Shoqëria na bombardon me udhëzime për të qenë më të lumtur, më në formë dhe më të pasur. Pse jemi bërë kaq të pakënaqur me të qenit të zakonshëm?

Ashtu si vetë virusi, perfeksionizmi u përshtat me vetë kushtet që kishin filluar ta neutralizonin atë. Ndeshemi shpesh me njerëz me ndonjë ideal ndëshkues të përsosmërisë profesionale, romantike, fizike ose morale.

Gjatë izolimit të pandemisë, shumë njerëz filluan të hiqnin dorë nga kërkesat perfeksioniste që i kishin bërë vetes. Institucionet dhe bizneset u përshtatën me punën nga shtëpia dhe shumë njerëzve iu ul ngarkesa e punës, si dhe hasën një shkëputje nga mbikëqyrja e vazhdueshme dhe një mundësi për të rikalibruar prioritetet e tyre. Ata përqafuan kënaqësitë e thjeshta – gatimin, ecjen, leximin, bisedën – dhe dukeshin optimistë për marrëdhëniet e tyre me partnerët dhe familjen.

Kufizimet e Covid-19 i kishin hapur mendjen njerëzve për gjithçka që i mungonte: kopshtari, çiklizëm, lojëra me fëmijët. Por pas disa javësh, kjo gjendje e re e kënaqësisë u zbeh dhe kërkesat e shkuara “ndëshkuese” u rishfaqën.

Ashtu si vetë virusi, perfeksionizmi ishte përshtatur me vetë kushtet, që kishin filluar ta neutralizonin atë. Njerëzit filluan të gjenin një formë të re konkurrence në punën nga shtëpia: kush mund të ishte më produktiv nën këtë trysni të shtuar?

Pushimi nga ‘zelli’ perfeksionist, i ndjekur nga rikthimi i tij, çon në përfundimin se perfeksionizmi mund të jetë një element i rrënjosur thellë.

Kur njerëzit e vdekshëm në Bibël ose mitologji, si arkitektët e Kullës së Babelit ose Prometeu, përpiqen të uzurpojnë statusin hyjnor, ata ndëshkohen. Në imagjinatën fetare, nocioni i përsosmërisë njerëzore është blasfemi.

Lidhjet e fesë u liruan me ardhjen e shoqërisë industriale. Nietzsche vuri re se banorët e një moderniteti laik, pasi kishin vrarë Zotin, nuk ishin në gjendje të jetonin pa të. Në vend të tij ata shpikën një sërë perëndish të reja: Kultura, Shkenca, Tregtia, Shteti, Vetja.

Zhvillimi në aspektin arsimor, estetik dhe financiar dhe nevoja për njohjen dhe dallimin nga të tjerët, janë elementët që formojnë ajrin perfeksionist që të gjithë tani thithim.

Perfeksionizmi “krijon një jetë në të cilën jetohet për atë që nuk është, në vend të asaj që është..

Imperativi drejt përsosmërisë mbetet po aq i fuqishëm dhe i përhapur sa kurrë. Në një artikull në vitin 2017, dy psikologë britanikë, Thomas Curran dhe Andrew Hill, ia atribuuan një rritje eksponenciale të perfeksionizmit tek brezi i ri, “parametrave socialë dhe ekonomikë gjithnjë e më të kërkuar”, brenda të cilëve ata luftuan për të bërë jetën e tyre. Ata gjithashtu fajësuan “praktikat prindërore gjithnjë e më të shqetësuara dhe kontrolluese”.

Tregjet e mbipopulluara të punës, veçanërisht për punët e dëshirueshme profesionale dhe krijuese, si dhe strehimi i papërballueshëm, po i shtyjnë të rinjtë dhe prindërit e tyre drejt përpjekjeve gjithnjë e më të mëdha, për të siguruar një avantazh konkurrues. Kështu fillon një praktikë tjetër e papaguar, trajnime të mëtejshme ose ndonjë ngutje tjetër anësore.

Duke e lidhur përhapjen e ankthit perfeksionist me atmosferën e pasigurisë dhe konkurrencës të krijuar nga tregu i lirë, këta psikologë parashikuan një kritikë të meritokracisë nga Michael Sandel, një filozof amerikan. Në “The Tyranny of Merit” (Tirania e Meritës), botuar në vitin 2020, Sandel argumenton se kapitalizmi meritokratik krijoi një gjendje të përhershme konkurrence brenda shoqërisë, e cila gërryen solidaritetin dhe nocionin e “të mirës së përbashkët”. Ky sistem ruan një rend fitimtarësh dhe humbësish, duke edukuar “përulësi dhe vetëpërgëzim” mes të parëve, ndërsa vetëvlerësim të ulët kronik midis të dytëve.

Në një kulturë të tillë, të rinjtë ka të ngjarë të bëhen të pakënaqur me atë që kanë dhe me atë që janë. Mediat sociale krijojnë presion shtesë për të ndërtuar një imazh të përsosur publik, duke përkeqësuar ndjenjat tona të pamjaftueshmërisë.

Në mungesë të ndjenjave të brendshme të vlerës, një perfeksionist priret të masë vlerën e vet kundrejt masave të jashtme: të dhënat akademike, aftësitë sportive, popullariteti, arritjet profesionale. Kur nuk i përmbush pritjet, ai ndjen turp dhe poshtërim.

Kjo peshë e pritshmërive të shoqërisë nuk është aspak një fenomen i ri, por është bërë veçanërisht shterrues gjatë dekadave të fundit, ndoshta sepse vetë pritshmëritë janë kaq të shumëllojshme dhe kontradiktore. Perfeksionizmi i viteve 1950 ishte i rrënjosur në normat e kulturës masive dhe u kap në imazhet e famshme reklamuese të familjes ideale të bardhë amerikane, të cilat tani duken vetësatirizuese.

Në atë epokë, perfeksionizmi nënkuptonte përshtatje pa probleme me vlerat, sjelljen dhe pamjen e jashtme: vetëbesim i gdhendur për burrat, mirësi e përulur për gratë. Perfeksionistët e sotëm, përkundrazi, ndiejnë detyrimin për t’u dalluar përmes stilit të tyre idiosinkratik dhe zgjuarsisë, nëse duan të fitojnë terren në ekonominë e vëmendjes.

Megjithatë, perfeksionizmi nuk është vetëm një forcë keqdashëse. Kërkesa për përsosmëri mund të jetë mbytëse, por një perfeksionist mund të ndiejë gjithashtu se arritjet e tij, janë e vetmja gjë që e mban të bashkuar. Kur jemi të mbytur nga jeta dhe ndëshkohemi për papërshtatshmëritë tona, horoskopi ose 1000 pëlqime në Instagram, mund të japin ndjesinë kalimtare se gjithçka është nën kontroll.

Sigurisht, kjo ndjesi zbehet shpejt dhe kërkon freskim të vazhdueshëm. Moya Sarner, një shkrimtare e zhytur në idetë psikoanalitike thotë: “Kjo bën një jetë të hollë, të jetuar për atë që nuk është, dhe jo për atë që është. Nëse jeni duke u përpjekur përgjithmonë ta bëni jetën tuaj atë që dëshironi të jetë, ju nuk po jetoni vërtet jetën që keni.”

Në vitin 1990, Randy Frost, një psikolog amerikan, zhvilloi 35 pyetje për të matur perfeksionizmin. “Shkalla e tij shumëdimensionale e perfeksionizmit” (multidimensional perfectionism scale), dallonte midis tre llojeve të gjera të perfeksionizmit.

Lloji i parë është perfeksionizmi i orientuar drejt vetes, një refren persekutues që këmbëngul se duhet të bëni më mirë. Ai lind si një detyrim shumë motivues, por në fund të fundit rraskapitës për t’u bërë një version i idealizuar i vetes: më i lumtur, më në formë, më i pasur.

Lloji i dytë është perfeksionizmi i përshkruar nga shoqëria, i cili na lë të përpiqemi të jetojmë sipas pritshmërive të të tjerëve. Kjo shpesh shprehet në fantazitë e kritikës, pasi një monolog i brendshëm na tregon, se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë. Ne dëgjojmë përçmime të çuditshme të sjelljeve tona të pamjaftueshme të hirshme, rroba të shëmtuara ose biseda të mërzitshme.

Së treti vjen perfeksionizmi i orientuar nga të tjerët, i cili e kthen atë zë persekutues nga jashtë, ndërsa ne kërkojmë, që edhe ata përreth nesh të përmbushin idealet tona të pamundura. Kjo është më e dëmshme, kur përdoret si një instrument pushteti: prindi që e pyet fëmijën e tij pse mori vetëm nëntë nota 10, ose shefi që nuk mund ta kuptojë pse punonjësi i tij nuk mund të punojë edhe pse është me grip. Perfeksionizmi i orientuar drejt të tjerëve është pothuajse gjithmonë projeksion, duke gjetur dështim dhe zhgënjim tek të tjerët, që nuk mund të durojmë t’i shohim te vetja, nën maskën e dobët të kritikës autoritative.

Disa psikologë argumentojnë se perfeksionizmi nuk ka nevojë të jetë patologjik. Në vitin 1978 D.E. Hamachek, një psikolog amerikan, bëri një dallim midis perfeksionizmit normal dhe neurotik. Perfeksionisti normal mund t’i vendosë vetes standarde të larta, pa kaluar në autokritikë ndëshkuese. Ata madje mund të kënaqen duke u përpjekur për përmirësim.

Studiuesit e mëvonshëm kanë vënë në dyshim dallimin e Hamachek, duke argumentuar se dëshira për të qenë perfekt, nuk mund të jetë kurrë “normale”. Dëshira për diçka që në thelb është e pamundur, mund të rezultojë vetëm në ndjenja zhgënjimi dhe pamjaftueshmërie. Megjithëse perfeksionizmi mund të gërryejë ndjenjën tonë të vetëvlerësimit, pak prej nesh do të dëshironin të hiqnin dorë nga ambicia për t’u zhvilluar dhe rritur.

Si mund ta mbrojmë këtë aspiratë nga inkursionet e zellit perfeksionist? Nuk ka përgjigje të lehta. Diçka në lidhje me të qenit njeri e bën të vështirë të ndihet se kemi bërë, ose jemi mjaftueshëm. Ne nuk jemi të gatshëm të shuajmë shpresën se, një ditë, do të njihemi si të jashtëzakonshëm: qenia e përsosur që prindërit tanë dikur vendosën në një piedestal.

Perfeksionizmi mund të duket se na nxit drejt suksesit. Por, në të vërtetë është një qëndrim thelbësisht fëminor. Na mbush me bindjen se jeta në fakt, përfundon kur ne heqim dorë nga shpresa për t’u bërë versioni më i mirë i vetes. Përkundrazi, ky është momenti në të cilin jeta më në fund mund të fillojë.

/ The Economist , përkthim e redaktim i Shqip.al