Pas një prove, që përfshiu disa kompani në Mbretërinë e Bashkuar, duket se janë bërë hapa të rëndësishëm, në ndryshimet e sugjeruara prej kohësh për javën e punës.

Teoria, është se gjatë një javë më të shkurtër pune, punonjësit kanë rendiment më të lartë, dhe një fundjavë më e gjatë, rezulton në një ekuilibër më të mirë punë-jetë dhe punonjës më të çlodhur.

Më shumë se gjysma e menaxherëve të projektit dhe CEO-ve të përfshirë në provën katër-ditore, raportuan se përfundimisht, kishte ndikim pozitiv në organizatë, pasi stafi punoi 100% në vetëm 80% të kohës.

Në fakt, 82%, thanë se kjo rezultoi në efekte pozitive në mirëqenien e stafit, ndërsa 50% gjetën se reduktonte qarkullimin e stafit, dhe 32%, pretendonin se përmirësonte procesin e rekrutimit.

Pothuajse gjysma, pranuan se puna dhe produktiviteti u përmirësuan, në atë që ishte sprova e parë e javës së punës në vend.

Si pjesë e provës më të madhe të javës katër-ditore të punës në botë, 61 organizata morën pjesë në studimin e gjatë gjashtëmujor, ku punonjësit morën tre ditët e lakmuara të pushimit nga puna, që të gjithë ne ëndërrojmë.

Pas këtij programi pilot, që u zhvillua në vitin 2022, 54 (89%) kompani vazhdojnë të zbatojnë politikën një vit më vonë, ku 31 (51%) kanë bërë ndryshimin e përhershëm, në javën katërditore të punës.

Kompanitë e përfshira, thjesht reduktuan orët e punës me 6.6 orë në javë, duke arritur 31.6 orë në javë, ku shumica i jepnin stafit një ditë të plotë pushim në javë dhe gjysmë ditë të shpërndara.

Sipas 96% të stafit, jeta e tyre personale kishte përfituar, ndërsa 86% pohuan se performuan më mirë në punë.

Është një përparim i madh për vendin, pasi autorja e raportit, profesore sociologje në Kolegjin e Bostonit, Juliet Schor, theksoi se rezultatet zbuluan ‘efekte afatgjata’.

Ajo tha gjithashtu: “Shëndeti fizik dhe mendor, dhe ekuilibri punë-jetë, janë dukshëm më të mira se sa në gjashtë muaj. Burnout dhe përmirësimet e kënaqësisë nga jeta, mbetën të qëndrueshme.”

Megjithatë, drejtori në Konfederatën e Industrisë Britanike, Matthew Percival, theksoi se jo të gjitha kompanitë do të përfitonin dhe se shumë industri, nuk do të ishin në gjendje ta përballonin këtë.

Raporti, i shkruar nga thinktank Autonomy, dhe studiues nga Universiteti i Kembrixhit, Universiteti i Salfordit dhe Kolegji i Bostonit në SHBA, këmbëngul se përfitimet e gjetura gjatë provës, kanë vazhduar një vit më vonë.

Disa sfida, përfshinin punën me klientët ose palët e interesuara, që ende po ndiqnin orarin e së hënës deri të premten, ose ku politika nuk zbatohej qartë, duke shkaktuar pakënaqësi të stafit.

Qeveria skoceze, nisi një provë javore pune katër-ditore për disa shërbime publike në shkurt 2024, duke sinjalizuar një tjetër hap, në drejtim të javëve të ristrukturuara të punës.

Drejtuesit dhe menaxherët në kompanitë e suksesshme në studim, theksuan se punonjësit përfituan nga javët më të shkurtra, me rritjen e produktivitetit, por se menaxherët do të duhej të trajnoheshin më mirë, për t’u marrë me strukturën e re, nëse ajo do të zbatohej përgjithmonë.

Pavarësisht kësaj, një zëdhënës i qeverisë deklaroi: “Nuk kemi plane për të futur një javë pune katër-ditore.”

“Në fund të fundit, duhet që punëdhënësit dhe punonjësit, të bien dakord se cilat orare dhe kohëzgjatje pune u përshtaten, dhe ne do të bëjmë ndryshime në legjislacionin tonë fleksibël të punës në prill, duke përfshirë të drejtën për të kërkuar punë fleksibël, që nga dita e parë e një pune të re.” / Lad Bible