjesën jashtë territorit, që mbulon administrativisht dhe për të dhënë dorën e tij, me sa mundej, për t’ia shkurtuar ditët e homologut në krye të qeverisë matanë. E këtu, rezultati, për të mos i ngrënë hakun nuk mungoi.

Tashmë nuk ka asnjë dyshim se vijimësia e negociatave Beograd-Prishtinë ka pasur një kallauz në KM e Tiranës, i cili ka qenë edhe i vetofruar në tryezat diplomatike, si personi që do të ndikonte më së shumti në realizimin e negociatave mes palëve për një kompromis, bile edhe me mundësinë e ndryshimit të vijës kufitare. Që kjo ka qenë në tavolinë, për këtë nuk ka njeri që të ketë sot edhe më të voglin dyshim.

Që zgjidhja për Kosovën, çlirimin e saj, pavarësimin dhe njohjen në arenën ndërkombëtare si shtet i pavarur është meritë kryesisht e miqve tanë perëndimorë e, posaçërisht, e angazhimit të administratave e presidentëve amerikanë, e dinë i madh e i vogël. Momenti i zgjedhur prej tyre, për secilin nga hapat që përmendëm e që janë realizuar me sukses, është bërë duke shfrytëzuar koniunktura të caktuara ndërkombëtare e duke përfituar nga lëvizje strategjike në arenën botërore. Ne si shqiptarë do të duhet të jemi mirënjohës për rezultatet e arritura dhe do të duhet të jemi të vëmendshëm për këshillat që këta miq na japin edhe për të ardhmen. Është detyra e obligimi primar i politikanëve që janë në drejtim të dy shteteve tona që të jenë shumë të kujdesshëm, të vëmendshëm e të përgjegjshëm për fatet e kombit, por edhe luajale me aleatët e miqtë tanë strategjikë që kanë qenë përcaktues për fatet tona.

Nga pozita e ndjekësit të lajmeve nga ekrani i TV, apo lexuesit të informatave e komenteve në portale e internet, nuk është e lehtë të identifikosh se cili është opsioni që fuqitë e huaja do të preferonin si zgjidhje për marrëveshjen Serbi-Kosovë, por me sa kemi ndjekur duket si evidente që janë Gjermanët si mbështetës të mosndryshimeve të kufirit, Amerikanët si indiferentë dhe Rusët, si shumë fort në favor edhe të shkëmbimeve territoriale.
Kur kujton këtu, pozicionimet ruse në Ukrainë, Gjeorgji por edhe mbështetjen që i bëjnë Serbisë për Republikën Serbska të Bosnjë –Hercegovinës, nuk ka asnjë dyshim që një marrëveshje me shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, diplomacia ruse do ta shfrytëzonte maksimalisht në arenën ndërkombëtare, për të vijuar me projektet e Putinit për aneksime të territoreve me popullate ruse në disa nga ish-republikat sovjetike.

Do të na duhej shumë më tepër informacion për të nxjerrë konkluzione të sakta, por hipoteza mund të ngremë e ëndrra mund të shohim sa të duam, pa na penguar njeri. Se sa do mund të përkojnë me realitetin pas vitesh apo dhjetëra vitesh, këtë mbase as nuk do të arrijmë ta shohim a prekim, por ravijëzimin e një trajektore apo tendence, edhe mund të jemi në kohë ta perceptojmë.

Në kushtet e mësipërme, kur Vuçiç hapur e ka konfirmuar që ka mbështetje nga Putin, me të cilin ai komunikon rregullisht, sikurse nuk fsheh që interlokutorët e tij të preferuar, në këto anë, janë Rama e Thaçi, fitorja e zgjedhjeve nga Kurti në Kosovë u ka krijuar një surprizë e u ka ngrirë buzëqeshjen të gjitha palëve të përfshira në këtë nismë.
Duket që edhe nga aleatët tanë historikë të ketë një nxitim për të mbyllur një marrëveshje. Këtu duhet të tregohemi edhe më realistë e të japim shenjë mirëkuptimi dhe dëgjueshmërie. Nuk kemi përse të fshihemi e të mos e pranojmë që trajektorja e pozitës së Serbisë në planin ndërkombëtar, kohët e fundit ka njohur ngritje, dhe situata nuk është më as e 20 vjetëve përpara kur u Beogradi bombardohej nga avionët e NATO-s dhe as ajo e dymbëdhjetë viteve më parë, kur Xhorxh Bush i riu e njoftoi hapin për pavarësinë e Kosovës nga oborri i Kryeministrisë në Tiranë.
Por edhe skena botërore ka pasur zhvillime gjigante në këtë fillimshekulli e mijëvjeçari të ri. Dalja e Kinës në pozitën e superfuqisë së dytë, por edhe veprimet më të hapura për zotërim të kontrollit në territore rreth saj, nga ana e Rusisë, nuk do të jenë pa ndikim në përcaktimin për konfigurimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo përforcohet edhe më shumë nga impenjimi për t’i përfshirë këto vende të Ballkanit në projektin europian. Projekti do të kërkonte minimalisht sheshimin e të gjitha problematikave mes vendeve kandidate e veçanërisht ato të njohjes së kufijve respektive.
E në këto kushte, kundërshtarët e Kurtit në Kosovë janë padyshim të avantazhuar, sepse besohet që do të jenë më të bindur për lëshime të nevojshme në bisedime, si shumë më të kontrollueshëm e të shantazhueshëm, sikurse është e provuar në këto 20 vitet e shkuara. Por edhe për faktin që në Tiranë janë në qeverisje të majtët, edhe këta historikisht më internacionalistë dhe më të përkulshmit kur vjen puna për të bërë lëshime e për të sakrifikuar nga elementi kombëtar.

Sa më lart, na jep një arsye jo pak të besueshme për shmangien me kaq urgjencë në kulmin e pandemisë së COVID-19 të Albin Kurtit nga qeverisja e Kosovës. Një përforcim të tezës se dyshja e preferuar nga Fuqitë e Mëdha, për të pasur në tavolinën e negociatave me serbët është Thaçi nga Kosova e Rama nga Shqipëria, e dëshmon edhe përpjekja për të mbajtur në këmbë Qeverinë Rama në Tiranë, pavarësisht zullumeve të panumërta.
Të paktën këtë duket se shprehin haptazi qëndrimet e ambasadorëve të SHBA dhe të BE, pavarësisht shkarjeve dramatike të nivelit të demokracisë në Shqipëri, ku Parlamenti është jolegjitim dhe pothuaj inekzistent, zgjedhjet lokale të zhvilluara një vit më parë ishin një farsë, që ngjante me ato të regjimit komunist të para 90’ dhe ku vendi gjendet pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë dhe ku përmasat e korrupsionit dhe shkalla degradimit të institucioneve shtetërore shënojnë rekorde të paimagjinueshme.

Çuditërisht, pavarësisht kësaj situate pothuaj halucinante të demokracisë në rajonet shqiptare, aleatët tanë historikë po nxitojnë në të dyja drejtimet. Nga një anë, në Shqipëri për të përshpejtuar inicimin e fazës përfundimtare për integrim në BE dhe, nga ana tjetër, në Kosovë, për të përmbyllur bisedimet Beograd-Prishtinë, për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme mes tyre, bazuar në njohje të Kosovës, që nga ana e saj do të ishte kësisoj kandidate për BE.
Po a nuk duket pikërisht kjo pak sa kontradiktore. A do të mund të pranonte BE shqiptarët me dy shtete më vete dhe me dy vota në BE kur, në një rast të mëparshëm historik, të lidhur me Gjermaninë Lindore (me trupa e armë sovjetike ende në territor) preferuan ta përfshijnë në atë të Republikës Federale të Gjermanisë që njihej si Gjermania Perëndimore dhe jo ta pranonin në BE si shtet më vete.

E ndoshta këtu do të mund të shohim edhe një dritare oportuniteti për Albin Kurtin.
Ironikisht po ndodh shmangia nga bisedimet Beograd-Prishtinë, që mund të rezultojnë aspak të lehta e mbase, të dhimbshme për shqiptarët, e personalitetit politik që më shumë se cilido prej liderëve, në të dy anët e kufirit shqiptar, ka artikuluar më qartë dhe haptazi pa asnjë inferioritet idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një shtet shqiptar, për t’i lënë Albinit mundësinë që të përgatisë projektin që kaq shumë ai vetë e ka për zemër, por edhe që e ka evidentuar atë si politikan patriot e nacionalist në gjithë trojet shqiptare.

Historia njëqindvjeçare e shtetit shqiptar të pavarur ka dëshmuar që aleatët tanë i kanë përdorur liderët lokalë me afat të limituar, pas të cilit i kanë gjetur skemat e rrugët për t’i mënjanuar, pasi kanë mbaruar me më shumë a më pak sukses misionin e ngarkuar.
Na mbetet që të këshillojmë zotin Kurti që të mos ligështohet aspak dhe se do të bënte mirë që të vinte më shpesh e të kalonte pak më shumë kohë në Tiranë. Do të ishte një përvojë shumë e vlefshme që do t’i shërbente atij, por mbase edhe më shumë kombit shqiptar në të ardhmen.

Kolë Mokra