Një fshat i tërë zviceran do të duhet të evakuohet për një dekadë. Banorët e fshatit Mitholz do të duhet të gjejnë shtëpi të reja, pasi në fshatin e tyre është zbuluar një depo municioni e vjetër që i përket Luftës së Dytë Botërore. Autoritetet vendase mund të pastrojnë këtë depo, e cila përmban municione të mbushura me ton eksploziv, por pastrimi mund të zgjasë 10 vjet.

Depoja është ndërtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore brenda një mali në Mitholz, i cili është rreth një orë në jug të Bernit.

Në 1947, rreth 7,000 ton eksploziv shpërtheu në depon nëntokësore, duke vrarë nëntë persona dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në fshat.

Një pjesë e objektit u rindërtua, dhe për dekada të tëra njerëzit menduan se ishte e sigurt, sipas zëdhënësit të Departamentit të Mbrojtjes Civile, Carolina Bohren.

Ushtria zvicerane më vonë e përdori atë për të ruajtur furnizimet farmaceutike, tha ajo.

Një studim vlerësimi i rrezikshmërisë realizuar në viti 2018 zbuloi se depoja është shumë më e rrezikshme sesa mendohej fillimisht dhe se rreth 3.500 ton municione janë akoma atje.

“U vendos që municionet duhet të pastrohen plotësisht nga mali. Për shkak se rreziku i shpërthimit gjatë pastrimit është shumë i lartë, për fat të keq banorët duhet të largohen”.

Rreth 170 njerëz jetojnë në fshat. Pastrimi nuk do të fillojë deri në vitin 2031 për shkak të përgatitjes së nevojshme para se të fillojë puna, tha Bohren.

“Ne e njoftuam këtë tani që ata të mund ta planifikojnë të ardhmen e tyre,” tha ajo.

Qeveria po punon ngushtë me komunitetin dhe kanë anketuar banorët për të zbuluar se çfarë ata duan të bëjnë.

Në një konferencë shtypi Ministrja e Mbrojtjes Viola Amherd tha se pastrimi mund të kushtojë më shumë se 1 miliard franga zvicerane.

Pjesa më e madhe e eksplozivëve janë varrosur nën shkëmb të paqëndrueshëm, i cili do të duhet të hiqet shtresa – shtresa. Nëse rezerva nuk mund të hiqet në mënyrë të sigurt, autoritetet mund të vendosin të mbulojnë zonën me shkëmb për të varrosur municionet.

Menaxheri i projektit Hanspeter Aelling u tha mediave zvicerane se nuk është opsioni i preferuar sepse autoritetet nuk duan të lënë “një dhuratë toksike për pasardhësit”, shkruan CNN.