Vendet e Ballkanit do të hyjnë zyrtarisht në zonën Shengen më 31 mars.

Më 31 mars, vendet e Ballkanit do t’i bashkohen zyrtarisht zonës Shengen, e cila lejon lëvizjen e lirë midis vendeve anëtare për 400 milionë qytetarë.

Ndërsa të dy vendet kanë qenë anëtarë të Bashkimit Europian që nga viti 2007, ata janë ende të detyruar të tregojnë pasaportat kur hyjnë në vendet e tjera të BE-së, ndryshe nga shumë qytetarë të tjerë Europianë.

Në vitin 2024, kontrollet kufitare për të dy vendet, do të thjeshtohen, dhe ka të ngjarë të ndryshojnë edhe shumë aspekte të tjera.

Ka shumë spekulime nëse Bullgaria dhe Rumania, do të ndjekin hapat e hyrjes së Kroacisë në zonën Shengen, e cila është kritikuar gjerësisht për rritjen e çmimeve që nga hyrja.

Bullgaria dhe Rumania, nuk pritet të kalojnë monedhat ekzistuese në euro – siç ka bërë Kroacia – në të ardhmen e afërt, por, çuditërisht, do të ketë ndryshime pothuajse menjëherë.

A do të rriten çmimet kur Bullgaria dhe Rumania të bashkohen në zonën Shengen?

Elaine Warren, eksperte udhëtimesh dhe themeluese e blogut “The Family Cruise Companion”, shpreson se lëvizja në zonën Shengen, nuk do të sjellë menjëherë rritje të çmimeve, gjë që mund të largojë menjëherë turistët e mundshëm.

“Rritja e konkurrencës, mund të barazojë çdo tendencë, që çmimet të rriten shumë në vendet më të vizituara. Turistët janë në gjendje të krahasojnë lehtësisht çmimet përtej kufijve, prandaj hotelet dhe bizneset e tjera do të duan të qëndrojnë konkurrues në tarifat e tyre, ” tha ajo.

Megjithatë, duket se është shumë herët për të thënë saktësisht se çfarë mund të ndodhë.

“Është gjithashtu e mundur, që kostot e caktuara mund të përshtaten gradualisht. Por në përgjithësi, përzierja e efekteve – më shumë vizitorë, por edhe konkurrencë më e ashpër – sugjeron që ndikimet e çmimeve, nuk do të jenë të qarta. Vendet e njohura mund të kenë rritje modeste, ndërsa zonat rurale dhe çmimet e konsumit, përballen me presione në rënie,” shton Warren.

Çfarë po bëjnë Bullgaria dhe Rumania për të tërhequr turizmin?

Rumania dhe Bullgaria, njihen ende si “jashtë rrugës së rrahur”, të vizituara rrallë nga turistët. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë, se nuk kanë asgjë për t’u ofruar vizitorëve.

Pavarësisht nëse është banja e famshme “Therme” nga TikTok në Bukuresht, qytetet e festave në Detin e Zi apo Sofja, kryeqyteti i gjallë bullgar, ka shumë për të tërhequr udhëtarët drejt lindjes.

“Therme”, Bukuresht

Lucia Polla, eksperte udhëtimesh dhe themeluese e blogut të udhëtimit “Viva La Vita”, është fanse e Rumanisë dhe Bullgarisë, dhe shpreson se lëvizja në zonën Shengen, do t’i hapë vendet për një brez të ri turistësh.

“Unë parashikoj rritje të turizmit, që mund të çojë në më shumë konkurrencë midis ofruesve të udhëtimit, dhe kjo do të thotë akomodim dhe mundësi transporti edhe më të përballueshme!” thotë ajo.

Eksperti i udhëtimeve dhe bashkëthemeluesi i “StayNewEngland.com” Michael Donovan, thotë: “Kur vizitova Bullgarinë në fillim të viteve 2000, kufijtë jashtë Shengenit, shtuan kompleksitetin, që shkurajoi disa turistë. Pas pranimit të tyre të pritshëm, mendoj se do të shohim më shumë turizëm, në stilin e Eurotrip-it, veçanërisht mes të rinjve. Ky grup demografik, i ka ngritur në qiell ekonomitë lokale në vende të tjera pas Shengenit.”

Rumania në veçanti, thotë Michael, “tashmë po përjeton një rilindje, si pikë e nxehtë aventurash kulturore dhe në natyrë. Heqja e kontrolleve kufitare, mund të sjellë shumë turistë në bregdetin e bukur të Detit të Zi dhe rajonin e Transilvanisë, në një skenë vërtet globale.”

Ai dhe ekspertë të tjerë, kanë parashikuar një rritje fillestare prej 15 deri në 25 % të vizitorëve ndërkombëtarë në të dy vendet, e cila do të vazhdojë të rritet me kalimin e viteve.

Bregdeti i Detit të Zi, Bullgari

A mund të bien Rumania dhe Bullgaria viktimë e mbiturizmit?

Ndërsa është e qartë se hyrja e shteteve në zonën Shengen, do të rrisë turizmin dhe do të forcojë ekonomitë e tyre përkatëse, ka shqetësime se turizmi i tepërt – kaq i zakonshëm në Europë – së shpejti mund të bëhet problem.

Rritja e turizmit, mund të stimulojë gjithashtu diversifikimin e destinacioneve. Rritja e mundësive, mund të çojë në eksplorimin e vendeve më pak të vizituara, duke përhapur përfitimet e turizmit në mënyrë më të barabartë në të gjithë vendin, një prirje, që mund të çojë në një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, në sektorin e turizmit. / Euronews